Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, prokurori i Gjirokastrës, Emror Kasaj nuk justifikoi pasuritë e tij, si dhe ka kryer veprime fiktive, deklarime të rreme e kontradiktore me qëllim fshehjen e tyre. Në vlerësimin tërësor të problemeve për pasurinë dhe gjetjeve në kriterin profesional është konkluduar se Kasaj ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia.
Prokurori i Gjirokastrës, Emror Kasaj u shkarkua nga detyra më 9 maj 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi se ai kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, se kishte kryer veprime fiktive e deklarime të rreme, fshehje, si dhe ka rezultuar me balancë negative në vlerën totale 12.4 milionë lekë, ku pjesa më e madhe është konstatuar gjatë periudhës kur ai ushtronte detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore. Në vlerësimin tërësor të çështjes, duke përfshirë edhe gjetjet në kriterin profesional, KPK çmon se Kasaj ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Lidhur me figurën, DSIK ka dërguar fillimisht raport pozitiv, ndërsa në raportin e dytë është konstatuar papërshtatshmëria e subjektit për të vijuar detyrën për shkak të dyshimeve për përfshirje të tij në veprimtari korruptive. Por sipas KPK, të dhënat e referuara në raportin e DSIK-së nuk provojnë implikimin e subjektit të rivlerësimit në veprime të paligjshme. Për rrjedhojë, Kasaj është gjetur i përshtatshëm në këtë kriter.
Gjetjet në disa nga çështjet e analizuara për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën se si Kasaj ka performuar në raport me të drejtën dhe legjislacionin gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror. Bazuar në parimin e proporcionalitetit këto gjetje janë konsideruar të pamjaftueshme për të aplikuar veçmas penalizimin e subjektit, por në vlerësimin tërësor janë konsideruar se e zbehin dukshëm përmbushjen e detyrës së prokurorit, duke sjellë si pasojë cënimin e besimit të publikut te drejtësia.
Emror Kasaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Problemet për pasurinë
Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, deklarimet kontradiktore dhe të pavërteta lidhur me transaksionet në përfitimin e dy pronave, 1000 m2 tokë bujqësore në Tiranë dhe një godine 3-katëshe të gjendur aty, të pranuara edhe nga vetë prokurori Emror Kasaj, e kanë çuar Komisionin në konkluzionin se për këto pasuri është kryer deklarim i rremë në lidhje me vlerën reale dhe për burimin e krijimit.
Kasaj ka deklaruar blerjen e një sipërfaqe toke 1000 m2 në Tiranë në vitin 2013, për çmimin 5 milionë lekë në bashkëpronësi me shtetasin M.L. Po ashtu, ka deklaruar se mbi këtë sipërfaqe ndodhet një objekt në proces legalizimi, me vlerë 2.5 milionë lekë. Subjekti ka deklaruar se zotëron ½ pjesë takuese dhe si burim ka deklaruar kursimet e tij dhe të bashkëshortes në vite.
Sipas kontratës së shitblerjes të 25 korrikut 2010, prokurori Kasaj dhe shtetasi M.L. e kanë blerë këtë pasuri për shumën 5 milionë lekë, që është dorëzuar për llogari të palës shitëse në prani të noteres. Në kontratë përcaktohet se blerësit bëhen bashkëpronarë në ½ pjesë takuese.
Nga hetimi ka rezultuar se në dosjen ‘veting’, në ILDKPKI është depozituar një dokument “sqarim ankese” i vitit 2010 i nënshkruar prej prokurorit Emror Kasaj drejtuar ministrit të Drejtësisë së kohës, ku subjekti ka deklaruar se palës shitëse i janë likujduar në total 5 milionë lekë për tokën dhe 250 mijë euro për objektin.
Ndërkohë, një vendim i Gjykatës së Tiranës i vitit 2013 i verifikuar nga Komisioni, ka zbuluar se pala shitëse në cilësinë e paditësit në një proces ndaj blerësve me objekt konstatimin e pavlefshëm të kontratës së shitjes së tokës, ka deklaruar se ortaku i subjektit, shtetasi M.L. ka paguar vlerën 104 mijë euro.
Gjykata ka vendosur detyrimin e palës shitëse t’i kthejë palës së paditur, prokurorit Kasaj dhe Shtetasit M.L. vlerën 104 mijë euro për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së veprimit juridik në shitjen e pasurive tokë arë 1000 m2 dhe godinës me 3 kate.
