Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, për ndryshim të masës së sigurisë. Vendimi u mor nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila nuk pranoi argumentet e paraqitura nga mbrojtja e Berberit.
Ish-drejtori i ARRSH-së ndodhet në paraburgim që prej marsit të vitit 2024, pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera.
Sipas hetimeve të SPAK, Berberi, gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë dhe më pas ARRSH-në, i ka dhënë gjashtë tendera kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj. Më pas, sipas prokurorisë, fitimet transferoheshin te kompania “DAAM”, të cilën Berberi e zotëronte në mënyrë indirekte.
Pas përfitimit të këtyre tenderave, kompania “NET-GROUP” sh.p.k dyshohet se ka kaluar përmes transaksioneve financiare të ardhura drejt kompanisë “DAAM”. Vlera e përfituar nga këto transaksione llogaritet në rreth 223 milionë lekë, ose afro 2.2 milionë euro.
Për të njëjtën çështje, dy vite më parë u arrestuan edhe dy vartës të Berberit, ndërsa njëri prej tyre, Valter Begaj, vijon të mbahet në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e Evis Berberit me 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfiton ulje të dënimit me një të tretën, duke rrezikuar një dënim prej 6 vitesh burg për veprat penale “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera” dhe “pastrim produktesh të veprës penale”.
Berberi po gjykohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa procesi ndaj tij ndodhet ende në fazën e mbrojtjes. Ai ka ofruar edhe garanci pasurore për zbutjen e masës së sigurisë, por kërkesa nuk është pranuar.










