Intervistë me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë bërë nga Bruno Ziauddin dhe Mikael Krogerus
Për fat të mirë futbollistët shqiptarë nuk kanë të njëjtin shtat si kryeministri i tyre. Përndryshe kjo do ta shqetësonte skuadrën zvicerane më tepër se ç’është ajo tashmë. Edi Rama, 51 vjeç, 2 metër e 1 centimetër, ish-lojtar i kombëtares së basketbollit, artist i njohur ndërkombëtarisht me ekspozita në Paris, Neë York, Venecia, São Paulo, për njëmbëdhjetë vjet kryetar i bashkisë së Tiranës dhe nga shtatori i vitit 2013, ai është Kryeministri i Republikë së Shqipërisë.
Këtë mëngjes të butë pranvere ai kalon nëpër dhomën e Konferencave që ndodhet në ndërtesën e qeverisë e që të kujton një palestër, për t’u ulur në një tryezë prej druri masiv që ka përpara flamurin kombëtar me një shqiponjë të zezë me dy kokë. I ulur Edi Rama duket disa centimetra më pak. Edi Rama ndoshta ka dhimbje shpine prej sportit, ose ka një Hangover (gjendje pas dehje) prej Artit, ose është me një humor depresiv nga politika. Në çdo rast, parapritja e tij e mban intervistën në kufijtë e limiteve.
Përmenden raportet e tij me shtypin botëror (“Financial Times”, “Neë York”, “Süddeutsche Zeitung”), që të japin përshtypjen gjithmonë si shakatë e një ekscentriku, një lloj sjellje jo e zakontë e individit. Ai ka instaluar një kosh basketbolli në paradhomën e zyrës së tij dhe gjatë seancave të mërzitëshme në mbledhjet e qeverisë shpërndan vizatime (në tryezën e tij të punës janë dhjetra pastelë plot ngjyra). Ai që i ka lyer me ngjyra të gëzueshme fasadat e zymta të ndërtesave të Tiranës – e quan këtë “sfidë aestetike” për bashkëkombasit e tij. Edhe sot tek kolegu i Angela Merkel dhe François Hollande ndjenja për “ndërhyrje” anarkike është. Përpara ndërtesës së qeverisë ndodhet një “Kërpudhë gjigande e trefishtë”, vepër e artistit belg Carsten Höller. Kërpudha me dimensione të mëdha dhe me tre koka është si një koment i politikës shqiptare, gumëzhin Rama si gati për t’i hipur një Harley-Davidson: “Një pjesë është e tretshme, e dyta halucinogjene (me aluçilacione) dhe e treta helmuese.”
Das Magazin — Cilën skuadër do të mbështesni ju të shtunën që vjen në Kampionatin Europian – Shqipërinë I apo Shqipërinë II?
Edi Rama — Pa diskutim Shqipërinë I. Paçka se dy vëllezër janë kundërshtarë, vërtetë bizare. (Granit Xhaka luan për Zvicrën dhe vëllai i tij Taulanti për Shqipërinë). Situata pasqyron disi historinë e kohëve të fundit të dy vendeve. Më kujtohet një lojë në Zvicër, e cila praktikisht për faktin se stadiumi ishte i mbushur aq shumë prej shqiptarëve, dukej sikur Shqipëria luante në shtëpinë e saj.
Das Magazin: Kush fiton?
Edi Rama: E pra, kualifikimin për Kampinatin Europian ne e arritëm falë suksesit tonë. Në fushat jashtë Shqipërisë, kemi luajtur shumë fort. Por është e qartë, Zvicra ka një skuadër me shumë përvojë. Me një barazim 1:1, ne do të mbetemi të kënaqur.
Das Magazin: Nga aq shumë futbollistë me rrënjë shqiptare të Zvicrës, cilët do t’i deshët në ekipin tuaj?
Edi Rama: Unë do të doja t’i shihja të dy vëllezërit të luajnë së bashku për Shqipërinë. Ata më kujtojnë mua shqiponjën dykrenore në flamurin tonë: Njëra duket në Shqipëri, tjera në Zvicër.
