Mjekët e Spitalit Rajonal të Fierit kanë ndërprerë këtë të hënë punën, në shenjë proteste ndaj arrestimit të kolegëve të tyre në Tiranë, për vdekjen e 35-vjeçares Aida Çakju dhe foshnjës së saj.
Për rreth 30 minuta, mjekët janë grumbulluar përpara hyrjes së spitalit, ku në heshtje kanë shprehur solidaritetin me mjekët e ndaluar nga policia kryeqytetase.
“Ata nuk mund të ndalohen kështu. Ata duhet të gjykohen dhe nëse dalin fajtorë të dënohen”, ka deklaruar Besnik Brahimaj, kryetar i Urdhërit të Mjekut në Fier.
Ai ka shtuar nga ana tjetër, se nuk janë të pakta edhe rastet kur bluzat e bardha janë dhunuar në krye të detyrës. Në përfundim të protestës, mjekët i janë kthyer punës në spitalin rajonal.
Një nismë të ngjashme kanë ndërmarrë edhe mjekët e Vlorës, të cilat janë mbledhur para godinës së spitalit për 30 minuta po ashtu në heshtje.
/ Top Channel