Një sasi tritoli shpërtheu pas mesnate në biznesin dhe banesën e një 47-vjeçari në zonën e Don Boskos. Burimet thanë se sasia e tritolit ka shpërthyer në objektin e shtetasit Përparim Kalbaj. Mësohet se 47-vjeçari është person i njohur për drejtësinë pasi në shkurt të vitit të shkuar është arrestuar së bashku me 3 persona të tjerë në kuadër të operacionit “decline” të cilëve u janë sekuestruar 276 gram kokainë që i shpërndanin në zonën e Bllokut.
Ata janë ndaluar në një loto sportive që ndodhej në rrugën “Nikolla Jorga” dhe sipas policisë, të arrestuarit shisnin kokainë në sasi të vogla, tek persona të ndryshëm në zonën e Bllokut.
Policia njofton se grupi hetimor, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë që janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë pikë së transfertës së parave, për të shkuar në gjurmët e autorëve. Tritoli dyshohet se është vënë në shenjë paralajmërimi ndaj tropojanit./ABCnews