Das Magazin: Futbollistët tuaj më të mirë janë me origjinë pothuajse të gjithë nga Kosova. Përse kjo gjë?
Edi Rama: Ndoshta sepse ata kishin mundësi më të mira që të zhvilloheshin si sportistë. Populli i Kosovës ka një histori shumë më të gjatë të emigracionit: breza e gjenerata të tëra që jetojnë jashtë vendit të integruar në shoqëritë e tyre përkatëse. Natyrisht ata që jetojnë në Zvicër apo Gjermani, në këto vende, sporti për futbollistët afron kushte shumë të mira profesionale për të mësuar. Emigrimi nga Shqipëria ka nisur shumë më vonë.
Das Magazin: Kosovarët versus Shqipërisë me skuadra kombëtare. A është kjo një temë për ju?
Edi Rama: Nuk e kuptoj pyetjen.
Das Magazin: Ne flasim për tema të tilla. Partitë e djathta thonë se janë shumë emigrantë në skuadrën tonë kombëtare dhe shumë pak “zviceranë” – në kuptimin e zviceranëve me gjak të pastër.
Edi Rama: Ndoshta se orët dhe e djathta ekstreme janë të vetmet gjëra reale, origjinale në Zvicër? Nuk shpresoj të jetë kështu.
Das Magazin: A është futbolli një lidhje për popujt?
Edi Rama: Oh, futbolli mund t’i ketë të dyja: të jetë një urë fantastike, por edhe një e keqe përçarëse. Ju kujtohet ajo që ndodhi në vjeshtën e vitit 2014 në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. Bashkë me homologun tim serb na u desh që të tejkalonim me shumë kujdes divergjencat. Unë isha Kryeministri i parë shqiptar që e vizitoja pas 68 vjetësh Beogradin! Me keqardhje ndodhi diçka e paparashikuar, kur një fans i kombëtares tonë hodhi në stadium një dron me flamurin tonë kombëtar shqiptar …
Da Magazin: … Një referencë pak delikate me dëshirën shqiptare për një bashkim me hapësirën e Kosovës pushtuar nga Serbia.
(Edi Rama zjen me zemërim.)
Edi Rama: Ka pasur skena kaotike të dhunës, loja u anulua. Veprimi kërcënonte të gjithë përparimin e marrëdhënieve tona ta kthente në hiç. Kaq i keq mund të jetë futbolli.
Megjithatë, futbolli është diçka fantastike. Paramendoni se sa e mërzitëshme do të ishte jeta nëse nuk do të shkonim në stadiume apo kinema. Sikur të jetosh në një shtëpi pa dritare dhe dyer.
Das Magazin: Slavoj Žižek thotë: Të gjitha klishetë janë të vërteta. Cilat klishe për shqiptarët janë të vërteta?
Edi Rama: Ajo që është e sigurtë është se Žižek është bërë klishe e vetvetes.
Das Magazin: Cilat janë klishetë që shqiptarët kanë për Zvicrën?
Edi Rama: Në përgjithësi kanë vetëm ndjenja pozitive për këtë vend. Të atyre që e njohin, sepse historinë e jetës së tyre e kanë të lidhur me Zvicrën dhe atyre që nuk e njohin dhe nuk ia kanë idenë se si është.
(Për herë të parë këtë mëngjes u shfaq një buzëqeshje në fytyrën e tij)
Das Magazin: Keni thënë një herë se Zvicra është një vend i mërzitshëm.
Edi Rama: Duke e krahasuar me rajonin tonë, Zvicra është e mërzitëshme. Për vdekje e mërzitëshme. Si kryetari i bashkisë të Tiranës, kur kam bërë një udhëtim nëpër Zvicër, kam menduar: Këtu nuk do të desha kurrë të isha kryetar bashkie, sepse këtu nuk ke se çfarë të bësh, nuk ka punë.
