Vendimi pas analizës së projektit të Rrugës së Arbërit
Exim Bank e Kinës, banka që përfaqëson Qeverinë Kineze e ka vendosur Shqipërinë në listën e zezë dhe për një periudhë katër vjeçare nuk do të vlerësojnë asnjë projekt financimi për vendin tonë. Lajmin e ka konfirmuar Geri Selenica, drejtues i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike dhe njëkohësisht konsulent për investimet kineze në Shqipëri. Sipas tij vendimi “erdhi sepse pas vlerësimeve të analistëve të Exim Bank ku rezultoi që projekti i “Rrugës së Arbrit” qe një projekt i keq, madje tejet korruptiv”. Nga dështimi i këtij projekti por edhe nga mosvlerësimi i disa propozimeve serioze kineze, kjo bankë nuk do të financojë asnjë projekt për Shqipërinë katër vitet e fundit”.
Selenica tha se vendimi u është komunikuar para dy javësh disa kompanive kineze që kishin aplikuar për kredi për financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri.
Ndërkohë që banka kineze e ka ndërmarrë këtë vendim, kompani të mëdha kineze janë në negociata për të blerë biznese në Shqipëri. Kështu të paktën dy nga sipërmarrjet më të mëdha të vendit, kompania e nxjerrjes së naftës Bankers si edhe koncesioni i Aeroportit të Rinasit janë shumë afër shitjes tek kinezët. Kjo është e konfirmuar edhe nga autoritetet shtetërore të vendit. Por megjithatë ajo që bie në sy është se shumë biznese po e shohin me dyshim zhvillimin e aktivitetit sa për shkak të krizës ashtu edhe për shkak të situatës së brendshme. Për këto arsye Shqipëria në tre vitet e fundit jo vetëm që nuk ka arritur të përfshijë në tregjet e saj asnjë investitor të huaj serioz, por edhe ata që janë po largohen ose duke shitur biznesin ose duke e mbyllur aktivitetin si në rastet e Kurum dhe Beralb.