Mesila Doda: Të vetmit njerëz që janë marrë peng deri më tani janë qytetarët e Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse ne kemi menduar që të sjellim një model tjetër, ku të vendosim qytetarët në plan të parë”
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie Mesila Doda si dhe kandidatët e tjerë të PDIU-së për Tiranën, patën dje një takim me banorë të Njësisë nr.10 në Tiranë. Në fjalën e tij, kreu i PDIU-së shprehu shqetësimin për mungesën e opozitës në zgjedhje duke theksuar se një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë do të mbeten të papërfaqësuar pas 18 qershorit.
“Këto janë zgjedhje të pazakonta për ne shqiptarët. Janë të pazakonta sepse gjysma e spektrit politik sot rrezikon që të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ne mendojmë që zgjedhjet nuk bëhen thjesht dhe vetëm për partitë politike, por është një mundësi që demokracia iu jep qytetarëve të Shqipërisë. Iluministët e mëdhenj të kësaj bote luftuan kundër pushtetit absolut, që pushtetet të mos ishin të përqëndruar në një ose disa njerëz, si këta që ne po shohim në Shqipëri. Duhet të ketë sa më shumë njerëz që të marrin pjesë në vendimmarrje. Për shkak të konfliktualitit politik një pjesë e mirë e qytetarëve të Shqipërisë mund të jenë të papërfaqësuar në këto zgjedhje”- u shpreh kryetari i PDIU-së.
Z.Idrizi theksoi se PDIU ka propozuar një pakt kombëtar për të zgjidhur ngërçin politik, ndërkohë që u bëri apel qytetarëve t’i bashkohen sloganit “Veç një Atdhe”.
“Ne kemi propozuar një pakt kombëtar. Një pakt kombëtar ku të gjithë shqiptarët ishin dakort dhe që forcat politike të uleshin për të gjetur një zgjidhje. Ne kemi dhënë votat tona pa asnjë kusht për reformën në drejtësi dhe për reformën administrative. Ne kemi propozuar edhe një pakt kombëtar për reformën zgjedhore. Ne shkojmë në zgjedhje me parimin “Stalinist” ku populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë. Ne mendojmë që vota e qytetarëve të Shqipërisë është e barabartë. Vota nuk mund të transformohet në thasë mielli apo në para, në radhe të parë është dinjiteti ynë si qytetarë dhe si shqiptarë. Është mundësia juaj që një herë në 4 vjet të zgjidhni ata që do t’ju drejtojnë. Unë ju ftoj që të votoni PDIU-në. Të gjithë atyre që mendojnë se ne kemi veç një Atdhe, të gjithë atyre që mendojmë se ne shpresën e kemi në Shqipëri, për të gjithë ata që duan të ikin nga ky vend, për të gjithë ata që mendojmë se këtu ka shpres, atëherë unë ju ftoj të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Për të gjithë ata që mezi presin lotarinë amerikane dhe që mendojnë se ky vend është i begatë, të bashkohen me ne në zgjdhjet e 18 qershorit. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të gjithë ne, për të jetuar në këtë vend të bekuar. Kjo është arsyeja që ne kemi veç një Atdhe. Votoni nr.5 dhe që këtë vend të mos ua lemë të marrëve” – tha Shpëtim Idrizi.
Ndërsa deputetja Mesila Doda u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një ekonomi më të zhvilluar, taksa më të ulta dhe jo për konfliktualitet politik.
“E keni parë që forcat e mëdha politike kanë mbërritur në një lloj dueli bajlozësh me njëra-tjetrën. Një palë që del e thotë se sa shumë arritje ka bërë gjatë kësaj kohe, por mesa duket nuk gjen ndonjë defekt që ekonomia nuk po rritet, emigracionin e rritur, papunësinë dhe një palë tjetër e cila është ngujuar dhe të vetmin problem që ka, është të marrë patjetër pushtet. Të vetmit njerëz që janë marrë peng deri më tani janë qytetarët e Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse ne kemi menduar që të sjellim një model tjetër, ku të vendosim qytetarët në plan të parë. Ky vend ka nevojë për një ekonomi të zhvilluar, për taksa më të ulta dhe një shtet që funksionon më së miri. Ky është plani i PDIU-së”- u shpreh znj.Doda.