Nga Simon Shkreli
“Eca mes fijeve të pejnave, e copave stofnash, aty ndjeva frymen e të bukures, e cila u shtua çdo ditë e më shumë. Ato fije pejnash dhe stofnat e llojllojshëm, më frymëzonin.”
E nis kështu rrëfimin e saj Irina Dema, teksa flet për pasionin e saj për stilimin dhe modelimin e veshjeve!
Veshjet e tyre i shohim në sfilatat e modës, apo edhe të veshura nga yjet botërorë, por shumë pak e dinë që “Roberto Cavalli”, apo “Scervino”, “Pucci” ka shumë vite që kërkojnë veshjet që Irina Dema i dizjenon dhe i punon.
“Qysh fëmijë e kam ushqyer profesionin, falë nënës time Kristina Dema, rrobaqepëse profesioniste, së cilës edhe i ndihmoja. Ka qenë dashuria, më të cilën prindërit e mij ma kanë ushqy këtë profesion”, shprehet Irina.
Shkodrania Irina Dema ka 23 vite që jeton në Itali dhe gjatë kësaj periudhe ka punuar për firmat më të mëdha botërore të modës.
“Gjatë periudhës së komunizmit, edhe pse e ndaluar mua më pëlqenin ngjyrat e freskëta të veshjeve, më pëlqente të eksploroja. Kisha shumë kritika, por nuk u ndala. Dëshiroja të vishesha bukur, të isha e veçantë, në atë kohe realizova të pamundurën. Që e vogël kam filluar punën, doja ta ndihmoja sadopak nënën. Më pëlqente të krijoja! Me imagjinatën time nisa të stilizoja veshjet, çantat, këpucët. Me qëndisje punova gjithë “pajën” time të nusërisë. Aso kohe ishte shumë e vështirë, sepse mungonte materiali. Më pëlqente që të afërmve t’u dhuroja ato që kishin nevojë. Kur sot e kujtoj atë kohë dhe u tregoj fëmijëve, ata nuk e besojnë që ka egzistu ndonjëherë. Por, ndoshta pikërisht ato vështirësitë e mëdha që kemi kaluar na kanë bërë më kërkues, më të gjindshëm. Brezi im, i prindërve tanë, jemi dëshmi e gjallë e asaj kohë”, kujton Irina.
Ndërkohë që sot Shqipëria është vend i hapur dhe lëvizja e lirë e qytetarëve ka bërë të mundur që të vizitohen qendrat më të mëdha botërore, pikërisht në ato dyqane me veshjet më të shtrenja në botë ndodhen edhe veshjet e punuara nga shkodrania Irina.
“23 vite më parë së bashku me familjen u larguam për në Itali, të etur për të ecur para, për t’u edukuar dhe shkolluar, që fëmijëve t’u japim një mundësi që të jenë të barabartë me fëmijët e botës së qytetëruar. U larguam nga Shqipëria! Me shumë dhimbje e morëm vendimin, por Italia ishtë si një ëndërr për mua, vendi i modës, i të bukurës, erdhi tek unë si një mundësi e artë që të rritesha në profesion. Studiova në një Institut mode, ku përfundova me rezultate të larta. Ishte pasioni dëshira e madhe për të arritur që më shtyu të punoj shumë dhe të jem vazhdimisht në kërkim. Ajo që kisha ëndrruar nisi të realizohej, nuk punoja më në prodhim, por isha stiliste dhe modeluese në firma të ndryshme. Italia për mua ka qenë dhe është… – se për të mësuar gjëra të reja, nuk mjafton kurrë, një shkollë vërtetë e madhe. Për shumë vite punova për firma të mëdha botërore si “Fendi”,”Tom Ford”, “Trussardi”, “Pucci”, “Bottega Veneta”,” Missoni”, “ Roberto Cavalli” e kështu me radhë.”
Irina Dema është shumë modeste dhe kur flet për punën e saj çdo gjë e lidh me bashkëpunëtoret, pasi siç shprehet ajo janë shumë të rëndësishem që të arrihet perfeksioni në veshje:
“Njerëzit duhet të ndjehen mirë, prandaj çdo gjë duhet të jetë e kuruar mirë, me shumë finesë. Ka rëndësi shumë detaji, të jetë i shprehur qartë, i menduar mire. Veshjet janë shumë të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh. Kur i ke në trup duhet të ndjehesh mirë. Prandaj, kërkohet edhe përkushtim i madh”.