Das Magazin: Njerëzit jetojnë me qejf në vende të mërzitëshme, që ofrojnë siguri, kredibilitet, punë.
Edi Rama: E kuptueshme. Në këtë drejtim duhet të jenë edhe objektivat tona, që ta kthejmë Shqipërinë në një vend të mërzitshëm. Në një vend të mirë për të rritur fëmijët.
Das Magazin: Zvicra: e mirë për familjen, e keqe për Edi Ramën.
Edi Rama: Çmenduri! Për çdo ide që keni, ju keni për të kryer një referendum.
Das Magazin: Janë në Shqipëri të vetëdijshëm se bashkatdhetarët e tyre në Zvicër nuk gëzojnë asnjë reputacion të veçantë të mirë?
Edi Rama: Sigurisht. Dhe jo vetëm në Zvicër. Nami i keq na ndjek prej vitesh. E keni parë filmin «Ëag the Dog» me Robert De Niro?
Das Magazin: Çfarë mund të bëhet në lidhje me imazhin e keq?
Edi Rama: Kush dëshiron të ndryshojë imazhin, duhet ta ndryshojë veten. Ne duhet ta zhvillojmë vendin, rajonin. Jemi duke e bërë, ngadalë, por në mënyrë të qendrueshme. Shqiptarët dhe Kosovarët e zgjuar që jetojnë jashtë japin kontributin e tyre të përditshëm. Situata nuk është e njëjtë si në vitet nëntëdhjetë, kohë kur janë hedhur themelet për këto stereotipe të tmerrshme në lidhje me shqiptarët.
Das Magazin: Žižek ka patur pak të drejtë. Të paktën ky stereotip është i bazuar në të vërtetën.
Edi Rama: Absolutisht. Ne kemi kontribuar në imazhin negativ. Këtë punë e kemi bërë vetë kryesisht.
Das Magazin: Ju thoni se imazhi i shqiptarëve po ndryshon, Shqipëria po ndryshon. Por statistikat nuk janë inkurajuese: 18 për qind shifra e papunësisë, pagat më të ulëta në Evropë, një borxh i lartë publik, infrastruktura e dobët, sa i përket korrupsionit, Shqipëria ka vendin e 88 në listën e Transparency International…
Edi Rama: Papunësia është një problem në gjithë Ballkanin. Në fund të fundit, ne kemi një nga normat më të ulëta të papunësisë në rajon. Korrupsioni nga ana e tij është një karakteristikë e vendeve me institucione të dobëta. Shqipëria sundohej më shumë se katër dekada nga një diktator. Ne kishim për të ndërtuar një shtet, funksionimin e institucioneve shtetërore, duke filluar nga zero. Korrupsioni nuk është faj i njerëzve, por i sistemit. Korrupsioni është një alternativë për një shtet joefikas, i cili nuk i plotëson detyrimet e veta. Nëse shteti nuk i përmbush shërbimet që prisni prej tij, atëhere do të shpifet për dikë. Edhe në këtë sektor kemi bërë progres. Në renditjen e korrupsionit jemi përmirësuar me 30 vende. Deri dy vjet e gjysmë më parë për shembull ishte diçka normale të korruptoje policinë, sot ne e kemi arritur ta ndalojmë këtë gjë.
Das Magazin: Të qëndrojnë apo të emigrojnë: Çfarë këshille u jepni shqiptarëve dhe shqiptareve?
Edi Rama: Edhe polakët, rumunët apo hungarezët që largohen nga shtëpia e tyre janë me qindra mijëra. Ata janë përqëndruar në Evropën Perëndimore, sepse perspektivat për të bërë diçka për jetën e tyre, janë më të mira atje. Ky është një proces normal që mua nuk më shqetëson. Së fundi, shumë kthehen edhe në shtëpi, në Shqipëri. Nga ky shkëmbim ne vetëm mund të përfitojmë.
Das Magazin: Ju dëshironi ta krijoni Shqipërinë si një destinacion pushimi Evropian. A është i gatshëm vendi juaj për të pritur turistët zviceranë për shembull?
