Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit, në “Manchester Arena”, ku mbetën të vdekur 22 persona, mes tyre dhe fëmijë.
Ata thanë se një prej ushtarëve të tij kishte pozicionuar eksplozivë mes atij që e quan “grupim i kryqtarëve”, në qytetin Manchester.
Grupi xhihadist paralajmëron se, për adhuruesit e kryqit dhe aleatët e tyre, e keqja më e madhe nuk ka ardhur ende.
Kamikazi, që sipas mediave britanike ishte i njohur për autoritetet, e që thuhet të ketë lindur në Britani, vdiq brenda arenës.
“CBS News” e identifikon atë si 23-vjeçarin Salman Abedi, me origjinë libiane. Ndërkohë, policia kreu një shpërthim të kontrolluar në atë që besohet të jetë banesa e tij, gjatë bastisjeve të zhvilluara në qytet ditën e martë.
8-vjeçarja Saffie Roussos, 18-vjeçarja Georgina Callander, si dhe 26-vjeçari John Atkinson janë 3 viktimat e para të identifikuara. Mes 59 personave të plagosur, që po trajtohen në spital, 12 janë fëmijë. Gjendja e tyre vlerësohet e rëndë.