Ndërsa në ankimin e këtij vendimi, prokurori Kasaj është shprehur se gjykata, pasi nuk ka konsideruar edhe vlerat 5 milionë lekë dhe 35 mijë euro të pagaura prej tyre për shlyerjen e detyrimeve financiare me qëllim heqjen e pasurisë tokë arë nga barra hipotekore vënë si garanci prej paditësit për shkak të kredive të marra prej tij.
Nga hetimi ka rezultuar se dhe ortaku i subjektit, shtetasi M.L. ka pranuar gjatë një emisioni se shuma e paguar është 300 mijë euro.
Në vijim, KPK konstaton se subjekti gjatë pyetësorëve ka deklaruar se vlera e këtyre pasurive nuk është 5 milionë lekë, por 300 mijë euro. Në përfundim të shpjegimeve të tij, Kasaj ka pretenduar se ai vetë nuk ka paguar asnjë vlerë për përfitimin e këtyre pasurive
“Subjekti pranon se çmimi total i pasurive (tokë arë me sip. 1000 m2 dhe ndërtesë 3- katëshe mbi të) është në vlerën 300,000 euro dhe deklaron se nuk e ka paguar pjesën e tij prej 150,000 euro edhe pse rezulton pronar i këtyre pasurive me ½ pjesë. Ky pohim i subjektit është jo vetëm deklarativ, por edhe i pabesueshëm, sepse edhe nëse Komisioni do të pranonte tezën e subjektit, mbetet i pashpjeguar bindshëm dhe pa logjikë ekonomike fakti i të qenurit pronar me ½ pjesë i një pasurie me vlerë të pranuar prej 300,000 euro, për të cilën pretendohet se nuk është paguar asnjë vlerë monetare prej tij,” argumenton Komisioni.
Po ashtu, është konsideruar jo bindës pretendimi i Kasajt se nuk janë të vërteta deklarimet e tij në dokumentin “sqarim ankese” drejtuar ministrit të Drejtësisë, ku ai shprehet se janë shlyer vlerat 5 milionë lekë dhe 250 mijë euro. “Pavarësisht se subjekti nuk ka qenë në detyrën e prokurorit, kjo sjellje konsiderohet si jo e përshtatshme dhe jo etike për publikun”, vlerëson trupa e KPK.
Komisioni ka rrëzuar një kërkesë të Kasajt për mospërfshirje në analizën financiare të shpenzimeve për blerjen e këtyre pasurive. “Pretendimi i subjektit se për këtë pasuri nuk ka paguar vlerë monetare nuk qëndron dhe bie në kundërshtim me deklarimin e bërë në deklaratën Vetting, ku subjekti deklaron vlerën 2,500,000 lekë, duke specifikuar si burim të kësaj shume kursimet familjare,” konstaton KPK dhe çmon se bazuar në kontratën e shitjes dhe në certifikatën e pronësisë vlera që duhet llogaritur në analizë është 2,5 milionë lekë, që përfaqëson pjesën takuese të subjektit.
Megjithëse prej analizës është shmangur shuma 150 mijë euro e deklaruar si vlerë e pjesës takuese në të dy pasuritë, prokurori Kasaj ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 10.2 milionë lekë për krijimin e këtyre pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve.
Bazuar në këto të dhëna, Komisioni vlerëson se prokurori Kasaj ka kryer deklarim të rremë në lidhje me vlerën reale dhe burimin e këtyre pasurive.
Po ashtu, veprimet dhe deklarimet e subjektit në kryerjen e transaksioneve, porceset gjyqësore, si dhe në komunikimet me institucionet shtetërore në përfitimin e këtyre pasurive, janë vlerësuar se kanë cënuar besimit të publikut tek drejtësia.
Komisioni konstaton se prokurori Kasaj ka kryer deklarime kontradiktore edhe lidhur me burimin e një huaje në shumën 50 mijë euro dhënë bashkëpronarit në tokën 1000 m2 dhe ndërtesën me tre kate në Tiranë, shtetasit M.L.
