Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi së bashku me kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës Beqir Nuredi, inpektoi nga afër transformimin e plazhin të Spillesë. Nga një hapësirë me ndërtime vend e pavënd plazhi i Spillesë është transformuar këtë vit në një plazh të sistemuar mirë, që nga infrastruktura e deri tek shërbimet që ofron për pushuesit .
Ministrja Ekonomi tha se modeli i aplikuar nga Bashkia e Rrogozhinës duhet të shërbejë si shembull për bashkitë e tjera që kanë në menaxhim bregdetin shqiptar.
“Ky është një investim i rëndësishëm për vijën bregdetare të Detit Adriatik, por falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë u arrit të bëhej në një kohë rekord dhe këtu kishim mundësinë të punësojmë njerëz, pavarësisht se sezonalë, por shumë të rëndësishëm për ata që ofrojnë shërbime. Këtë model që zhvilloi kryetari i bashkisë, Nuredini, ta marrim dhe ta multiplikojmë dhe për plazhe të tjera të vendit, për stacionet e tjera të plazhit, për tu bërë gati për sezonin e ardhshëm” u shpreh Ekonomi.
Ndërsa Beqir Nuredini, kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës, tha: “Është investuar mbi 2 milionë euro, kemi filluar dhe përfunduar projektin në 40 ditë”.
Numri i turistëve në Spille këtë vit është trefishuar. Në një ditë, plazhin e vizitojnë deri në 20 mijë pushues. Por, kreu i bashkisë thotë se për të rritur më tej këtë numër po planifikon sipërfaqe që do të ofrojnë të gjitha shërbimet mbështetëse për ata që udhëtojnë me “camper” apo tusristët e kampingjeve.
Për kryebashkiakun e Rrogozhinës puna në këtë vijë bregdetare nuk ndalet këtu. Kemi disa projekte interesante thotë ai, që janë ndërtimi i disa moleve në forma kanalesh ku mund të ankorohen varkat dhe skafet.