Nga Anastas Angjeli- Marrëdhëniet ekonomikefinanciare, tregtare dhe të investimeve kanë historinë e vet, në këta 110 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Padyshim që periudha pas viteve ‘90 është periudha e rritjes dhe e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve, ndërsa 3-4 vitet e fundit, kanë marrë një zhvillim dhe intensifikim më të lartë.
Këtij zhvillimi u kanë shërbyer veç marrëdhënieve të shkëlqyera politike, diplomatike e ushtarake edhe mbështetja e SHBA-ve për realizimin e një sërë reformash të brendshme të zhvillimit, të demokracisë funksionale, reforma në drejtësi, ato në procesin e integrimit euroatlantik, ato rregullatore të zhvillimit të biznesit për krijimin dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut, reformat në media, si dhe në përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, terrorizmin, krimin e organizuar e fusha të tjera. Në trinomin e prioriteteve të SHBA ndaj Shqipërisë, që ambasadorja KIM ka deklaruar janë: demokracia, mbrojtja dhe biznesi, ku duket se tashmë, krahas arritjeve të shënuara në dy prioritetet e para, prioriteti i tretë, ai i zhvillimit të biznesit, prej disa vitesh ka marrë një vlerësim dhe vëmendje të shtuar.
PAK HISTORI
Njëhershmi një ndihmesë dhe shtysë për rritjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike-tregtare, ka qenë edhe plotësimi i kuadrit ligjor që rregullon këto marrëdhënie mes dy vendeve dhe në veçanti nënshkrimi dhe zbatimi i disa marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve të ekonomisë, të tregtisë dhe të investimeve midis dy vendeve. Natyrisht, marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Amerikës nuk janë një realitet vetëm i post ‘90. Në vitin 1922, qeveria e mbretit Zog nënshkroi me përfaqësuesit e qeverisë amerikane marrëveshjen për statusin e kombit më të favorizuar. Fillimet e para të një marrëdhënieje që po mbush një shekull janë parë me fillimin e emigrimit të shqiptarëve në kontinentin amerikan, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe janë transformuar në marrëdhënie të bashkëpunimit dhe partneritetit për çështje që lidhen me forcimin e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë.
Më pas, rreth viteve ‘30 shikohet një rritje e interesit të kompanive amerikane në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare dhe paralelisht një rritje e emigrimit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Këtu vlen të përmenden nënshkrimi i një sërë marrëveshjeve si “Marrëveshja mbi shkëmbimin e notave për heqjen e taksave për vizat e zakonshme” (1 qershor 1926); “Marrëveshja monetare” (1 korrik 1933); Traktati i Arbitrimit (12 shkurt 1929); apo Traktati i Natyralizimit, që u nënshkrua në Tiranë më 5 prill 1932, por hyri në fuqi më 22 korrik 1935; apo Traktati i Ekstradimit (14 nëntor 1935.) Pas Luftës së Dytë Botërore dhe për rreth pesë dekada me radhë, ka pasur një ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike dhe shifra të ulëta në marrëdhëniet ekonomike, megjithëse me fillimin e Pasluftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara firmosën një marrëveshje me trupat ushtarake të Shqipërisë, në Tiranë, më 11 prill 1945, duke u premtuar mjete për lehtësimin e situatës së pasluftës, përmes trupave ushtarake.
