Martinj tha se diskutimet me autoritet shqiptare u fokusuan tek pikat e dobëta dhe tek rrisqet që kërcënojnë rritjen ekonomike të vendit. Ai tha se perspektiva ekonomike e Shqipërisë është e favorshme, por këtë vit do të jetë më e moderuar. Ekonomia më 2019 do të rritet vetëm 3.5 % dhe në periudhën afatmesme me rreth 4%.
Deficiti fiskal ka rënë, por këtë pritet të arrijë në 2,5 %. Deficiti do të rritet nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura, por edhe nga dobësitë në të ardhura, tha shefi i FMN-së.
Borxhi publik më 2018 ishte 69.9 për qind duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura, por pritet ulje këtë vit. Qeveria raportoi se borxhi i Shqipërisë ishte 67.1% në fund të vitit 2018. Qeveria nuk përfshin detyrimet e prapambetura në përllogaritjen e borxhit ndërsa Fondi i përfshin.
Përfaqësuesi i FMN-së vuri në dukje se, politika fiskale ka shumë pak hapësire për të mbuluar detyrimet e prapambetura dhe detyrimet që lindin nga PPP-të.
Në rekomandojmë uljen e rreziqeve fiskale. Specifikisht në mendojmë se korrigjimet duhet të vijnë nga të ardhurat fiskale, pasi shpenzimet nuk mund të ulen më tej.
Ai tha se nevojitet veprim i menjëhershëm për uljen e detyrimeve të prapambetura, dhe për rimbursimin në kohë të TVSH-së. Stoku duhet të shlyhet sa më shpejt të jetë i mundur, tha Martinj.
Ai tha se duhet përmirësohet administrimi i borxhit dhe rekomandoi rikthimin e emetimit të bonove afatshkurtra 3 dhe 6 mujore. FMN sugjeroi se duhet nxitur reforma për krijimin e një tregu likuid të brendshëm.
Ai tha se nxit autoritetet të ulin rreziqet nga kontrata koncensionare PPP nëpërmjet ndryshimeve të fundit ligjore dhe të pezullojnë propozimet e pakërkuara.
Kufizimi i rreziqeve fiskale kërkon përmirësim të administrimit të kompanive energjetikë dhe autoritetet duhen të cojnë më tej reformat në sektorin e energjitikës, tha përfaqësuesi i Fondit
Nevojiten masa të mëtejshme për të reduktuar rrisqet që vijnë nga sistemi financiar, duke zbatuar kuadrin ligjor mbi falimentin.
Ministria e Financave Anila Denaj tha se qeveria është duke bërë hapa para për të minimizuar rrezikun që vijnë nga kontratat PPP në përputhje me kornizën afatmesme.
Gjithashtu ajo tha se po monitorohen ndërmarrjet shtetërorë dhe se këtë vit do të shlyehen të gjitha detyrimet e prapambetura
Ajo tha se synohet një proces i gjere konsultimi të gjërë për paketën fiskale ku përfshihet edhe asistenca e FMN. Do të synojmë përmirësim të mëtejshëm mbi analizën e rriskut, tha Denaj.
Guvernatori i Bankë së Shqipërisë Genti Sejko tha se ekuilibrat makroekonomikë të ekonomisë shqiptare janë përmirësuar. Rritja e pagave dhe e punësimit ka ndikuar në rritjen e inflacionit, por kërkesa është ende e pamjaftueshme për rritjen e inflacionit në objektiv. Likuiditeti në sektorin bankar është i bollshëm, interesat e kredive janë të ulta dhe kursi i këmbimit është iu qëndrueshëm, tha Sejko. Kreditë me probleme janë në trend rënës. Konsolidimi i sistemit bankar do të ndihmojë kreditimin.
Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2018 kemi forcuar stimulin monetar dhe kemi zbutur luhatjet në tregun valutor. Perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive, duke nxitur rritjen e punësimit dhe të pagave.
Balanca e rreziqeve është në kahun e poshtëm. Tensionet politike në vendit dhe zhvillimet në sektorin e jashtëm rrisin rreziqet. Reformat strukturore duhet të jene ambicioze, largpamëse dhe gjithëpërfshirëse. Banka do të jetë e angazhuar në agjendën e zhvillimit.
Deklarata e plotë përmbyllëse e ekipit të Misionit të Dytë të Monitorimit Pas Programit
Deklarata përmbyllëse përshkruan konstatimet paraprake të ekipit të FMN-së pas vizitës në vend. Pikëpamjet e shprehura në këtë deklaratë janë të punonjësve të FMN-së dhe nuk përfaqësojnë medoemos pikëpamjet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Mbështetur në konstatimet paraprake të këtij misioni, stafi do të përgatisë një raport i cili, në varësi të aprovimit nga instancat drejtuese, do t’i paraqitet Bordit Ekzekutiv të FMN-së për diskutim dhe vendimmarrje.
