Hera e parë në një ndeshje të vlefshme për Botërorin,Francë-Marok mund të cilësohet si duel vëlla vrasës. Për shumë afrikanë të lindur në Francë, zgjedhja për të bërë tifo ngjason me pyetjen e rëndomtë që u bëhet fëmijëve për të zgjedhur se kë duan më shumë nga prindërit.
Francë – Marok vlen më shumë se një biletë për në finalen e Kupës së Botës. Në këtë ndeshje ndërthuret një histori e ngjashme kolonializimi, por edhe partneritet e bashkëpunime.
Dy vëllezër që do të përballen në këtë takim janë Kilien Mbape edhe Ashraf Hakimi. Ata nuk ndalen së postuari me njëri tjetrin e për njëri tjetrin. Nesër fituesi i këtij dueli mund të jetë një vlerë e shtuar për fatin e skuadrës respektive.
SFIDË ZEMRE
Për Ualid Regrguin do të jetë ndeshja më e rëndësishme e karrierës. Ekipi të cilin përfaqëson kundër kombit ku u rrit si sportist dhe si njeri. Fat identik me atë të asistentit Gharib Amzine. Edhe Sofian Bufal sfidon kulturën e vendit ku lindi.
Nuk flet mirë arabishten, e megjithatë ka zgjedhur Marokun e origjinës. Këta janë pjesë e 1.5 milionë marokenëve që jetojnë në Francë, teksa gjysma e asaj shifre ka pasaportë të të dyja vendeve. Zgjedhja nuk është e lehtë, por kultura bën diferencën. Sidoqoftë, nuk ka vetëm njerëz nga Maroku që janë të lidhur me Francën.