Irina shprehet edhe për mënyrën e punës dhe si ndjehet, kur sheh veshjet e saj nëpër vende të ndryshme të botës.
“Kam punuar veshje të ndryshme për femra, për meshkuj dhe për fëmijë. Gjithashtu edhe kampionet për sfilatat e modës, të cilat më pas kalonin në prodhim dhe niste pastaj vendosja e tyre nëpër dyqanet e ndryshme anë e kënd botës. Ashtu si në fillim, edhe tani kur në qytete të ndryshme të Italisë, në Europë, apo edhe në SHBA shoh veshjet e mia, më pëlqen tek i kundroj çmimet e tyre, si dhe vlerësimin që njerëzit kanë, kur i shohin dhe i provojnë”.
Në Perugia Irina tashmë ka një studio të krijuar nga ajo vetë. Puna e saj e ka çuar që të ketë kontrata me firmat e mirënjohura botërore të veshjeve:
“7 vite që në Perugia kam krijuar një studio timen dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar për firmat e njohura botërore si Roberto Cavalli, Scervino, Pucci. Si dhe me stilistët e rinj Delefrance, Cherevichkiotvichki e të tjerë. Kryesisht, realizoj për këto firma veshjet për show room, sfilata, kampione të ndryshme për personalitete që siç i quajmë VIP, si dhe për klienta. Është kënaqësi, megjithëse e lodhshme nganjëherë”.
Edhe pse ka mbi dy dekada që ndodhet jashtë Shqipërisë ajo asnjëherë nuk e harron Shkodrën, ku së bashku me familjen rikthehen shpesh, sa që siç shprehet Irina është shumë frymëzuese për të, ndoshta nga malli apo nga nostalgjia. Por, Irina tregon se këtu në Shqipëri e sidomos në Shkodër mund të realizosh çdo gjë:
“Duke ardhur shpesh në vendin tonë, për të cilin kemi nostalgji, por edhe na mungon shumë, shoh potencial të jashtëzakonshem. Popullit tonë nuk i mungon zgjuarsia, shkathtësia, shpirti i punës. Skicat e modeluara nga unë i kam realizuar me bashkëpunëtoret e mia këtu në Shkodër, janë të pa lodhura, janë të mrekullueshme. Ato në veshjet që krijuan, pasqyruan më së miri mendimet e mia dhe atë që unë doja të shprehja. Një punë vërtetë e pastër, e bukur, e mirë. E kjo më gëzon së tepërmi, sepse puna nga duart e grave shqiptare, këtu në Shqipëri del me po ato cilësi si në vendet më të njohura të botës në këtë profesion.
Por, ambicia e Irinës është të krijojë një linjë të sajën, madje shumë shpejt në qendër të Shkodrës do ketë edhe një studio si në Itali: “Jam duke realizuar studion e punës time këtu, në Shkodër. Do jetë një studio e dytë, në qendër të qytetit. Një projekt që besoj se do japin të njëjtin rezultat si studio e parë në Itali. Gjithashtu, jam duke dizejnuar edhe linjën time të veshjeve. Kjo është një ëndërr që do realizohet”.
Irina ka edhe hobi të saj pikturën, e kjo është ajo lidhja e saj qysh e vogël me të bukurën: “ Pikturën e kam gjithmonë në qendër të vëmendje, një dashuri që kur isha e vogël, ëndërroja të bëhësha piktore. Por, kjo ëndërr u pre në mes. Deri sa një ditë, tre vite më parë, një “ëngjëll” më solli dhuratë një penel dhe një telajo. Nga ajo ditë unë pikturoj, është një dashuri e rikthyer”.
Çdo gjë që kam arritur deri tani është falë mbështetjes që më ka dhënë familja ime shprehet Irina.
“Duhet shumë pasion, durim, të mos shohësh kurrë orarin. Kam dëshmitare familjen time, e cila më përshtatet në çdo moment. Çdo arritje deri tani është falë mbështetjes që më ka dhënë familja. Nuk mjafton dëshira, pasioni, oraret, forca, talenti, të gjitha vyshken, në qoftë se nuk ke përkrahjen dhe ngrohtësinë familjare, që të rrinë pranë në shpirt”.
Kjo është një histori suksesi për një vajzë të rritur në Shkodër e cila së bashku me familjen e saj 23 vite më parë u largua nga Shqipëria. Siç e thotë edhe vetë Irina: “ Kjo vajzë e vogël do ecin prapë në dyshemenë e mbushur me fije pejnash e copa stofnash”.