Projekti është një prioritet i KE për energjinë
Në 5 vitet e ndërtimit të infrastrukturës së gazsjellësit TAP do të investohen 5.6 miliard euro, nga të cilat 2.3 miliardë euro shkojnë në Greqi. Kështu ka thënë për mediat greke Maros Sefcovic zëvendëspresidenti i Komisionit Europian për Energjinë. Sipas tij ndërtimi i gazsjellësit TAP do të ketë ndikim të madh si në rritjen e sigurisë së energjisë dhe konkurrencës ashtu edhe në krijimin e vendeve ë reja të punës dhe ndikimet në ekonomi.
Sipas tij është tepër e rëndësishme që Komisioni Europian dha miratimin për ndërtimin e gazsjellësit, si pjesë e rëndësishme e Korridorit Jugor të gazit. Tashmë ky projekt është ndër prioritetet e KE për energjinë, që synon të diversifikojë burimet dhe rrugët e furnizimit.
TAP do të bëjë transportin e 10 miliardë metër kub gaz nga Azerbajxhani në Europë. Ndërtimi i TAP nis në tremujorin e tretë të këtij viti. Planifikohet që sasia e parë e gazit nga Kaspiku për në BE të mund të mbërrijë në 2020-ën.