Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Elbasanit ka shpallur gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën e ish kombinatit metalurgjik që ndodhet në periferi të qytetit.
Sipas banorëve disa prej kompanive industriale që kryejnë aktivitetin e tyre në këtë zonë, nuk përdorin filtrat pluhur thithëse duke krijuar një situatë tejet problematike për shëndetin e mijëra banorëve të Elbasanit.
Kryebashkiaku Qazim Sejdini u shpreh se shqetësimin i ngritur nga këshilltarët bashkiakë është për tu alarmuar.
Sipas kryebashkiakut ky është një shqetësim i ngritur disa herë edhe nga Bashkia dhe komuniteti dhe kontrollet që Bashkia e Elbasanit ka bërë në këtë zonë rezulton se njëra nga kompanitë nuk i përdor filtrat, ndërkohë që edhe kompani të tjera më të vogla shkaktojnë ndotje.
Këshilli Bashkiak ngriti një grup pune, i përbërë nga specialistë të mjedisit, i cili do të ndjekë nga afër situatën në këtë zonë dhe problematikat do t’i përcillen Ministrisë së Mjedisit.