Futbolli shqiptar është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit të ri Fation Fatmir Bunjaku.
22-vjeçari, i cili kishte qenë pjesë e Kosovës U-21 dhe kishte luajtur për disa skuadra kosovare, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në aksin Prishtinë-Mitrovicë.
Lajmi i hidhur u bë i ditur nga faqja e fshatit Samadraxhë, e cila njoftoi ndarjen nga jeta të të riut.
“Njoftojmë me pikëllim se mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fation Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.
Bunjaku konsiderohej një nga futbollistët e talentuar të brezit të tij, ndërsa gjatë karrierës ishte aktiv në disa klube të futbollit kosovar ndërsa së fundmi luante për Elbasanin. Ai kishte veshur edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës U-21.
Ndarja e tij e parakohshme ka tronditur komunitetin sportiv në Shqipëri dhe Kosovë, me shumë mesazhe ngushëllimi që kanë vërshuar në rrjetet sociale nga klube, tifozë dhe figura të futbollit.
Familjes Bunjaku, të afërmve dhe miqve të tij u shprehen ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.
gijotina.com/