Në deklaratën e vitit 2015 dhe në atë “veting”, subjekti ka deklaruar se burim për shumën 50 mijë euro ka qenë një hua e marrë nga vjehrra në vitin 2014, po në atë vlerë. Ndërsa gjatë hetimit administrativ ka ndryshuar qëndrim duke pretenduar se burim ishte huaja 140 mijë euro që kishte marrë nga shoqëria ndërtuese me të cilën kishin rënë dakort të zhvillonte parcelën e tokës.
KPK konkludon se subjekti nuk arriti të provojë asnjëherë gjatë hetimit marrdhënien e huamarrjes 140 mijë euro nga shoqëria ndërtuese. Deklarimet kontradiktore të subjektit cilësohen prej Komisionit si “sjellje jo të përshtatshme të një prokurori”.
Hetimi për huadhënien nga vjehrra në shumën 50 mijë euro, ka ngritur dyshime për fshehje në emër të saj të një vlere të konsiderueshme monetare. Si burim për huanë, Kasaj ka deklaruar një shumë 73 mijë euro, sipas tij të disponuar nga vjehrra.
Nga hetimi i kryer ka rezultuar se në vitin 2011, vjehrra e Kasajt ka depozituar cash në llogarinë e saj shumën 73 mijë euro, me përshkrim “të ardhura, kursime familjare”. Të gjitha veprimet e kësaj llogarie rezulton të jenë kryer nga bashkëshortja e subjektit, e cila është e autorizuar nga nëna e saj për kryerjen e veprimeve vetëm për këtë llogari. Ndërkohë, vjehrra ka disponuar edhe llogari të tjera bankare për të cilat i kryente vetë veprimet.
Në vijim, ka rezultuar se paratë nuk janë kaluar nga vjehrra tek subjekti, por prej bashkëshortes së këtij të fundit janë tërhequr cash nga llogaria e nënës dhe janë depozituar në llogari në emrin e saj. Më pas janë tërhequr në vitin 2014.
KPK vëren se Kasaj nuk arriti të provojë mundësinë financiare të prindërve të bashkëshortes për të krijuar shumën 73 mijë euro, të supozuara prej tij si burim për dhënien e huasë shtetasit M.L..
Bazuar në këto rezultate, Komisioni konkludon se shuma 73 mijë euro është pasuri e fshehur e prokurorit Kasaj dhe bashkëshortes së tij.
“Subjekti i rivlerësimit me veprimet e tij, deklarimet kontradiktore, përfshirjen e personave të tretë për fshehjen e kësaj pasurie, shfaq elementë të një sjellje jo etike dhe jo të përshtatshme të një magjistrati, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia,” citohet në vendim.
Cënim i besimit të publikut dhe dyshime për fshehje pasurie janë konstatuar edhe për një automjet, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka pasur në bashkëpronësi me një shtetas që ishte i afërm i bashkëshortit të tezes, i cili jetonte në Angli.
Nga hetimi ka rezultuar se e gjithë vlera e shitjes së kësaj pasurie të luajtshme në shumën 4000 euro është përfituar nga subjekti, megjithëse nuk ka ndonjë akt dhurimi të bashkëpronarit tjetër, si dhe nuk është vërtetuar që Kasaj të ketë paguar për blerjen e makinës në Angli, përveç tarifës për zhdoganimin.
Për shkak se gjithë vlera ishte përfituar prej subjektit, si dhe bazuar në faktin se pas shitjes së makinës ka humbur çdo kontakt me bashkëpronarin, trupa e KPK ngre dyshime se Kasaj ka pasur si qëllim fshehjen e pronësisë reale të këtij mjeti.
KPK konkludon se Kasaj ka kryer deklarim të pasaktë për vlerën e një banese dykatëshe me sipërfaqe 185.8 m2 me sipërfaqe trualli 500 m2 në Tiranë, si dhe nuk ka arritur të provojë burimin e ligjshëm që ka shërbyer për krijimin e kësaj pasurie – të ardhurat e pretenduara se janë përfituar nga puna e të atit në emigracion.
Kasaj ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për dhënien e një huaje 4300 euro shtetasit A.Sh., në vitin 2014 dhe për blerjen e një motoçiklete po atë vit për shumën 300 mijë lekë.
Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në vlerën totale prej 12,4 milionë lekë, ku vetëm 57 mijë lekë kanë rezultuar gjatë ushtrimit të detyrës si prokuror, ndërsa pjesa tjetër rreth 12.3 milionë lekë kur ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe para se të ushtronte këtë funksion./BIRN/