Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së: Unë e kuptoj për shembull “vështirësinë” e vendimit të zonjës Duma dhe zotit Basha për të lënë jashtë zonjën Topalli nga lista, siç është shprehur dje në media vetë sekretarja e marrdhënieve me publikun. Por, çështja është se kush jua delegoi këtë kompetencë?!
Anëtari i Këshillit Kombëtarë të PD-së, Edvin Kulluri, e akuzon kryetarin Lulzim Basha, se ka prishur kontratën me demokratët. Kulluri i referohet cilësisë së listës së kandidatëve për deputetë të PD-së, e hartuar nga Lulzim Basha, pa asnjë konsultim me forumet e partisë. Jashtë kësaj liste kanë mbetur themelues të partisë dhe shumë të tjerë me vlera të padiskutueshme e kontribute, gjithashtu të padiskutueshme në PD. Kulluri mendon se janë shkelur të gjitha rregullat statutore të partisë, ndërkohë që thekson se lista e Bashës pa u konsultuar me forumet është ose papërgjegjshmëri, ose një plan për të shbërë ofertën opozitare. Në një intervistë për 27.al, Kulluri rendit shumë argumente kundër listës së Bashës, me të cilin ka bashkëpunuar për katër vite në opozitë, me riorganizimin e PD-së dhe përjashton Berishën nga çdo përgjegjësi që lidhet me listën.
Zoti Kulluri, dy ditë më parë dy ish drejtues të lartë të Partisë Demokratike, deklaruan lëvizjen e tyre për shkarkimin e kryetarit Basha me argumentin se ai po e çon Partinë Demokratike drejt humbjes. Ju besoni të njëjtën gjë?
Së pari, më duket se nuk jemi përballë një lëvizjeje Topalli-Imami, por thjesht një qëndrimi publik për situatën e krijuar 3 ditët e fundit në parti dhe opinionin publik, pas publikimit të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Nuk më rezulton që gjëndja e referuar nga këto personalitete politike të së djathtës, të jetë konstatim i izoluar apo dëshirë e tyre. Ne të gjithë jemi njerëz në kontakt me strukturat e PD dhe qytetarë që priren të votojnë djathtas, dhe përgjithësisht ndajmë të njëjtin qëndrim. Ashtu siç keni parë e dëgjuar edhe nga shumica e opinionistëve të njohur që të shprehen me skepticizëm, apo pse jo edhe sarkazëm për listën e kandidatëve që ka dorëzuar PD në KQZ. Dhe përceptimi i përgjithshëm është se lista është përmbledhje kriteresh, renditjeje dhe emrash më së paku kaotik për të mos thënë jo serioze. Diku lihet jashtë një themelues, për shkak të të ashtuquajturit “konsum” e diku tjetër renditet i pari një themelues tjetër pa na thënë pse! Tre nga pesë sekretarët kandidohen ndërsa tre të tjerë lihen jashtë pa asnjë arsye. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas kandidohet me të drejtë ne Tiranë, ndërsa ai i Forumit Rinor lihet jashtë, ndërkohë që rivali i tij humbës është në listë diku tjetër! Nuk kandidohet asnjë kordinator kombëtar pa thënë, nëse kanë dështuar apo shkëlqyer në punën e tyre këto 4 vjet! Për të mos thënë që 90”% drejtuesve të fushatës së zgjedhjeve të 2015-ës në bashkitë fituese janë lënë po ashtu jashtë, e ndërkohë gjen humbës me shumicë në listën e deputetëve! Ashtu siç vërehen gabime taktike me aleatët si në Vlorë apo Tiranë, por kjo është një çështje tjetër. Po ashtu uroj që të jetë rastësi prezenca e disa ish-punonjësve të Universitetit Europian Të Tiranës në këtë listë! Këtu ka dy gjëra; ose papërgjegjshmëri, ose një plan për të shbërë ofertën opozitare, gjë që nuk dua ta besoj. Nuk arrij të gjej një arsye të tretë. As vetë Edi Rama nuk mund të dëshironte atë ç’ka po ndodh! Ka një shthurrje shqetësuese të strukturave të partisë që nga Kryesia Qëndrore e deri në seksione në çdo qark. Mos prisni të dalin të gjithë në media, mjaftojnë ata kandidatë që janë tërhequr publikisht dhe disa figura të njohura të tjera që janë shprehur si zoti Patozi, për të kuptuar se situata është më shumë se serioze. Ka dy ditë që çdo dy orë tërhiqet një kandidat nga gara, dhe kjo është e papranueshme për çdo demokrat apo qytetar normal. Jemi vënë në një pozitë shumë të vështirë në nisje të fushatës, ndaj mesa duket ky është i thelbi daljes publike të Topallit dhe Imamit.
