Nga Emin Barçi
Sondazhi më i fundit i NDI konkludon se 59 % e shqiptarëve të intervistuar janë të pakënaqur me punën e qeverisë. Menjëherë qeveria reagoi në mënyrë të tërthortë nëpërmjet ministrit të Financave që pretendon se është edhe truri i reformave ekonomike. Ai deklaroi se për 3 vjet kanë punësuar 175 mijë shqiptarë. Por, tashmë janë bërë të shumta provat dhe faktet se me ekonominë ndoshta duhet të merret policia, pasi ka ikur në drejtim të paditur. Papunësia, deflacioni, mos shfrytëzimi i kapaciteteve, produktiviteti skandaloz, e të tjerë nuk janë importuar, por janë pasojë e një drejtimi empirik dhe diletant të ekomonisë kombëtare.
Ky sondazh është një këmbanë alarmi për shumicën dhe përbërësit e saj që të ridimensionojnë përqasjen ndaj qeverisjes dhe aleatëve në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Njëkohësisht është një sinjal për profesionistët e ekonomisë të japin kontribut duke ndalur talljen që shteti po u bën shtetasve të vet duke u ofruar sapunin e Rrogozhinës për djath zviceran.
Rëndësia e sondazhit të NDI është përtej percepsionit, sepse ndikon direkt në pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme të Prodhimit Kombëtar që është Konsumi i popullsisë.
Për të kuptuar se çfarë po ndodh me ekonominë kombëtare, më lejoni të bëj disa shpjegime dhe saktësime. Paratë e fituara shqiptarët (individët dhe qeveria) i shpenzojnë, i investojnë ose i kursejnë. Për vitin 2015, nga paratë e fituara në vend dhe emigracion, konsumuan 9 miliard euro, investuan bashkë me të huajt dhe qeverinë 2.8 miliard euro dhe importuan 4.7 miliard euro mallra e shërbime. Eksportuan 2.7 miliard euro. Pra, siç shihet, pesha specifike e konsumit në atë që quhet Prodhim i Brendshëm Bruto është shumë e lartë: 79%.
Kush janë shifrat që e bëjnë alarmante dhe me pak shpresë situatën ekonomike?
Sipas vetë INSTAT, për vitin 2015, konsumi privat që llogaritet në 9 miliard euro ka rënë. Rënia e konsumit konfirmohet edhe nga trendi rënës i çmimeve. Indeksi i çmimeve zbriti nga 2,2 % në Mars 2015 në 0,3 % në Mars 2016. Deflacioni tashmë është një problem i shtruar për zgjidhje. Banka e Shqipërisë thotë se Tregtia dhe Shërbimet që zënë 50 % të PBB për 3 mujorin e parë të 2016 kanë shfrytëzuar kapacitetet e investuara vetëm 73 % dhe 68 %. Ndërsa Industria dhe Ndërtimi vetëm 69 % dhe 54 % duke u përkeqësuar nga 2.9 % deri 9.5 % krahasuar me 2015.
Global Competitiveness Index na rendit të 118 mes 140 vendeve për mjedisin makro-ekonomik. Sipërmarrësit gjermanë, që sipas ministrit tonë të Financave nuk kuptojnë ekonominë reale, por merren me percepsione, thonë se Shqipëria është vendi i fundit në Evropë që do riktheheshin për të investuar. Dhe për t’i vënë kapakun, publikimi i INSTAT në datën 10 Mars 2016, thotë se socialistët e morrën papunësinë 17.2 % dhe e cuan në 17.7 %. Për pagat e sektorit privat dhe mirëqënien shifrat zyrtate për 2015 dhe 2016 mungojnë ose fshihen.
Ajo çfarë po ndodh me ekonominë për ekspertët nuk është çudi. Për 8 vjet në opozitë socialistët nuk arritën të ndërtojnë një platformë zhvillimi që do garantonte rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme duke kuruar problemet strukturore të trashëguara. Edhe ato pak reforma strukturore si ajo e energjisë elektrike që u ndërmorrën, nuk arritën të harmonizohen me rritje të konsumit, punësimit, të ardhurave të familjeve e të tjerë. Gjatë 8 viteve të opozitës udhëheqja socialiste u kujdes të administronte paratë e fituara në mënyrë të ligjshme e të paligjshme gjatë qeverive Nano, Meta, Majko apo kryebashkiakët socialistë duke nisur nga Rama, megjithëse nga qeverisja 1997- 2005 trashëguan analiza dhe projekte shumë të mira si për shembull McKinsey apo Louis Berger. Platforma qeverisëse që socialistët paraqitën në zgjedhjet e fituara të vitit 2013 më shumë ishte një buqetë dëshirash se sa një projekt i bëshëm reformash për rritje. Aty flitet për shembull për bujqësinë dhe zhvillimin rural, por ende nuk e dimë se pse Shqipëria importon 700 milionë euro në vit ushqime, pije e duhan dhe si do përmbyset kjo situatë duke angazhuar në projekte fitimprurëse kapitalin vendas e të huaj, duke rritur punësimin, produktivitetin dhe të ardhurat e sektorit që punëson gati gjysmën e popullsisë. E veçova bujqësinë, sepse po dëgjohet gjithnjë e më shpesh nga qeveritarët tanë se fajin e kanë Italia e Greqia që nuk po rriten. Një shtet si Shqipëria që importon 2.7 miliardë euro në vit më shumë sesa eksporton, nga të cilat vetëm për ushqime 700 milionë euro, burimet e rritjes i ka ende brenda vetes.
Shifrat janë më kritike se çdo kritizer. Ajo që lipset është një projekt i ri për të dalë nga vorbulla e rrezikshme e stanjacionit dhe krizës. Tendenca deflacioniste në vetvete çon në tkurrje të konsumit, sepse konsumatorët shtyjnë blerjet për të kapur një çmim edhe më të ulët. Ritheksoj se konsumi privat zë 79 % të PBB, ndaj çdo zgjidhje që nxit atë ka efekte më shumë se elementët e tjerë. Nga ana tjetër nxitja e konsumit do çonte në rritjen e koeficientit të shfrytëzimit të kapaciteteve të investuara. Kjo do të rriste përfitueshmërinë dhe fitimet e sipërmarrësve që përbën premisën bazë për të rinisur investimet dhe shtuar punësimin. Nëse kapacitetet e investuara nuk shfrytëzohen 100 %, ta harrojë çdo qeveri se sipërmarrësit do investojnë dhe hapin vende të reja pune.
Tjetër ndërhyrje urgjente duhet bërë në investimet publike duke i riprioritizuar ato në funksion të rritjes së eficencës, efektivitetit dhe impaktit në ekonominë kombëtare. Në kushtet, kur paraja është më e lirë se kurrë, tavani i borxhit publik edhe mund të rishihet nëse ka projekte me impakt multiplikator për ekonominë në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Shifrat tregojnë se modeli “fason” kontribon në eksportet neto më pak se bujqësia, që do të thotë se duhen riparë politikat e nxitjes së eksporteve për t’u dhënë prioritet produkteve “Made in Albania”. Dhe në fund duhet studiuar me urgjencë struktura e importeve për të parë mundësitë e zëvendësimit të pjesshëm të tyre me prodhimin vendas që do kishte impakt shumë pozitiv në kapital, punësim dhe mirëqenie.
Shifrat e zhvillimit ekonomik thonë se na ka dalë para syve alarmi “Game over”.
/panorama.com.al/