Euralius mirëpret miratimin e ligjit të Vettingut nga seancën e djeshme parlamentare.
Misioni i BE-së sqaron hapat e mëtejshëm pas miratimit të këtij ligji, duke theksuar se me zbatimin e vettingut do të fillojë një proçes vlerësimi për gjyqtarët dhe prokurorët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, këshilltarët ligjor pranë gjykatës Kushtetuese dhe gjykatës së Lartë si dhe ndihmësit ligjor pranë gjykatave administrative dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Deklarata e plotë:
Më 31.08.2016 Parlamenti Shqiptar miratoi me anë të një shumice të kualifikuar ligjin për “Vlerësimin e përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë” në një seancë të jashtëzakonshme Parlamentare. Euralius mirëpret miratimin e këtij legjislacioni shumë të rëndësishëm, në zbatim të ndryshimeve Kushtetuese të miratuara më 22.07.2016.
Me zbatimin e këtij ligji, do të fillojë një proces vlerësimi për gjyqtarët dhe prokurorët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, këshilltarët ligjor pranë gjykatës Kushtetuese dhe gjykatës së Lartë si dhe ndihmësit ligjor pranë gjykatave administrative dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Procesi i vlerësimit do të bazohet në kontrollin e pasurive (pasuritë dhe burimi i tyre), kontrolli i figurës (lidhja më krimin dhe të inkriminuarit), dhe profesionalizmi i gjyqtarëve dhe prokuroreve (aftësitë profesionale). Ky ligj hap rrugën drejt rritjes së besimit të qytetarëve në drejtësi. Euralius u përfaqësua nga Drejtuesi i Projektit në seancën parlamentare dedikuar votimit të ligjit për “Vetting”.