Ndërsa pas vitit 1991, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithnjë përkrah Shqipërisë, gjë që është materializuar edhe në një sërë marrëveshjesh dhe traktatesh mes dy vendeve, të cilat janë të fokusuara në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes dhe fushës së kulturës. Në mënyrë të veçantë, mund të përmenden “Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake dhe të mbrojtjes”; Karta e Adriatikut dhe Integrimi Euroatlantik; “Marrëveshja në lidhje me dorëzimin e personave në Gjykatën Ndërkombëtare Penale”. Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ashtu siç mbështeti në çdo hap anëtarësimin e saj në NATO. Pas vitit 1991, disa marrëveshje fokusuan në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe në rritjen e biznesit dhe investimeve mes dy vendeve. Marrëveshjet si ajo për “Asistencën ekonomike dhe teknike” (10.06.1992); “Traktati për inkurajimin dhe mbrojtjen reciproke të investimit”(nënshkruar më 11.01.1995); “Marrëveshja për zbatimin e ligjit” (10.1.2002); “Marrëveshja e grantit të objektivit strategjik për të luftuar korrupsionin, në kuadër të programit fillestar të vlerësimit të sfidës së mijëvjeçarit” (3.4.2006); apo të gjitha marrëveshjet në kuadrin e USAID-it apo Korpusit të Paqes, kanë qenë një shtyllë e fortë e mbështetjes në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në të gjithë vitet e periudhës së tranzicionit.
Marrëveshjet me karakter ekonomik u konsideruan të rëndësishme dhe u shoqëruan me përpjekjet për nënshkrimin e një marrëveshjeje ekonomike, ku përmes të tjerave të ritheksohej statusi i kombit më të favorizuar. Marrëveshja ekonomike dypalëshe midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u nënshkrua dhe hyri në fuqi më 10.06.1992. Marrëveshja ekonomike e vitit 1992 u fokusua në trajtimin e çështjeve që lidhen me statusin e kombit më të favorizuar dhe jodiskriminimin, u fokusua edhe në në të drejtën e bizneseve nga të dyja vendet për të pasur akses në tregjet, prodhimet dhe shërbimet e ofruara në vendin tjetër, mundësinë e zgjerimit të bizneseve nga një vend në tjetrin, nxitjen e tregtisë mes dy vendeve dhe krijimin e lehtësirave nga të dyja palët. Një pjesë e madhe e kësaj marrëveshjeje shtrihet në mbrojtjen e së drejtës së pronësisë intelektuale, duke theksuar të gjitha fushat ku kjo e drejtë vepron, si: mbrojtjen efektive të markave, patentave, së drejtës së autorit, sekreteve tregtare, hartave industriale apo formulave për qarqet e integruara.
Me rëndësi u konsiderua edhe ngritja e një Komisioni të Përbashkët Tregtar mes dy vendeve, e cila do të nxiste bashkëpunimin në fushën ekonomike, rishikimin periodik të vetë marrëveshjes ekonomike dhe herë pas here të mund të bënte rekomandime për përmirësimin e marrëveshjes në mënyrë që të arriheshin sa më mirë qëllimet e saj. Paralelisht, ka rëndësi të veçantë që marrëveshja parashikon që dy vendet duhet të shikojnë hapësirat e mundura për të arritur marrëveshje dypalëshe, për çështjet e taksimit të investimeve, duke përfshirë edhe kthimin në vendin e origjinës të fitimeve apo transferimin e kapitaleve. Në vitin 1995 (dhe hyri në fuqi më 4 janar 1998) “Marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve” me qëllim nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, nxitjen e lëvizjes së kapitaleve private mes vendeve, krijimin e një kuadri ligjor që maksimizon përdorimin e burimeve ekonomike dhe përmirësimin e jetesës në të dyja vendet. Në fokus të vëmendjes këto vitet e fundit është dhe një marrëveshje shumëpalëshe apo programe të qeverisë amerikane me disa shtete, ku përfshihet dhe Shqipëria, si për shembull programi i Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave. Po sipas kësaj marrëveshjeje, duhet parë çdo mundësi e eksplorimit të mëtejshëm të ngritjes së interesit dhe fillimit të bisedimeve për një marrëveshje që adreson çështjen e taksave dhe mundësisht heqjen e taksimit të dyfishtë, marrëveshje që tashmë Shqipëria e ka të ratifikuar me 37 vende, gati për t’u firmosur me 4 vende dhe në proces me 10 vende.
