Lufta në Ukrainë dhe çmimet e larta të energjisë po i kushtojnë Gjermanisë qindra miliarda euro. Në një studim thuhet se edhe punësimi po vuan.
Lufta në Ukrainë dhe çmimet e larta të energjisë po i kushtojnë Gjermanisë qindra miliarda euro, thuhet në një studim të fundit. Ekonomia gjermane do të humbasë si pasojë e këtyre zhvillimeve deri në vitin 2030 mbi 260 miliardë euro.
Ky është konstatimi i një studimi që kanë punuar së bashku tre institute kërkimore: Instituti për Tregun e Punës dhe Formimin Profesional (IAB), Instituti Federal për Formimin Profesional dhe Shoqëria për Kërkimin e Strukturës Ekonomike.
Sipas studimit të publikuar të martën (09.08), konflikti po dëmton edhe punësimin. Vitin e ardhshëm, rreth 240.000 vetë më pak mund të punësohen sesa para luftës – mesatarja për vitet 2022-2028 do të ishte 150.000 njerëz.
Sipas studimit, produkti i brendshëm bruto (GDP) i rregulluar me çmimin në vitin 2023 do të jetë rreth 1,7 për qind më i ulët se sa po të mos kishte ndodhur sulmi rus në Ukrainë. “Rritja ekonomike po dobësohet veçanërisht nga rritja e çmimeve të lëndëve të para fosile. Ato po rëndojnë si ekonominë e eksportit, ashtu edhe konsumin e familjeve private.”
Për parashikimin e tyre, studiuesit supozuan se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi deri në vitin 2030, edhe nëse lufta përfundon më parë. “Për shkak të efekteve të luftës, rritja e parashikuar pas Coronës ka dështuar,” shpjegoi Enzo Weber nga IAB.
Fushat që vuajnë më së shumti
Sipas studimit, një nga humbësit e mëdhenj në situatën aktuale do të jetë sërish industria e gastronomisë dhe hotelerisë, e cila është goditur keq edhe nga pandemia e virusit Corona. Këto fusha ekonomike do të ndjejnë dukshëm edhe humbjen e fuqisë blerëse tek qytetarët. “Për shkak të shpenzimeve më të ulëta të konsumatorëve, do të ulet edhe numri i punonjësve në këto fusha”, thotë studimi. Humbës të tjerë do të jenë sektorët me energji, si industria kimike dhe prodhimi i metaleve, por edhe shërbimet sociale.
Për vitin 2030, studimi sheh një efekt pozitiv prej 60.000 vende të reja pune. Por kjo vlen vetëm nëse çmimet e energjisë nuk rriten edhe më shumë. Nëse kjo ndodh, Gjermania do të rrëshqasë në recesion, paralajmëroi Ëeber.
Në një skenar tjetër, ku çmimet e energjisë rriten dy herë më shpejt, studiuesit shohin ndikimin më të madh në tregun e punës në vitin 2024, me 660.000 punëtorë më pak sesa sikur të mos kishte luftë./TCh