Edmond Haxhinasto inspektoi sot përfundimin e punimeve tek Mbikalimi i Trenit-Ura e Mesit në Shkodër. Ministri theksoi se kjo rrugë e rëndësishme lidh këtë pjesë me zonën e Thethit.
“Kjo rrugë ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e zonës, janë hapur shumë biznese”- deklaroi Haxhinasto.
Por ministri përfitoi për tu bërë apel qytetarëve të ruajnë sinjalistikën e rrugës, e cila është dëmtuar që në ditët e para të hapjes së këtij segmenti.
“Edhe pse është rrugë që ka vetëm 1 jave që është hapur, është dëmtuar sinjalistika. Reflektorët e rrugës janë shkulur dhe sinjalistika është dëmtuar. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm ta ruajnë sinjalistikën sepse është e rëndësishme për sigurinë”- deklaroi Haxhinasto. Ministri i Transportit bëri të ditur se ARRSH është duke përfunduar projektin për rrugën e Velipojës dhe po shikohet mundësia për investim. Haxhinasto tha se do të ketë ndërhyrje edhe në segmentin e Muriqanit. “Besojmë para sezonit turistik”- tha ai.
Aksi te Ura e Bardhajve prej 4 km që u inspektua këtë të shtune nga Ministri Haxhinasto është nyja lidhëse mes Shkodrës dhe Urës së Mesit apo Kalasë së Drishtit monumente të cilat në çdo kohë presin vizitorë nga e gjithë bota.