Perspektiva ekonomike afatmesme e Shqipërisë është përgjithësisht e favorshme, edhe pse rritja pritet të jetë e moderuar në vitin 2019. Ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta. Risqet më kryesore vijnë nga borxhi i lartë publik, nga dobësitë në financat publike dhe nga pengesat për ndërmjetësimin financiar. Ndër prioritetet për politikat përfshihen konsolidimi i mëtejshëm fiskal nëpërmjet politikave tatimore të hartuara mirë, administrimi më i mirë i investimeve publike dhe masa të kujdesshme në mbështetje të kredive për investimet e sektorit privat.
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zotit Jan Kees Martijn, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 25 prill-6 maj 2019, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të dytë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së është instrument mbikëqyrjeje të rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës. Misionet e MPP-së kanë fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet për aftësinë ripaguese
kundrejt FMN-së. Në përfundim të vizitës, misioni doli me këtë deklaratë:
Risqet ndaj aftësisë së Shqipërisë për ta shlyer kredinë duken të kufizuara. Megjithëse nevojat për financim bruto janë mjaft të larta për shkak të afatit të maturimit relativisht të shkurtër të borxhit publik, shërbimi i borxhit, përfshirë edhe borxhin e FMN-së, pritet të mbetet brenda aftësisë së Shqipërisë për ta shlyer. Kredia për t’u shlyer ndaj FMN-së qe sa 2,8 për qind e PBB-së në fund të vitit 2018. Edhe historiku i mirë në shlyerje të kredive dhe
stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë sugjerojnë se risqet e shlyerjes janë të kufizuara.
Perspektiva ekonomike është përgjithësisht e favorshme. Rritja pritet të moderohet në 2019, por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme. Këtë vit, rritja parashikohet të ngadalësohet në 3,5 për qind, për shkak të efektit bazë të prodhimit rekord të energjisë elektrike në vitin 2018 dhe ngadalësimit në vendet partnere. Në periudhën afatmesme, veprimtaria pritet të nxitet nga një përshpejtim i rritjes në BE, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, fuqizimi gradual i eksporteve përfshirë turizmin dhe investimet e nevojshme për ta mbyllur hendekun e madh infrastrukturor në Shqipëri. Megjithatë, zhvillimi i qëndrueshëm varet edhe nga përmirësimet në qeverisjen ekonomike, përfshirë në fushën e shtetit ligjor dhe në luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë që inflacioni mbetet ndjeshëm nën objektivin prej 3 për qind, politika monetare duhet të vijojë të jetë shumë akomoduese.
Pritet që inflacioni të konvergojë ngadalë drejt objektivit të vendosur, me ngushtimin e hendekut të prodhimit dhe rimëkëmbjen e inflacionit të Eurozonës.
Por ka risqe të rëndësishme që anojnë për nga ana rënëse. Shqipëria është ndjeshëm e ekspozuar ndaj risqeve në rritje në BE, sidomos në partnerët e saj kryesorë tregtarë. Në frontin e brendshëm dobësitë janë kryesisht në sektorin publik. Ndëkohë që deficiti fiskal ka rënë gjatë vitit 2018, ai parashikohet që ai të rritet në 2.5 për qind të PBB-së në vitin 2019 (përfshirë dorëzanitë për kreditë e reja për sektorin energjetik prej 0.4 për qind e PBB-së). Ky
zgjerim nxitet pjesërisht nga shlyerja e planifikuar e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, çka në vetvete është diçka e mirëpritur.
Por kjo rritje e deficitit vjen edhe nga masat tatimore të fundit që e zvogëlojnë bazën tatimore, e cila edhe më parë ka qenë e ngushtë, dhe që
parashikojnë trajtim preferencial për të tjerë sektorë shtesë, përfshirë këtu uljen e shkallës së TVSH-së dhe shkallës së tatimit mbi fitimin. Për më tepër, ekzistojnë risqet e mosrealizimit të mëtejshëm të planit të të ardhurave dhe humbjeve të pritshme në sektorin energjetik për shkak të rënies së prodhimit nga hidrocentralet. Pavarësisht nga rënia gjatë viteve të fundit, borxhi publik vazhdon të jetë i lartë, në rreth 69.9 për qind të PBB-së (përfshirë detyrimet e
prapambetura) në fund të 2018 dhe parashikohet të zbresë në 66.3 për qind në fund të këtij viti.
