Kryebashkiaku i Peqinit, Bukurosh Maçi, hedh 500 milionë lekë për asfaltimin e rrugëve rurale. Paratë e projektit ia beson biznesmenit italian Giovanni Pascale, i cili është nën hetim nga SPAK për një tender dyshimtë të dhënë nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Zyrtarja e lartë nuk është më në detyrë, por kujdesen të tjerë eksponentë të Rilindjes që t’i jepen tenderat pronarit italian të kompanisë “Euroteorema Peqin”.
Dhe meqenëse Pascale ka lidhje vertikale me politikën kuptohet vlera e hipotenuzës së korrupsionit. Kështu tenderi me objekt “Furnizim shtrim asfalto-betoni për rrugët rurale në territorin e Bashkise Peqin”, më 31 mars 2026, i është dhënë “Euroteoremës” në shkelje të rregullave. Open Data Albania e ka shënuar procedurën me “Flamur të kuq” që sinjalizon korrupsionin.

Fondi Limit i caktuar për asfaltimin është 499.9 milionë lekë. Sipas dokumenteve, përvec “Euroteoremës”, këtë fond e synonte edhe një pjesëmarrës tjetër. Bashkimi i operatorëve BIBA –X & “R|S|M Construction” kanë prezantuar një propozim me vlerë 124 milionë lekë më të ulët se sa oferta fituese.

Komisioni i vlerësimit do ta skualifikonte me argumentin se oferta është “anomalisht e ulët”. Në fakt, më shumë ka mundësi që fondi limit të jetë fryrë që të kënaqet miku i rekomanduar nga lart. Më e pakta që mund të bëhej, duhet të anulohej tenderi, pasi oferta e vetme e vlefshme është gati sa fondi limit.
Megjithatë Bukurosh Maçi ka vazhduar formulën e favorizimit të “Euroteoremës”. Një shqetësim na lind nga rezultati i tenderit: Rrugët nuk do të asfaltohen siç duhet dhe kushedi se kur mbarojnë.
Kjo tabelë tregon afatin e përfundimit të urës së Vodicës në Vlorë, që po e ndërton “Euroteorema Peqin”.

Objekti, e cili po i kushton buxhetit të Bashkisë Selenicë gati 1 miliard lekë u premtua se do të ndërtohej për 4 muaj. Kështu të paktën tregon tabela e vendosur në hyrje të urës së vjetër që lidh fshatin Vodicë me rrugën Kuç-Qeparo.
Punimet kanë nisur në muajin nëntor të vitit të shkuar. Pavarësisht se afati 4 mujor ka kaluar qysh në fillim të mars 2026, firma nuk ka kryer as 70% të punimeve. Deri tani zbatimi i projektit është ende tek themelet, ku duket se duhen edhe shumë muaj të tjerë që të përfundojë ndërtimi i urës.

Ky ishte tenderi i Bashkisë Selenicë me objekt “Ndërtimi i Urës së Fshatit Vodicë” me fond limit 995 milionë lekë.
Megjithëse data e shpalljes së fituesit është më 22 shtator 2025, punimet nisën në nëntor.

Por kush e ndihmoi “Euroteoremën” të merrte tenderin e Urës së Vodicës? Deputeti Vullnet Sinaj shfaqet aty këto ditë dhe “inspekton” punimet. Në vend që të kërkojë llogari për afatin, flet për premtimet e mbajtura.

Lidhja e politikanit me Giovanni Pascale-n nuk është e rastësishme. Italiani ka hyrë në familjen e “Rilindjes”. Për më tepër, kompania e tij është regjistruar në dosjen e SPAK për Ballukun.
Hetimet kanë gjetur të dhëna se edhe tender i Unazës së Madhe Loti IV është diktuar nga Belinda Balluku dhe është i paracaktuar. Ndaj saj është ngritur pikërisht akuza e re gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera për rastin e Unazës së Madhe.
Kriteret për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe dyshohet, sipas SPAK, të jenë vendosur specifikisht për të favorizuar kompanitë e ndërtimit “Euroteorema Peqin”, “Pevlaku” dhe “NOVA Construction”.