Edi Rama: Kjo varet nga çfarë kërkon turisti zviceran. Nëse kërkon ai të njëjtën mërzi që ka në shtëpi? Më mirë të qendrojë larg. Por nëse dëshiron të provojë diçka krejtësisht ndryshe – një udhëtim në botën e gjyshërve të tij – atëhere Shqipëria do të jetë një zgjedhje e mirë. Ne kemi bregdet dhe plazhe të bukura. Ato me më të bukurat janë në detin Adriatik dhe Jon.
Das Magazin: A jeni ju njeriu i dytë më i fuqishëm në Shqipëri – pas ambasadorit amerikan. Korrekt?
Edi Rama: Kush e thotë këtë ? Unë e kaloj gjithësesi. Për sa i përket dimensioneve trupore apo jo.
Das Magazin: A mund që këtu të jemi dakord: Amerikanët janë një Aleat jo pak i rëndësishëm për shqiptarët?
Edi Rama: Po, po. Shumë i rëndësishëm. Ne i duam amerikanët! Të paktën sot është kështu. Enver Hoxha, diktatori ynë, ka bërë një gjysmë shekulli reklama pa pagesë për SHBA, duke i demonizuar ata çdo ditë. Në Shqipëri, edhe të luaje me saksofon ishte e ndaluar. Dhe ajo që është më tërheqëse, është të biesh dakord me djallin!
Das Magazin: Si Kryeministër, ju keni vendosur për të reformuar dhe modernizuar vendin tuaj . Çfarë do të vlerësoni pas gati tre vjetësh?
Edi Rama: Sipas mendimit tim modest, ka dy mënyra për të mbajtur një post të lartë: Ose ta përdorni fuqinë, ose fuqia t’ju përdorë. Ka shumë politikanë të cilët gëlltisin nga pushteti (dmth e keqpërdorin pushtetin – shënimi im E.B.). Ata janë të frikësuar nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, dhe përqëndrohen në aktivitetet e tyre në përputhje me rrethanat. Kredoja ime ka qenë gjithmonë: Ti je i zgjedhur, ushtroje pushtetin, kërko të ndryshosh diçka dhe pastaj lëshoje. Unë nuk kam ditë që të kem menduar për rizgjedhjen time. Prandaj unë jam krenar.
Das Magazin: Kritikët thonë se keni qenë një kryetar bashkie i mirë. Si kryeministër, balanca anon nga keq. Çfarë saktësisht janë arritjet tuaja?
Edi Rama: Po ju jap një shembull: Ne kemi bërë një reformë në energji. Përpara kësaj reforme 42 për qind e energjisë elektrike të vendit që konsumohej nuk paguhej. 42 % vidhej. Reforma jonë është përgatitur që t’i japë fund kësaj vjedhje. Kjo jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, që është një hap i madh përpara, por edhe në aspektin e sundimit të ligjit. Ishte kjo një reformë që pati popullaritet? Jo domosdoshmërisht. Sepse njerëzit ishin mësuar ta merrnin energjinë elektrike falas. Përfitimi i një mase të tillë shihet ndofta pas 10-15 vitesh. Deri në çfarë mase përfitoj apo dëmtohem unë si politikan prej kësaj reforme, nuk më bëhet vonë.
Das Magazin: Ku do të jenë shqiptarët pas dhjetë ose 15 vitesh?
Edi Rama: Unë nuk jam dikushi që ka shumë e shumë vizione. Për këtë rajon, unë kam vetëm një: që të jetë i integruar në Bashkimin Europian.
Das Magazin: Si anëtare me të drejta të plotë apo në formë asocimi?
Edi Rama: Anëtarësimi i plotë. Por askush nuk e di: Kjo nuk ka lidhje vetëm me faktin nëse ne i kemi përmbushur kushtet për anëtarësim. Por nëse Bashkimi Europian është i aftë për të pranuar vende të reja. Apo madje nëse Bashkimi Europian do të ekzistojë në këtë formë që ka sot edhe pas 15 vitesh.