NIVELI NË RRITJE I MARRËDHËNIEVE EKONOMIKE, TREGTARE DHE TË INVESTIMEVE SHBA-SHQIPËRI E gjithë “kjo histori” marrëdhëniesh dhe marrëveshjesh krijoi “shtratin e zhvillimit dhe ardhjes në rritje” në mënyrë progresive, të marrëdhënieve ekonomike, tregtarë e të investimeve midis dy vendeve gjate këtyre 30 viteve… Tashmë, lidhja ekonomike dhe biznesi është një aspekt i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve diplomatike të rivendosura 30 vjet më parë. Në fund të fundit, këto janë lidhjet që prekin qytetarët tanë dhe udhëheqin drejt një të ardhmeje më të begatë për brezin e ardhshëm. Fakti që ambasadorja KIM, në emër të SHBA, ka shpallur marrëdhëniet e biznesit midis dy vendeve tona si nje nga tri prioritetet është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Kjo, sepse Shtetet e Bashkuara janë ekonomia më e madhe në botë dhe është e qartë se vendi dhe ekonomia jonë mund të përftojë më shumë nga një lidhje më e ngushtë mes dy vendeve: “…vende pune më të mira; aftësi të përparuara; një ekonomi në rritje; qasje në më shumë produkte me çmime më të ulëta dhe më shumë mundësi për rininë shqiptare, pikërisht këtu në Shqipëri”(ambasadorja Yuri KIM). Sot, në ekonominë e vendit tonë kemi dëshmi të investimeve në projekte të mëdha nga SHBA, si projekti i hidrocentralit të Skavicës me Bechtel, projekti në Vlorë me “Excelerate Energy” dhe “ExxonMobil”, që do të jetë investimi i huaj i drejtpërdrejtë më i madh në Shqipëri, kryer ndonjëherë nga një kompani amerikane. Ndërkaq, dukshëm kemi një rritje në marrëdhëniet e tregtisë të eksport-importit, të cilat në dy-tre vitet e fundit, thuajse dyfishohen nga njëri vit në tjetrin. Këtyre po t’i shtojmë edhe faktin e investimeve të tjera amerikane në vendin tonë, rolit të investimeve të Fondit Amerikan të Ndërmarrjeve prej vitit 1995, dhe më pas të Fondit Amerikan te Zhvillimit të krijuar prej tij, ato të USAID, si dhe faktin në tregun shqiptar, gjithnjë e më shumë janë prezent mallra, produkte të firmave amerikane, tashmë mund të themi se jemi në një fazë të re dhe nivel më të lartë të marrëdhënieve të biznesit mes dy vendeve. Ndërkaq, filizat e para të investimeve shqiptare në SHBA kanë filluar të shfaqen. Por, ndërkaq dy vendet tona nuk kanë arritur ende në një marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë, një instrument ky që do t’i shërbente më shumë rritjes së aktivitetit ekonomik, tregtar dhe të investimeve midis dy vendeve. Prandaj është koha për një marrëveshje të tillë. Por…
ÇFARË ËSHTË BËRË PËR KËTË QËLLIM?
PËRSE ENDE NË PRITJE? Ka pasur një përpjekje të vazhdueshme këta 5-6 vitet e fundit, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë për Çështjet e Europës për të arritur një marrëveshje të eliminimit të taksimit të dyfishtë mes Shqipërisë dhe SHBA. Një angazhim në mbështetje të realizimit të këtij qëllimi ka pasur dhe Ambasada e Shqipërisë në Uashington DC dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë. Nga pala shqiptare është kryer edhe një vizitë në Departamentin e Thesarit Amerikan nga zyrtarë të institucioneve tona ku kanë paraqitur edhe kërkesën zyrtare. Natyrisht që nisma për të avancuar i takon qeverisë amerikane.
