Me Lutfi Hazirin disa herë rrugët na janë kryqëzuar nëpër Klinikën e Obstetrisë Gjinekologjisë. Sikurse unë, edhe ai është baba i disa vajzave. Luta sot, duke arritur marrëveshje me Vjosa Osmanin, duke e mbështetur atë për pozitën e kryeministres së vendit, e ka mundësinë ideale për t’u futur në histori si burri që ia mundësoi një gruaje për t’u bërë kryeministrja e parë e vendit. Ky do të ishte mesazhi edhe kryesisë së LDK’së për të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës. Kjo do të ishte përgjigja historike për të gjithë dhunën që në kontinuitet është zhvilluar kundër tyre. Do t’i tregonim botës që ne nuk jemi thjesht një klub i machomen’ve. LDK mund ta bëjë këtë.
Nga Berat Buzhala
Pas Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, Kosova e vogël e bën një hap të madh, duke e zgjedhur një grua për kryeministre.
Kosova shkëputet nga dominimi i burrave të fortë dhe të përfolur për korrupsion, duke ia besuar drejtimin e qeverisë një gruaje të shkolluar jashtë vendit, që është eksperte e drejtësisë dhe e flet rrjedhshëm gjuhën angleze.
Pas dy dekadash udhëheqjeje nga liderë që kishin probleme më drejtësinë, më në fund Kosova po drejtohet nga një grua që është profesoreshë e drejtësisë.
Shteti më i ri në Evropë po qeveriset nga një klasë e re politike me duar të pastra, me moshë mesatare nën 40 vjeç.
Nëse sot Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e mandaton Vjosa Osmanin për kandidate të vetën për kryeministre të Kosovë, atëherë ajo çfarë lexuat më lart do të ishin përafërsisht titujt e gazetave më të mëdha evropiane dhe botërore. Rrallë ndodh në histori që kaq pak njerëz, aq sa i ka Kryesia e LDK’së, ta kenë në dorën një mundësi të tillë që do të kishte efekt për kaq shumë njerëz.
Drama që e ka ndjekur Lidhjen Demokratike të Kosovës në muajt e fundit, në procesin e zgjedhjeve të brendshme por edhe tash në kandidatin për kryeministër, e ka ndihmuar shumë këtë subjekt politik. Ka arritur ta vjedhë vëmendjen e publikut për një kohë kaq të gjatë. Duke qenë parti pretendente për t’i fituar zgjedhjet, patjetër që të gjitha mediat në vend kanë treguar kureshtje të madhe se kush do të zgjidhet kryetar e kush do të jetë kandidat për kryeministër. Deri më tash Isa Mustafa e ka menaxhuar këtë proces me pikë maksimale. Shumëkush që i ka fërkuar duart për një çarje të mundshme të LDK’së në dy tri grupe është dëshpëruar, anipse ende nuk është mbyllur asgjë. Mbledhja e sotme e kryesisë së LDK-së, ku do të mund të marrë një epilog emërimi i kandidatit/es për kryeministër është një proces edhe më i rëndësishëm se sa zgjedhja e kryetarit të partisë. Deri më tash edhe ky proces nuk ka dëmtuar asgjë në kuptimin elektoral. Debati i madh, e pse jo edhe intrigat e brendshme, vetëm sa e kanë rritur interesimin. Dy pretendentët kryesorë për kandidat për kryeministër, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, kanë arritur që më dinjitet ta respektojnë subjektin e tyre, por edhe raportin me njëri-tjetrin. Në asnjë rast, këta të dytë, nuk janë atakuar, e as nuk kanë zhvilluar luftë speciale kundër njëri-tjetrit. Mirëpo, kurrë nuk është vonë për t’u bërë keq. Hezitimi i Hazirit ose Osmanit për ta njohur njëri-tjetrin, hezitimi i tyre për të bashkëpunuar me fituesin, do të kishte pasoja të pafalshme për ata të dy, por edhe për qytetarët e Kosovës, që janë duke e pritur një marrëveshje të madhe brenda LDK’së, në mënyrë që të shkojnë drejt zgjedhjeve shumë më të qetë.
Ne të gjithë e dimë që kush do të ishte kandidati ideal për kryeministër nga kjo parti politike. Një gjë të tillë besoj shumë që e di edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, njëri nga shtyllat e LDK’së tash e 20 vjet. Madje Vjosa Osmani nuk është më thjesht vetëm kandidate ideale, ajo është shndërruar në një shpresë për qytetarët e vendit. Për një gjë të tillë askush në LDK nuk do të duhej të kishte xhelozi. Përkundrazi, fakti që LDK e ka rritur në mesin e vetë një grua kaq popullore, kaq ndryshe prej çfarë jemi mësuar të shohim, flet shumë për LDK’në. Vjosa nuk do të ishte kjo që është sot nëse do të kishte qenë diku tjetër. Kushtet për t’u rritur politikisht në këto përmasa që ajo është rritur mund t’i kishte vetëm në këtë subjekt. Për këtë, të gjithë kanë merita, sigurisht edhe Lutfi Haziri.