“Angela Merkel është e vetmja që bën gjënë e duhur.”
Das Magazin: Kriza e Bashkimit Europian është përkeqësuar me krizën e refugjatëve. Ata janë afër, por jo të përfshirë. Si i gjykoni ju zhvillimet e dymbëdhjetë muajve të fundit?
Edi Rama: Ajo që po ndodhte ishte gati që të kthehej një tragjedi e Evropës. Kjo ishte një provë, që Europa duhet ta analizojë si me letër lakmuesi, për të shqyrtuar dobësitë e veta.
Das Magazin: Ka vepruar ashtu si duhet Angela Merkel?
Edi Rama: Ajo është e vetmja që ka vepruar si duhet.
Das Magazin: Çfarë kontributi mund të japë Shqipëria në zbutjen e krizës së refugjatëve?
Edi Rama: Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë në një kuadër panevropian të përcaktuar edhe për të marrë refugjatë. Por në qoftë se Evropa nuk është gati si e tërë për një veprim të tillë, e çfarë mund të bëjë një vend si Shqipëria ? Unë nuk shoh asnjë plan, përveç se thuhet vetëm me fjalë: ka mbetur problemi tek grekët apo tek turqit. Kjo nuk është ideja ime për një Europë të Bashkuar. Ky është një makth.
Das Magazin: Ju përmendët Ballkanin si rajonin më proevropian të kontinentit. Zvicra është shumë antiEuropiane, ose më mirë të themi mban qëndrim skeptik ndaj Bashkimit Europian. Çfarë do t’i këshillonit ju zviceranët…
Edi Rama: … Unë do të kujdesesha që të mos u japja zviceranëve ndonjë këshillë. Unë i kam zili, kjo është e gjitha.
Das Magazin: I keni zili?
Edi Rama: Është e qartë. Për shkak se zviceranët kanë krijuar një sistem unik politik. Zvicra është prova se mund të bëhet edhe pa BE-në. Megjithatë, unë nuk mendoj se Zvicra mund të jetë një model për të tjerët. Modeli zviceran nuk mund të kopjohet.
Das Magazin: Në Shqipëri, rreth 60 për qind e popullsisë janë myslimanë. Të krishterët përbëjnë pakicën më të madhe me rreth 20 për qind. Grupet e ndryshme fetare jetojnë në harmoni dhe pa probleme. Rreth frikës nga islami, çfarë mund të mësojë Europa nga vendi juaj?
Edi Rama: Një nga kërcënimet më të mëdha të Evropës është injoranca ndaj myslimanëve. Ne duhet të luftojmë këtë injorancë aq me vendosmëri sa të jetë e mundur, pasi ajo është lojë që luhet nga ekstremistët e të dyja palëve -nga ekstremi i djathtë sikur edhe ekstremistët islamikë. Pa njohuri të thella të fesë për të rinjtë, për të vlerësuar në mënyrë korrekte, Europa rrezikon të përmbytet nga deklaratat kontradiktore rreth islamit, nga akuzat dhe dezinformatat. Prandaj, ne jemi gati për futjen në shkollat tona edukimin fetar. Ky edukim fetar nuk ka të bëjë me mësimin e ushtrimit të fesë, por vetëm me dijet fetare. Adoleshentët nuk duhet të jenë të pambrojtur kur ata dëgjojnë propagandë nga gjithfarë idiotësh.
Das Magazin: Tingëllon qartë, por pak e thjeshtëzuar.
Edi Rama: Shikoni në Amerikë. Donald Trump është një shembull jashtëzakonisht alarmant i asaj që mund të shkaktojë injoranca. Suksesi i tij është i bazuar në shfrytëzimin e ndjenjave krejtësisht irracionale anti-myslimane të simpatizantëve të tij. Ka 1.5 miliardë myslimanë në botë. Nga këto, vetëm 150 000 janë të mbledhur në grupime të rrezikshme aktive. Kjo në shifra është vetëm 0.01 për qind. Faktet dhe shifrat mund të jenë bindëse. Por së pari duhet të merren parasysh, duhet të njihen. Në boshllëqet që krijon injoranca, aty lulëzon urrejtja.
