Nga Enkel Demi
Babai im, kur erdhi nga Çamëria ishte veç 4 vjeç, nëna ime 1 vjeç. Gjyshërit e mi ishin luftëtarë të rezistencës. Njazi dhe Kasem Demi, dy vëllezërit e gjyshit tim ishin drejtues politikë të batalionit “Çamëria”. Musa Demi, firmëtar i pavarësisë së Shqipërisë e ktheu konakun e tij në qendër politike dhe ushatarake të rezistencës ndaj nazifashistëve. I biri i Musait, Petriti ishte luftëtar antifashist në trupat e ELLAS.
Kjo është me pak radhë historia e bashkëpunimit me pushtuesit e derës nga rrjedh vetë. Është një histori e ngjashme me shtëpinë e Idrizëve, Muhedinëve, Rakipëve, Mamove dhe e tërë shtëpive të çamëve.
Pikërisht, atyre u referohet profesori i sociologjisë, Nikos Kotzias, tek tha që ka çamë që bashkëpunuan, por që i lamë të shkojnë pa i prekur me dorë. Babai im humbi gjatë eksodit një motër, nëna ime një vëlla, fëmijë dhe ata, ndërsa nuk gjen shtëpi çamësh që mos të ketë një të therrur, të pushkatuar a të vdekur gjatë atij udhëtimi, ku shumë foshnje, pleq e plaka lanë jetët, qoftë dhe për një pikë ujë.
27 qershor 1944 është një datë drithëruese, e cila mund të krahasohet vetëm me masakrat e mëdha të historisë njerëzore si ajo e Tivarit.
Pas kaq vjetësh, kur shumë nga padrejtësitë e historisë u zgjidhën në paqe si ajo e Capodistria mes Italisë e Sllovenisë apo e sudetëve mes Çekisë dhe Gjermanisë, këtu mbetemi tek akuzat e bashkëpunimit e tek ngulmimi i një të paqene, e cila është tëpkë si vullneti për t’i thënë të bardhës të zezë. Por, nga kush bëhen së fundmi këto akuza? Nga Nikos Kotzias, për të cilin pretendohet se ka për gjysh Kostandinin, një njeri i besuar dhe intim i Joseph Goebbels, ministri hitlerian i Propagandës. Uroj me gjithë zemër që diplomati grek, i konvertuar në komunist të mos e ketë kurrfarë gjëje Kostandinin, por jam i bindur se si profesor i shkencave sociale Propagandën e njeh më së miri dhe është duke e aplikuar pikërisht me metodat e Goebbels. Njësoj si u ngrit miti i hebreut të poshtër që duhej vrarë e djegur, po thurret miti i çamit nazist. Ky komunitet, por të gjithë shqiptarët në këtë rast kanë rënë pre e fashizmit të fqinjëve. Duhet të kuptojmë pikërisht këtë. Rezistenca ndaj këtij lloj fashizmi është po aq e vyer sa rezistenca që bënë të parët tanë ndaj pushtuesëve. Është e njëjta histori që përsëritet, nisi me gjyshin tim, vazhdoi me babën tim, me mua dhe po shkon tek im bir. Kjo është luftë, madje që ka ende një Ligj gjallë e të shëndetshëm.