Paolo Bonolis, një nga moderatorët më të njohur në Itali, shumë aktiv në rrjetet sociale kur bëhet fjalë për sportin, ka festuar dhe madje edhe ironizuar humbjen e Juventusit përballë Realit të Madridit. Tifozi i mirënjohur i Interit ka dashur që të lëshojë batutën e tij, e cila ka marrë mjaft pëlqime, por njëkohësisht edhe shumë ofendime nga juventinët, pasi Bonolis, duke u nisur nga ngjyrat e fanellës, e ka krahasuar “Zonjën e Vjetër” me ekipin e Askolit:
“Mendimi im pas golit të dytë të Ronaldos? Është i denjë për kopertinë. Duke parë atë sfidë, thjesht kupton se ka disa skuadra që qëndrojnë lart, por mjaft lart shumë të tjerave. Për Ronaldon është e kotë që të shtosh fjalë, pasi edhe goli i parë tregon të gjithë dinakërinë e tij edhe në aspektin taktik sepse të paraprish dy qendërmbrojtës nuk është e lehtë.
Gjithsesi, në lidhje me duelin që pamë, mund të them se Askoli (duke iu referuar Juventusit) i bëri ballë mjaft mirë Realit të Madridit. Nuk pritej që të luftonte aq ashpër”, mbylli Bonolis duke qeshur.