Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryetari i PD, Sali Berisha e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës kryesor për atë që opozita e quan afera e inceneratorëve.
Berisha komentoi sot urdhër arrestet e nxjerra nga SPAK për inceneratorin e Fierit pak ditë më parë, duke thënë se SPAK po tento t’ua shesë shqiptarëve si aferën e disa punonjësve të kësaj kompanie, për të mbrojtur sipas tij Ramën.
“SKAP i partisë po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për t’ua shitur shqiptarëve si aferë e disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigande krimi ekonomik të Ramës, Agaçit, Ahmetit, Veliajt dhe Lefter Kokës. Gjithçka, çdo hap që bëhet, bëhet me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Ramën nga krimi që ka kryer. Inceneratorët janë sipërmarrje direkte e Ramës, Agaçit, Ahmetit, Veliajt dhe Lefter Kokës. Janë sepse Edi Rama për të mbushur thasët me euro, për të përvetësuar së bashku me grupin e tij mafioz të përbërë nga personat që numërova, pranoi të firmosë në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me qëndrimin e autoritetit kombëtar të prokurimeve publike, i cili i thotë me shkresë që procedura “negociatë e mbyllur” nuk ekziston në ligjin shqiptar, ekziston vetëm në kodet e mafies”, tha Berisha.