Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas takimeve që pati këtë të diel në Tiranë, me krerët e politikës shqiptare.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Kurti u shpreh se gjatë takimeve, u diskutua për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës në 2 vitet e fundit dhe për marrëveshjet me Serbinë, në Bruksel dhe në Ohër.
Ndër të tjera, Kurti nënvizoi se për marrëveshjet, donte t’i informonte nga afër dhe në hollësi politikanët shqiptarë.
“Jam takuar sot me krerët e institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Vizitë pune në Tiranë, e fillova me presidentin Bajram Begaj, për të vazhduar me kryetaren e Kuvendit të Republikës, zonjën Lindita Nikolla. Pastaj një drekë pune me kryeministrin Edi Rama dhe ish-presidentin Meta. Gjatë këtyre takimeve unë theksova dy gjëra kryesore. E para është suksesi dhe progresi demokratik e ekonomik i Kosovës në këto 2 vite të qeverisjes sonë, që është një progres i pashembullt në Kosovën e pavarur.
Në anën tjetër, i informova për detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve që kemi realizuar së pari në Bruksel dhe më pas edhe aneksin e zbatimit në Ohër për normalizmin e marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë. Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi dhe në hollësi me procesin e dialogut, por gjithashtu me elementët përbërës të marrëveshjes që tashmë duhet të realizohet”, theksoi Kurti.