Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) ka hasur një problem të pazakontë. Këtë të shtunë ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetin social Twitter se kanë bllokuar shumë përdorues pas tërmetit që goditi Bosnjën, një natë më parë, për një arsye të çuditshme. Sipas EMSC, një vendim i tillë është marrë për shkak të postimeve të shumta fyese, fyerjeve politike dhe parashikimeve të rreme të tërmeteve që përdoruesit e aplikacionit linin në faqe.
“Kemi bllokuar sërish shumë profile orët e fundit. E përsërisim: Mos e përdorni aplikacionin për pretendime për parashikimin e tërmeteve sepse një gjë e tillë është e pamundur, mos shkruani komente politike dhe ofenduese përndryshe do të bllokoheni. Faleminderit.”
Ndërsa në një tjetër postim në rrjetet e tyre sociale, sqarohet gjithashtu se përdoruesit kishin nisur të parashikonin tërmetet, edhe pse kjo është e pamundur, por rastësia dukej se i bënte të tillë.
“Me siguri do të dëgjoni disa njerëz të shpjegojnë se e kishin parashikuar këtë tërmet. Qëndroni larg tyre, ata ose janë sharlatanë ose po mashtrojnë për të rritur më tej ankthin tek popullata. Fatkeqësisht, shkenca ende nuk mund të parashikojë tërmetet.”
Mbrëmjen e kaluar, Ballkani u trondit nga një tërmet i fuqishëm 6 ballë, me epiqendër në Bosnjë, por që u ndje edhe në shtete të tjera, mes tyre edhe në Shqipëri. Në Bosnjë, atje ku ishte dhe epiqendra e tërmetit, si pasojë e lëkundjeve një vajzë humbi jetën.