Po me sa duket, fakti që deri 3-4 vite më parë niveli i marrëdhënieve ekonomike, tregtare e sidomos ajo e investimeve amerikane në vendin tonë kanë qenë në një nivel të atillë të konsiderueshëm, që reforma në drejtësi ka qenë në process, që klima e biznesit ka pasur përmirësime, por jo në nivelin që së bashku me faktorët e tjerë të lejonte realizimin e një marrëveshjeje të tillë, na ka lënë “në dyert e kësaj marrëveshjeje”. Kjo derë duhet hapur dhe koha është tani. Dhe ja sepse ÇFARË DUHET BËRË? Padyshim që rivënia në axhendë e kësaj çështjeje është e domosdoshme dhe kërkon riangazhim të disa institucioneve dhe marrjen e disa nismave. Njëhershmi, në krye të fjalës është realizimi i reformës në drejtësi, e cila ka dhe pjesën, lidhjen me ekonominë, me biznesin, me barazinë para ligjit, konkurrencën e ndershme, me zbatimin e legjislacionit ekonomik e financiar, me çështjet e pronave dhe të kontratave, me zbatimin e legjislacionit ekonomik e financiar, etj., etj.
Gjithashtu, me rëndësi është edhe vazhdimi i përmirësimit të klimës së biznesit në vend, në veçanti vazhdimi i reformave rregullatore, që e çojnë në një përmirësim të mëtejshëm klimën e biznesit në vend. Përmirësimet në ligjet e investimeve dhe ato fiskale dhe reforma në drejtësi janë gjithashtu të domosdoshme. Në një situatë të përmirësuar sipas drejtimeve të mësipërme, krijohet një ambient më i mirë biznesi dhe me shumë drejtësi ekonomike dhe sociale për të gjithë, në dobi të një ekonomie dhe një Shqipëri më të mirë dhe më të fortë. Por në funksion të këtij qëllimi shërben edhe realizimi i marrëveshjes së eliminimit të tatimeve të dyfishta midis dy vendeve, për të cilën veçsa më sipër mund tq konsiderohen dhe këto sugjerime: Së pari, institucionet e angazhuara deri tani, si: Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, duhet të riangazhohen për ta rivënë në lëvizje këtë marrëveshje me institucionet respektive në SHBA, bazuar në një analizë të thelluar të nivelit të ri të arritur te marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe të investimeve midis dy vendeve.
Se dyti, edhe ambasada jonë në SHBAUashington DC duhet të vazhdojë pune e nisur në këtë drejtim, lobingun e nevojshëm, ligjor, bashkëpunimin me komunitetin e biznesit shqiptar në SHBA, dhe bashkëpunimin me Dhomën Amerikane të Tregtisë në Tiranë (që deri tani ka mbështetur dhe kontribuar në këtë drejtim), për të rritur forcën argumentuese të domosdoshmërisë së kësaj marrëveshjeje. Së treti, mbështetja e Ambasadës së SHBA në Tiranë është gjithnjë forcë kryesore e domosdoshme, pa të cilën nuk do të mundemi ta realizojmë një objektiv të tillë. Së katërti, institucionet tona shtetërore duhet të angazhohen në rrugë ligjore, në lobingun e kësaj çështjeje, institucionet që e kanë në kompetence këtë çështje në SHBA.
Së pesti, një bashkëpunim me një ose dy vende të tjera të rajonit, të cilat nuk e kanë ende edhe ato një marrëveshje të tillë me SHBA, p.sh., Kroacinë, Malin e Zi etj., do të ndihmonte më shumë në përpjekjen për realizimin e kësaj marrëveshjeje. Nënshkrimi dhe realizimi i Marrëveshjes së Eliminimit të Tatimeve të Dyfishta midis SHBA dhe Shqipërisë është një instrument që do t’i shërbejë më shumë rritjes së bashkëpunimit dhe nivelit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare e sidomos të investimeve amerikane në vendin tonë. Dhe koha për t’u angazhuar në këtë drejtim është tani.