Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka cilësuar si tepër të vështira bisedimet e radhës me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel, ku u diskutua plani franko-gjerman.
Teksa njoftoi datën e takimit të radhës që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut, Vuçiç tregon se ka kërkuar gjatë bisedimeve themelimin e Asociacionit, gjë për të cilën sipas tij, Kurti nuk ishte ende gati.
“Mendoj se është e rëndësishme që njoftimi i BE-së do të përmbajë fjalë për domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen. Me sa kam kuptuar, më 18 mars do të duhet të shihemi në Maqedoninë e Veriut”, tha Vuçiç.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.