Në nivelin aktual të borxhit publik dhe të deficitit, politika fiskale ka shumë pak hapësirë për të përballuar apo kompensuar tronditje negative. Gjithashtu, risqet fiskale janë rritur edhe nga rritja e detyrimeve të kushtëzuara, siç janë ato që lidhen me partneritetet publike-private (PPP).
Duke u mbështetur në reformat e fundit për forcimin e menaxhimit të riskut dhe administrimit tatimor, ne rekomandojmë kufizimin e risqeve fiskale dhe krijimin e amortizuesve fiskalë që kërkon konsolidim të mëtejshëm fiskal nëpërmjet përpjekjeve të qëndrueshme në anën e të ardhurave dhe fuqizimit të institucioneve buxhetore. Konkretisht,
• I nxisim autoritetet ta shfrytëzojnë mjedisin e favorshëm ekonomik për ta përmirësuar pozicionin fiskal nëpërmjet fuqizimit të bazës së të ardhurave
fiskale. Në veçanti, një korrigjim fiskal me efekte në gjysmën e parë të periudhës, për ta çuar suficitin primar në 1,5 për qind të PBB-së deri në vitin 2021, do të ndihmonte në ngritjen e amortizuesve fiskalë dhe do të siguronte konvergjencë më të shpejtë të borxhit drejt objektivit prej 45 për qind të përcaktuar me Ligjin organik të buxhetit.
Ky korrigjim do të duhej të arrihej nëpërmjet rritjes së të ardhurave fiskale, sepse nevojat e mëdha që ka Shqipëria për infrastrukturë dhe zhvillim njerëzor nuk lejojnë shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve. Rekomandojmë fuqizimin e sistemit tatimor nëpërmjet anulimit të masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore dhe nëpërmjet nivelimit të fushës së lojës për bizneset. Në këtë kuadër, e mirëpresim synimin e autoriteteve për të hartuar një strategji afatmesme për të ardhurat buxhetore, e cila do të mbulonte politikën tatimore dhe administrimin tatimor. Kjo qasje do të ndihmonte në arritjen e konsensusit për planin e të ardhurave dhe për një paketë të gjithanshme masash tatimore për arritjen e tij.
• Nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. Këto detyrime të prapambetura e cenojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri. I nxisim autoritetet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSHje, duke i mos i
lidhur rimbursimet me me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore. Ne mirëpresim planet e autoriteteve për të shlyer stokun e prapambetur të rimbursimit të TVSH-së sa më shpejt të jetë e mundur (dhe për pjesën më të madhe brenda vitit 2019).
E rëndësishme është edhe marrja e masave të shpejta për të fuqizuar sistemin e kontrollit mbi angazhimet për projektet e investimeve, për t’u dhënë fund detyrimeve të prapambetura të qeverisë, në veçanti në fondin e rrugëve.
• Të përmirësohet administrimi i borxhit, përfshirë edhe nëpërmjet rifillimit të emetimit të bonove afatshkurtra të thesarit (tremujore dhe gjashtëmujore). Kjo do të ishte në përputhje me strategjinë e emetimit të borxhit, e hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Edhe pse autoritetet kanë arritur progres të vyer sa i takon zgjatjes së afatit të maturimit të borxhit publik, kjo nuk ka përse të pengojë emetimin e instrumenteve afatshkurtra. Këto instrumente janë të domosdoshme për administrimin me kosto më të ulët të likuiditetit nga ana e thesarit si edhe nga bankat e nivelit të dytë, për zhvillimin e tregjeve dytësore dhe mbrojtëse – të cilat shfrytëzojnë çmimet e segmenteve të ndryshme të kurbës së yield-it – dhe për lehtësimin e administrimit të likuiditetit të BSH-së. Po kështu, megjithëse mbështetja në rritje te emetimet e Eurobondit mund të duket e dobishme në kohëra të favorshme, prioritet duhet të përbëjë ngritja e një tregu të fuqishëm dhe likuid të borxhit të brendshëm, duke qenë se ndihmon në mobilizimin e kursimeve të brendshme dhe i ul
risqet e monedhës dhe të rifinancimit të borxhit. Në këtë kuadër, me rëndësi kritike është fuqizimi i kapacitetit të MFE-së për administrim të borxhit dhe sigurimi i një bashkërendimi të mirë me BSH-në.