Loti 4, u përmend për herë të parë nga SPAK-u kur ndaj Ballukut u vendos masa e pezullimit nga detyra.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo dyshohet të ketë “ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga institucioni në varësi të kësaj ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave”. Së bashku me drejtorin e ARRSH dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit “kanë paracaktuar fituesin”.
Dosja që SPAK ka dërguar së bashku me kërkesën për arrestimin e Ballukut, ofron elementë të rinj, se si Ilir Shtufi, pronar i “Nova Construction 2012” u bë një ndër fituesit e garës.
“Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me Euroteoremën dhe mos ta shoh në vend tjetër. Punët i ke me Gimin thuaj jo me mua”. Ky është një mesazh që Balluku i dërgon në telefon vartësit të saj, kreut të ARRSH-së në atë kohë, Evis Berberi. Me këtë komunikim të datës 10 shtator 2021, vetëm pak javë para se të shpallej fituesi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku jo vetëm që, sipas SPAK, e paracaktonte fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe, por i impononte edhe ortakun biznesmenit Ilir Shtufi.
Vetëm pak minuta pas urdhrit të ministres, kreu i ARRSH atëherë komunikon me biznesmenin Shtufi dhe menjëherë ia konfirmon eprores se porosia u çua në vend, duke i çuar këtë mesazh: “E takova, ok”.
Tenderi për Lotin IV të Unazës së Madhe u hap më 16 gusht të vitit 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor 2021.
Biznesmeni Ilir Shtufi, është marrë në pyetje për rastin në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Sipas dosjes së SPAK-ut, ai ka deklaruar ndër të tjera se “stafi i tij kishte hyrë në diskutime dhe me inxhnierët e shoqërisë ‘Euroteorema Peqin’, por përfaqësuesit e kësaj shoqërie kishin kërkuar maxhorancën e punimeve dhe ai nuk ishte entuziast për këtë bashkëpunim. Gjatë kësaj kohe, kur ende nuk ishte vendosur bashkëpunimi me shoqërinë ‘Euroteorema Peqin’, është njoftuar nga inxhinieri i shoqërisë së tij ‘Nova construction’, që të takonte Evis Berberin. Ai e kishte kërkuar disa herë për ta takuar. Shtufi deklaron se duke qenë se Evis Berberi ishte titullari i autoritetit kontraktor në tenderin që shoqëria e tij donte të konkurronte, e ka takuar atë. Pas këtij takimi me Evis Berberin, ka vendosur për të bashkëpunuar me shoqërinë ‘Euroteorema Peqin”.

Në vitin 2021, ish-drejtori Evis Berberi firmosi fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas dokumenteve, fituesi i lotit 4 ishte një bashkim operatorësh “EUROTEOREMA PEQIN” & “PE-VLA-KU” dhe “NOVA Construction 2012”.
Fondi Limit ishte 2 miliardë lekë të reja (20 milionë euro). Fituesi ofruan 1.991.017.847 lekë (20 milionë euro), ose shumë afër fondit limit. Në garë në atë kohë ka pasur oferta deri në 4 milionë euro më pak.
Por nuk ka fund korrupsioni! Kontrata e Lotit IV është modifikuar dhe i janë shtuar edhe 1.5 milionë euro.
Kështu, pas më shumë se 10 vitesh dhe mbi 400 milionë eurove të investuara, u dhanë të tjera para shtesë, pavarësisht se Balluku dhe Rama bën një ceremoni të hapjes së këtij aksi.
Një tjetër tender, që duket i porositur nga “lart” për biznesmenin italian, është firmosur në fillim të vitit nga kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani. “Beu” i Belshit nuk është menduar dy herë dhe ia ka dhënë tenderin 1.1 miliard lekë Pascale-t.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues perveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e përshkruan tenderin Open Data Albania. Për të treguar riskun e korrupsionit, procedura është shënuar me “Flamur të kuq”.

Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Belsh me objekt “Rikonstruksion, i disa rrugëve të brendshme të Bashkisë Belsh, Faza III”. Prokurimi i financuar nga buxheti i bashkisë është çelur më 2 dhjetor 2025 dhe është mbajtur më 5 janar 2026.
Fondi Limit caktuar për këtë projekt është mbi 1,1 miliardë lekë pa TVSH dhe siç duket nga ofertat, është shumë lart mesatares së tregut për këto punime dhe çmimet e materialeve. Pra fondi është fryrë.
Nuk po flasim për autostradë, por për një rrugë fshati me gjatësia totale 5.6 km me gjerësi që nuk i kalon 2.5 metra. Pa ndriçim, trotuare apo gjelbërim.

Për t’i hapur rrugën kompanisë “EUROTEOREMA PEQIN ”, “Beu” i Belshit skualifikoi 22 kompani mes të cilave të gjitha ofertat që ishin më të ulëta dhe ekonomike. Tafani më 26 janar 2026 shpalli fituese kompaninë e Giovanni Pascale-t.
Nuk mbahen dy kunguj në një sqetull, thotë populli, për rastin e Pascale-t, që ka marrë disa tendera njëkohësisht dhe i ka lënë punimet pa i mbaruar. Pra, qytetarët me taksat e tyre përveç fondeve të fryra të tenderave, i paguajnë italianit edhe kohë pakufizim, edhe punë pa cilësi.
gijotina.com/