Qëndrimi i gjatë në skenën politike, pozitat e ndryshme të larta shtetërore, kanë ndikuar shumë që reputacioni i Hazirit të mos jetë ai më i miri i mundshmi, ose të mos jetë në përmasa të Vjosës. Mirëpo, z. Haziri është një lojtar i paepur politik. Rëniet dhe ngritjet e tij, humbjet dhe fitoret e tij, kanë demonstruar që talenti i tij për politikë është i jashtëzakonshëm. Në kohën e rritjes së madhe të Lëvizjes Vetëvendosje, para disa vitesh, kur Haziri kishte konkurruar për kryetar të Gjilanit, shumëkush kishte besuar që aty do të merrte fund karriera e tij politike. Unë kam besuar, madje e kam mbështetur publikisht, se Haziri do të arrijë të gjejë forca të mjaftueshme për të mos vdekur politikisht. Ajo edhe kishte ndodhur. Haziri në një moment të caktuar gjatë asaj fushate zgjedhore kishte luftuar kundër të gjitha forcave politike në vend. Dhe kishte fituar.
Mirëpo tash situata është shumë më ndryshe. Janë në pyetje zgjedhjet e përgjithshme në vend. Kosova është shumë më e madhe se sa Gjilani, kurse partitë e tjera gjithashtu po futën në garë me më të mirët e tyre. Ka mundësi që Vjosa nuk është më e mira e LDK’së, ndonëse unë besoj që është, mirëpo LDK nuk ka produkt më të mirë se sa atë për ta shitur në këto zgjedhje. Kurse Lutfi Haziri, si veteran në këtë biznes, nëse vetëm pak i lë anash ambiciet personale, do të duhej të kishte aq vizion sa për ta parë një gjë të tillë. Haziri, në mënyrë që të mos përfitonte një i tretë për shkak të luftës së tij me Vjosën, do të duhej që këtë herë ta tejkalonte vetën dhe t’i bashkonte forcat me rivalen e tij, për të filluar bashkëpunimin për datën e zgjedhjeve.
Lidhja Demokratike e Kosovës sivjet, në dhjetor, i mbush 30 vjet prej kur është themeluar si subjekt politik. Do të ishte spektakolare për LDK’në, që duke e nominuar një grua për kryeministre të vendit, të vendoste një standard të ri në politikën tonë. Kosova në këtë mënyrë do të renditej krah vendeve si Gjermania dhe Britania e Madhe sa i përket demokracisë dhe barazisë së dy gjinive. Nëse për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një revolucion i vërtetë fitorja në zgjedhje të një personi me ngjyrë, Barack Obama, për një vend si Kosova revolucion i vërtetë do të kishte qenë që një femër të votohej masovikisht nga qytetarët dhe të zgjidhej kryeministre. Vjosa do të ishte Majlinda Kelmendi në politikë. Ajo do të ishte përgjigja më e mirë që ne do t’ua japim mendjeve primitive, atyre që assesi nuk dëshirojnë që një burrë dhe një grua të jenë të barabartë në një shoqëri. Këta, unë jam i bindur, janë pakicë në vendin tonë. Zgjedhja e Vjosës, emërimi i saj për kryeministre, do të ishte hakmarrja ideale, hakmarrja moderne e jona, ndaj të gjithë atyre burrave që nuk pushojnë së konsideruari gruan si një send që flet, një “res vocalis”. Zgjedhja e saj në pozitën më të lartë shtetërore, përmes nominimit nga LDK, do të ishte gjithashtu përgjigja më e mirë që ne do t’u jepnim të gjithë atyre që Kosova është thjesht një terren i përshtatshëm për të rekrutuar ushtarë për organizatat terroriste, e kurrsesi një vend ku do të mund të lindnin dhe rriteshin gra që do të mund të merrnin fatin e vendit në duart e tyre.
Me z. Haziri disa herë rrugët na janë kryqëzuar nëpër Klinikën e Obstetrisë Gjinekologjisë. Sikurse unë, edhe z. Haziri është baba i disa vajzave. Ai sot e ka mundësinë ideale për t’u treguar vajzave të tij, dhe të gjithë vajzave tona, se nëse lind vajzë në Kosovë nuk është dobësi, por është mundësi. Se burri dhe gruaja janë të barabartë, se ai nuk do të bëhet pjesë e klaneve të machomen’ve për ta mposhtur një grua me çdo kusht.
Në dy dekadat e pasluftës Kosova është dominuar në masën 100 për qind prej burrave. Rezultatet e këtij dominimi të gjithë po i shijojmë për çdo ditë. Në atë tjetër, gratë i kemi shndërruar në përqindje. Duhet të jenë 30 për qind këndej, e 30 andej. Se sa efikasi është kjo të gjithë po e shohim. Sot Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj e kanë në dorën e tyre për ta ndërruar këtë standard artificial. E kanë në dorë mundësinë për t’ua përcjellë të gjitha grave të Kosovës mesazhin se ato nuk janë më vetëm përqindje, por që ato janë zgjidhje e parë e tyre. Kurse Vjosa nuk do ta meritonte këtë mundësi vetëm pse është grua. Por sepse është më e mirë për momentin sesa secili burrë tjetër në eksosistemin politik të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës me një veprim të tillë do ta justifikonte çdo ditë të ekzistencës së saj për këto 30 vjet. Partitë tjera nuk do të mund të kishin zgjidhje tjetër, përveçse ta ndjekin shembullin e tyre.