Nga Ilir Seci
N’atë vakt e merr vesh sigurimi se nji malësor mbante te mshehun në kullë, kryqin me Krishtin e gozhduem edhe vendosin kalecat me e përgjue ditë e natë deri sa ta nxanshin “me pelë për dore”.
Një natë vonë, prag Kshndellash, kur malësori mendon se vetem Zoti kish me e pa, shkon me ia puthë kambët Jezusit… N’at moment hyjnë forcat e sigurimit… e nxunë!
I bërtet nji si punë kryekaleci:
-“Ti je armik i Partisë, ti je reaksionar more i poshtër! A do ia puthje këmbët shokut Enver, kështu si i puth këmbët e Jezusit?!”
Malësori e kqyri njiherë e i tha:
-“Shazoten po more, qysh jo burra! Shazoten n’të ish i varun e i gozhduem në kryq, ia kisha puth kambët me tanë dëshirë!”