Nga Saimir Demi
Kudo ka një rregullore, e cila pasi ka qenë dikur draft, është votuar nga ata që mund ta ushtrojnë këtë të drejtë dhe është kthyer në një ligj për t’u zbatuar pa kushte. Por çfarë janë rregullat? Sipas një teorie, një seri rreshtash të renditura me kujdes, por që duhen shkelur, për ta bërë jetën e njerëzve më spektakolare. Por çfarë janë njerëzit? Disa që mendojnë se janë Adami, i cili u ka dhënë formë disa të tjerëve që plotësojnë territorin dhe disa të tjerë që thërrasin “Rroftë Adami!”, për hir të jetëgjatësisë së qenies së tyre. Në këto çaste jam duke bërë një bilanc, për çfarë bënë njerëzit e shtypit në rastin “Skënderbeu”, që kur flitej për dyshime trukimesh, më pas kur klubi u dënua dhe së fundi, kur ka rrezik për një ridënim të mundshëm nga UEFA. Përfundimi rezulton të jetë pozitiv, pra në favor të kampionëve dhe atyre që i mbështetën. Deshën heshtje, ua ofruan në masë, deshën justifikim, edhe atë e patën pa rezerva. Por, duket se mirënjohja ka qenë individuale, ndërsa ndëshkimet, për hir të atyre që nuk ua bëri zemra të deklaroheshin “Pro”, u bënë kolektive. Në ndeshjen e fundit, Skënderbeu – Tirana, duket qartë që në shenjë hakmarrje primitive, klubi korçar ka vendosur të shesë edhe vendet e gazetarëve, në tribunën e shtypit të stadiumit të tyre. Tifozë me bileta 15 mijë lekëshe (të paktën kaq thuhet se kanë kushtuar), u paraqitën me të drejtën e tyre në sektorin e mediave, duke u bërë të qartë, se letrat që kishin përpara mund t’i përdornin në WC, një sektor tjetër, që ishte pak më larg nga aty, ndërsa stilolapsat ishin të lirë t’i fusnin ku të donin. Në rast të një ndeshje ndërkombëtare, në rang klubesh, apo përfaqësuesesh, UEFA inspekton fillimisht, pikërisht vendet ku do të akomodohen gazetarët dhe vetëm pasi binden që këta të fundit do të punojnë në kushte optimale, liçenson impiantin. Por këtu, të gjithë e dinë tashmë arsyen pse funksionon gjithmonë me të njëjtën shëmti…, sepse “Këtu vendos Unë!”. Ja çfarë thotë edhe neni 72 i Rregullores së Aktivitetit që zhvillohet në Shqipëri (Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë e Futbollit): Gjatë çdo ndeshje zyrtare, klubi vendas duhet të plotësojë standartet minimale, për hapësirat në gatishmëri për mediat, si më poshtë:
a. 16 (gjashtëmbëdhjetë) vende qëndrimi, të pozicionuara pranë hapësirës për mediat, me pamje të mirë dhe të plotë të fushës së lojës.
b. Çdo vendqëndrimi për median duhet të jetë i pajisur me tavolinë pune, një prizë të energjisë elektrike dhe një linjë telefonike funksionale.
c. Hapësirë për shpalljen e deklaratave të shtypit dhe kryerjen e intervistave, me një sipërfaqe jo më pak se 40 (dyzetë) metra katrorë.
d. Ujë të pijshëm përpara ndeshjes, gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe pas ndeshjes.
Pikërisht 16 vende ishin ato të gazetarëve në stadiumin “Skënderbeu” dhe nga detyrimi që ata ta bëjnë punën e tyre në këmbë, klubi ynë milioner arkëtoi 240 mijë lekë. Ndërsa Federata që ka përpiluar një rregullore, e cila është bërë zyrtare edhe me votën e Skënderbeut, ka zgjedhur edhe për këtë rast qëndrimin standard…, heshtjen. Por, me logjikën: “Këtu vendos Unë!”, gjatë këtyre dy javëve janë shënuar edhe vendime të tjera absurde. Korabi ankohet se është larguar nga kompleksi “Skënder Halili”, ku stërvitej sipas një marrëveshje me klubin bardheblu, menjëherë pas barazimit që i mori Tiranës. Ndërsa duke e vazhduar mëkatin e marrjes së një tjetër pike, këtë rradhë kundër Kukësit, e humbi edhe të drejtën për t’i zhvilluar ndeshjet si pritëse në “Zeqir Ymeri”, ku ishte akomoduar po pas një marrëveshje me verilindorët. Për fat, nuk ka pasur mundësinë të bënte një dëm më të madh, pasi dibranët mund ta humbisnin shancin edhe të ishin pjesë e kampionatit, madje që pa dalë dimri. Ata donin vetëm të grumbullonin disa pikë, për të shpresuar mbijetesën, por u konsideruan si heretikë. Por, është edhe diçka tjetër që ra në sy në këtë javë të fundit të këtij edicioni të ngjeshur, aq shumë me qëllimin e vetëm për t’u hequr qafe. Ishte një gjyqtar, i cili ndëshkoi me dy kartonë të verdhë një futbollist, në një ndeshje të Kategorisë së Parë dhe nuk e shoqëroi këtë me karton të kuq. Një gafë e rëndomtë, në fakt jo vetëm e tij, por e të gjithë ekipit arbitral, që sigurisht nuk është bërë me qëllim, por ka ardhur nga pavëmendja. Ndërsa më pas, të gjithë kanë rënë dakord, që kartonin e parë t’ia faturonin në protokoll një tjetër lojtari, i cili veçse po kalonte rastësisht nga ajo pjesë e fushës, duke sajuar kështu një mashtrim kolektiv. Dhe si shpërblim, për shkak të një mbështetje që nuk e ka shumëkush, vetëm tre ditë më vonë, ndërkombëtari më i ri u caktua të vendosë drejtësi në një tjetër ndeshje, këtë rradhë nga më të rëndësishmet e Superiores, Flamurtari – Partizani…, sepse “Këtu vendos Unë!”.