Mediat iraniane thonë se personi ekstradohet së shpejti
Një prej autorëve të një sulmi vdekjeprurës mbi selinë e Partisë së Republikës Islamike të Iranit, kryer në 1981 është arrestuar në Shqipëri. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat iraniane, të cilat nuk japin identitetin e personit të arrestuar në Shqipëri. Mediat citojnë zëdhënësin e policisë iraniane Saeed Montazerolmahdi, i cili në një konferencë për shtyp ka thënë se arrestimi i tij është kryer në bashkëpunim me Interpolin.
Sipas mediave personi i arrestuar është anëtar i organizatës Mujahedin-e Khalq (MKO) dhe se së shpejti do të ekstradohet në Teheran. Momentalisht nuk ka asnjë informacion nga policia shqiptare për arrestimin e muxhahedinit. Më 28 qershor 1981 një shpërthim i fuqishëm ndodhi në selinë Partisë Islamike ndërsa liderët e saj po mbanin një takim. Dhjetra zyrtar iranianë përfshi dhe kreun e Këshillit të Lartë Gjyqësor Ayatollah Mohammad Beheshti mbetën të vrarë.