Das Magazin: Dhjetë vjet më parë, një miku juaj i ngushtë kishte thënë për ju: “Edi është i dashuruar me politikën. Ai flet për politikën me të njëjtin entuziazëm që flet për një grua, me të cilën ka rënë në dashuri.” Si është marrëdhënia juaj sot me politikën? Dhoma gjumi të ndara ? Apo gati për divorc?
Edi Rama: Jo, politika është fantastike. Është një instrument për të përmirësuar jetën e njerëzve. Fakti që ajo mund të shkaktojë dëme, nuk ndryshon asgjë. Politika nuk është më pak e rrezikshme për shkak se ajo mund të krijojë iluzione. Sidomos vetë politikanët janë të ndjeshëm. Për pjesën time, unë shpresoj se do të jem mirë nga mendja, kur të heq dorë.
Das Magazin: Revistës “New Yorker” i keni thënë se kalimi juaj nga Arti në Politikë, ka qenë “sikur të kesh ndryshuar seks, gjini”.Çfarë ka mësuar politikani Edi Rama nga Arti?
Edi Rama: Arti më ka ndihmuar të kuptoj fuqinë e imazheve që e kanë prejardhjen nga kultura. Dhe unë e di se duhen shumë e shumë mënyra për të komunikuar me njerëzit. Në të kundërt, shpresoj që të mos kem përfituar si artist nga politika. Sepse do të ishte pastaj një katastrofë e vërtetë.
Das Magazin: Si e konsideroni veten një artist apo një ish-artist?
Edi Rama: Jeta më ka përqafuar në një mënyrë të tillë, që ma bën gati të pamundur të them me një përcaktor të qartë se kush unë jam. Jam në një gjendje skizofrenike midis artit dhe politikës dhe shpresoj shumë që të ketë një jetë të tretë për mua. Që të mos jetë nevoja e kontradiksionit midis dy poleve të tjerë. Por për të shkuar tek ajo jetë, mua do të më duhej që të ndahesha nga politika.
Das Magazin: Thuhet se pushteti e ndryshon njeriun.. A vlen kjo për ju?
Edi Rama: Shikoni fotot e mia gjatë fushatave elektorale. Dhe më shihni mua tani. Ju shikoni një person që është plakur me shpejtësi. Kjo nga ana tjetër është një reflektim i asaj që po ndodh brenda meje. Më ka bërë politika mua një njeri të keq ? Nuk mund të jap unë përgjigje për këtë. Shpresoj që jo.
Das Magazin: Ju keni qenë anëtar i ekipit kombëtar të basketbollit shqiptar dhe fizikisht keni qenë shumë i përgatitur, por megjithatë nuk keni mundur ta parandaloni dhunën fizike që është ushtruar ndaj jush gjatë periudhës të lëvizjes demokratike. Ajo eksperiencë çfarë përvoje ka qenë për ju?
Edi Rama: Një përvojë e tmerrshme. Ju humbni një pjesë të autonomisë. Kur besimi në trupin tënd është tronditur.
Das Magazin: Niklaus Meienberg, gazetari më i rëndësishëm zviceran në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, me një staturë gjigande, i ka përshkruar pasojat e një sulmi shumë të ngjashëm. Ai kurrë nuk është shëruar me të vërtetë nga kjo dhe më pas kreu vetëvrasje.
Edi Rama: Këtë unë e kuptoj… dhe shpresoj që një ditë të mos e vras veten. (Ai shikon orën dhe ngrihet nga tavolina). Tani me keqardhje më duhet t’ju flakë përjashta.
Fotografitë nga Armin Smailovic. Ai jeton në Mynih dhe me origjinë është nga Sarajeva./Shqipëroi nga gjermanishtja Elida Buçpapaj