• I nxisim autoritetet t’i përdorin ndryshimet e fundit në ligjin për PPP-të për t’i kufizuar risqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike. Kjo ka rëndësi për mbrojtjen e financave publike dhe për sigurimin e maksimizimit të vlerës. I mirëpresim shtesat dhe ndryshimet që synojnë përmirësimin e administrimit të risqeve të PPP-ve. Me marrjen përsipër të një roli të ri nga ana e MFE-së si filtër për PPP-të, duhet siguruar që kjo ministri të ketë kapacitetin për të vlerësuar risqet dhe kostot e këtyre projekteve, sidomos në fazën përpara studimit të leverdishmërisë. Në këtë kuadër, Ministria duhet të ketë të drejtën e marrjes së informacionit mbi të gjitha të dhënat kontraktore që kanë ministritë e linjës (përfshirë edhe për projektet ekzistuese). Gjithashtu, efektivitetin e kostos do ta rriste shumë eliminimi i fragmentimit të vendimmarrjes në menaxhimin e investimeve publike. Vijojmë t’i nxisim autoritetet që të ndalojnë përdorimin e propozimeve të pakërkuara për të gjitha
PPP-të.
• I këshillojmë fuqimisht autoritetet të rishikojnë propozimet e fundit për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), për të shmangur risqet ndaj buxhetit dhe ndaj integritetit të kuadrit të administrimit të investimeve publike. Ky projektligj do t’i jepte mundësi qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin KISH-në në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit, çka rrezikon ta ulë disiplinën fiskale dhe t’i anashkalojë proceset e administrimit të investimeve publike. Përkundrazi, ky kuadër do të duhej të siguronte që KISH të ushtronte aktivitet në baza komerciale dhe si një subjekt i palidhur me qeverinë. Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e KISH-së në vendimet operative dhe në përzgjedhjen e projekteve individuale të investimeve. KISH duhet gjithashtu të jetë objekt i Ligjit “Për prokurimin publik”.
• Kufizimi i risqeve fiskale kërkon përmirësim të ecurisë në sektorin energjetik, i cili është financiarisht i dobët dhe është i prekur nga detyrime të prapambetura endemike. Varësia e këtij sektori nga reshjet e përkeqëson dobësinë e tij financiare dhe krijon risqe për buxhetin e shtetit (përfshirë edhe këtë vit). I nxisim autoritetet të zbatojnë planin e ristrukturimit për sektorin, të përgatitur me këshillat e Bankës Botërore, për ta vënë këtë sektor mbi baza të qëndrueshme financiare.
Nevojiten edhe masa të mëtejshme për t’i kufizuar risqet që vijnë nga sektori financiar Sektori bankar është drejt përfundimit të procesit të konsolidimit dhe është kapitalizuar dhe likuid. I mirëpresim masat e vazhdueshme që ka marrë Banka e Shqipërisë për të fuqizuar kuadrin rregullator dhe mbikëqyrës dhe për të vënë në zbatim standardet e Bazelit, ndërkohë që po bëhen ndryshime në pronësinë e bankave, dhe për të vazhduar p pastrimin e bilanceve të bankave për të ulur nivelin e kredive nën standard.
Por dobësitë strukturore në mjedisin e kreditimit e kanë cënuar klimën e biznesit (sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme NVM-të) dhe e
pengojnë transmetimin e politikës monetare. Zhbllokimi i rritjes së kreditimit do të kërkonte një zgjidhje përfundimtare të ngërçit me përmbaruesit, zbatimin e plotë të kuadrit të falimentimit dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe masa të qeverisë për të mbështetur deeuroizimin e mëtejshëm.
Banka e Shqipërisë ka qenë shumë aktive në fuqizimin e instrumenteve të saj mbikëqyrëse dhe makroprudenciale. Lidhur me këto të fundit, BSH i ka harmonizuar më tej rregullat e saj me standardet ndërkombëtare, përfshirë rezervat e kapitalit dhe zhvillimin e një sërë treguesish makroprudencialë. BSH ka vënë në zbatim inspektim dhe mbikëqyrje më intensive, si në vend ashtu edhe nga zyra, për bankat me aksionarë të rinj. Por, bankat e tjera, përfshirë edhe ato me rëndësi për sistemin, inspektohen në vend vetëm një herë në dy vjet. I këshillojmë Bankës së Shqipërisë ta rrisë shpeshtësinë e inspektimeve në një herë në vit për të rritur mundësitë për të identifikuar në kohën e duhur risqet që rrjedhin nga ekspozimet e mëdha dhe nga kreditimi i palëve të lidhura.
I nxisim autoritetet të vazhdojnë reformat në përgjigje të dobësive në kuadrin e parandalimit të pastrimit të parave/luftës kundër financimit të terrorizmit, nëpërmjet zbatimit pa vonesë të planeve të veprimit për të trajtuar mangësitë e identifikuara në raportin e vlerësimit të Moneyval.
/monitor.al/