Një automjet është përfshirë nga flakët në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan orët e para të mëngjesit të kësaj diele.
Makina e djegur me targë AA 484FG është në pronësi të Arben Haxhiymeri, 62-vjeç, pedagog në Universitetin e “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, shef i Departamentit të Filozofi-Sociologjisë. Kjo është hera e dytë që pedagogut të Elbasanit i djegin automjetin. Edhe në gusht 2017 makinës së tij iu vu flaka nga persona të paidentifikuar përpara shtëpisë.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 29.04.2018, rreth orës 00:30, në lagjen “Qemal Stafa” Elbasan, ka rënë zjarr në mjetin tip “Benz” me targë AA 484FG, në pronësi të shtetasit A H, 62 vjeç.
Mjeti ishte i parkuar në rrugicë para banesës së tij, ku si pasojë e zjarrit mjeti është djegur pjesërisht, pasi zjarrfiksja dhe policia kanë mbërritur në kohë në vendngjarje.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit, ku paraprakisht dyshohet zjarrvenie e qëllimshme.