Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia në Komisionin e Ligjeve ka zbuluar sesa e vështirëson punën e avokatëve harta e re gjyqësore. Ai ka ironizuar me dëgjesën në Komision, ndërsa theksoi se prania e tij është e kotë sepse “ka dëgjuar që vendimi është gati për t’u marrë”.
“Një grua që rrihet në Frashër të Përmetit duhen 6 orë që të shkojnë. Sa të shkojnë i ka ikur edhe inati, i kanë ardhur edhe familjarët. Është e domosdoshme të ketë tre apo katër apele. Madje thamë që Apeli i Tiranës të ndahet në civil dhe penal dhe një nga këto të shkojnë në Durrës. Propozuam që gjykatat e shkallës së parë të ktheheshin në seksione administrative. Ne kërkuam që Saranda të ketë një gjykatë të shkallës së parë. Ndërkohë natyrisht nuk u mor asnjë. Edhe pse ne dhamë kontributin tonë bëmë kundërshtimet tona për t’u bashkuar me qëllimet që ndjek qeveria e gjyqësorit.
Kërkesa jonë është që të mos vëmë gurin e parë në themel dhe pastaj të prishim katet. Po dëgjojmë që vendimi është gati për t’u marrë, atëherë që kot kemi ardhur. Nuk besojmë se ju e keni seriozisht. Ju s’po bëni me seriozitet hartën territoriale. Pezulloni hartën gjyqësore, bëni hartën territoriale dhe më pas edhe hartën gjyqësore sepse pushtetet shkojnë paralele. Nuk e kemi bërë këtë lëvizje për buxhetin tonë”, u shpreh ai.