Në fillim dukej si aksident rrugor. Tani spekulimet për një akt terrorist po shtohen. A e ka shkaktuar shoferi i kamionit me origjinë nga Siria me dashje përplasjen kur e drejtoi kamionin kundër makinave të tjera?
Pas incidentit me një kamion në Limburg në Hessen, ka ende paqartësi në lidhje me motivin e shoferit. Burri i arrestuar të hënën në mbrëmje është një sirian, i cili qëndron në Gjermani që nga viti 2015 dhe të cilit i kanë dhënë një status ndihmës, d.m.th të kufizuar mbrojtjeje në vitin 2016. Këtë e bën të ditur Agjencia Gjermane e Shtypit (DPA), duke iu referuar qarqeve të sigurisë.
Burri hipi të hënën pasdite në Limburg në një kamion të vjedhur dhe goditi me të tetë vetura në qendër të qytetit. Sipas policisë, nëntë vetë u plagosën lehtë, përfshirë shoferin e kamionit.
Rasti ende nuk ka kaluar te Prokuroria Federale
Është ende shumë herët për të raportuar për gjendjen, tha Aleksandër Badle nga Prokuroria e Përgjithshëme Frankfurt mbi Main në mëngjes. Prokuroria po bën hetime për këtë çështje – në të gjitha drejtimet. Informacione të tjera do të njoftohen gjatë ditës.
Disa media raportojnë duke iu referuar autoriteteve të sigurisë se akti është klasifikuar si akt terrorist. Konfirmim për këtë nuk ka. Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Horst Seehofer e pyetën në kuadër të takimit të ministrave të brendshëm të BE-së në Luksemburg për çështjen, dhe ai tha: “Po bëhen hetime dhe nuk mund t’ju them për momentin se si do të kategorizohet ky akt”.
Prokuroria Federale që do të ishte kompetente në këtë rast deklaroi se aktualisht ajo nuk e sheh incidentin e kamionit në kompetencën e saj. Por një zëdhënës i autoriteteve të Karlsruhe tha më tej se ky rast po ndiqet me vëmendje për ngjarjet dhe Prokuroria është në kontakt të ngushtë me institucionet e ndjekjes penale në Hessen.
Sipas asaj që dihet deri tani, i arrestuari nuk kishte asnjë kontakt me salafistët militantë ose ekstremistët e tjerë. Siriani i lindur në 1987 thuhet se ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë. Po është e dukshme se e kishte vënë me forcë nën kontroll automjetin e aksidentit.
“Një burrë më tërhoqi zvarrë nga kamioni im”, citon gazeta “Frankfurter Neue Presse” shoferin e mirëfilltë. Kur priste para një drite të kuqe të semaforit, i huaji kishte hapur derën e shoferit të kamionit dhe e kish parë me sy të shqyer, tha shoferi. “Çfarë do prej meje?” e kishte pyetur ai burrin. “Por ai nuk tha asnjë fjalë. E pyeta përsëri, por ai më tërhoqi nga kamioni”, thuhet në informacionin e gazetës.
Mjekimi fillestar nga kalimtarët
Sipas gazetës, për sirianin që u plagos vetë në përplasje u kujdesën fillimisht kalimtarët. Gjatë kësaj kohe ai thuhet se ka thënë disa herë “Allah”, informon një reporter.
Ngjarja të kujton sulmin në dhjetor 2016 në Tregun e Krishtlindjeve në Breitscheidplatz të Berlinit. Tuniziani Anis Amri vrau 12 persona me një kamion. Më shumë se 60 vetë të tjerë u plagosën, shumë prej tyre rëndë./DW