Presidenti dhe trajneri i Juventusit, siç është nënvizuar nga të dyja palët, do të kenë një ballafaqim në ditët në vazhdim (nuk ka një datë të paracaktuar) për të analizuar, vlerësuar dhe marrë një vendim për ndryshimet e së ardhmes, të paktën për sezonin e ardhshëm, ku do të synohet Champions-i me çdo kusht.
Por e gjithë kjo garanci që u bë publike në media qoftë nga Anjeli apo Alegri pas eliminimit përballë Ajaksit për të vazhduar së bashku, sigurisht që nuk ka asgjë të sigurt. Përkundrazi, media torineze flet se ndoshta mund të ndodhë edhe një surprizë e madhe, pasi “Konti Maks”, përveç Ramsejt që tashmë ka firmosur, do të kërkojë edhe një blerje të madhe, me shumë mundësi një organizator të mirëfilltë, pasi Pjaniç nuk i plotëson kërkesat e trajnerit.
Por nëse kjo gjë do t’i mohohet nga Andrea Anjeli, ndoshta të dyja palët mund të shkojnë edhe në një divorc të parakohshëm, pavarësisht kontratës deri në vitin 2020 me Alegrin. Gjithsesi, në Torino nuk tremben nga një largim i mundshëm, sepse, nëse Antonio Konte vazhdon të mos ketë firmosur ende asnjë kontratë me ndonjë skuadër tjetër, mbetet gjithsesi një alternativë, por emri surprizë që ka nisur të qarkullojë në orët e fundit si post-Alegri, është ai i Sinisha Mihajloviç.
Pikërisht kështu, sepse trajneri serb pëlqehet shumë nga zëvendëspresidenti Pavel Nedved, sidomos për karakterin e fortë që trajneri aktual i Bolonjës ka. Gjithashtu, edhe puna e mirë që ai ka bërë me kuqeblutë në këto muaj të fundit, të cilët i nxori menjëherë nga zona e nxehtë dhe po shkon drejt një mbijetese të sigurt, është një tjetër garanci që Mihajloviç të marrë edhe miratimin e Anjelit. Megjithatë, fillimisht duhet pritur përballja mes presidentit dhe trajnerit të Juventusit.
/PANORAMASPORT.AL/