Ka mungesë transparence, mungesë demokracie për qarkullimin e elitave apo më shumë akoma klientelizëm që e shihni të reflektuar në përbërjen e listës së kandidatëve për deputetë?
Kjo pyetje na fut në thelbin e çështjes. Mungesa e kritereve që kam përmendur më lart shpjegohet vetëm përmes mungesës së transparencës dhe zbatimit të rregullave të përcaktuara në kushtetutën e Partisë Demokratike, Statutin. Osë më saktë, është SHMANGUR Statuti, me qëllim për t’i hapur rrugën vendimarrjes arbitrare të kryetarit Basha. Këshilli Kombëtar aktualisht ka për kompetencë ekskluzive përzgjedhjen e kandidaturave, rol që me statutin e mëparshëm e luante kryesia. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për “akuzë”, por për një fakt. Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur dhe pikë. Kandidaturat nuk janë miratuar askund dhe kjo çon në personalizim të vendimmarrjes e pse jo në klientelizëm. Elitat nuk qarkullohen në paradhomën e Bashës dhe t’i “shiten” demokratëve si të tilla. Unë e kuptoj për shembull “vështirësinë” e vendimit të zonjës Duma dhe zotit Basha për të lënë jashtë zonjën Topalli nga lista, siç është shprehur dje në media vetë sekretarja e marrdhënieve me publikun. Por, çështja është se kush jua delegoi këtë kompetencë?! Mbi ç’bazë statutore apo kriter?! Statuti i Partisë Demokratike nuk është “recetë gatimi” apo “manual spastrimesh”, por dokumenti themelor që përcakton kushtet e bashkëjetesës vullnetare në një parti. Po ra kontrata bie edhe bashkëjetesa. Mbase kjo ka qenë edhe arsyeja e kërkesës për shkarkim të kryetarit Basha nga ana e Topallit dhe Imamit. Për të mos u marrë dhe me profilin shumë të dobët publik dhe krejt anonim të shumë prej prurjeve të reja. Po ashtu, duhet thënë se propozimet e strukturave nuk janë marrë parasysh në tërësi, as kur janë bërë nga kryesitë e degëve e as pas takimeve të të deleguarëve të zotit Basha javën e fundit. E pra, tërë kjo amulli proceduriale na ka kaluar nga qarkullimi i elitave në “qarkullim kuadrosh” të modelit të rregjimit të kaluar. Sepse, mungesa e rregullave demokratike na mbron nga gabimet edhe sikur lideri të jetë “hyjnor”.
“Europa kufizoi monarkitë absolute për këtë qëllim, për të shmangur arbitraritetin dhe abuzimin me pushtetin.”
E ka shkruar Lordi Acton, “pushteti korrupton, ndërsa pushteti absolut korrupton absolutisht!” E në opozitë kjo mund të rezultojë fatale.
Nuk ju duket se lëvizja juaj do konsiderohet si një reagim për interesa personale të dy ish-drejtuesve Topalli e Imami, pasi mbetën jashtë listës së Bashës?
Nuk besoj se keni dyshimin që shoqeria shqiptare mbart ende remineshenca të komunizmit. Mbase votuesit e PS vazhdojnë ende të mendojnë në atë mënyrë, por për PD-në kjo mënyrë të menduari është e kapërcyer. Kam vënë re këto dy ditë, se media që zoti Basha i ka akuzuar në çadër si “fake news” apo “shërbëtorë” të Edi Ramës”, kanë sulmuar Topallin dhe Imamin si “karrieristë”, apo “njerëz që po humbin privilegjet” e marrëzira të tjera si këto. Edhe ndonjë kandidat për deputet i PD apo profile kryesisht fallco në facebook kanë bërë afërsisht të njëjtën gjë. Uroj që mos të reflektojnë vullnetin e zotit Basha, pasi “republika e re” dhe “mbledhjet e frontit” dhe “organizatave bazë të Partisë së Punës” nuk mund të jenë as të ngjashme e as e njëta gjë me sloganin e PD! Do të ishtë një zhgënjim i madh për këdo që aspiron një politikë europiane! Njerëzit janë të lirë të flasin atë që mendojnë në çdo kohë e sidomos kur kanë edhe arsye.
Ndërkohë ka kritikë ndaj kësaj lëvizjeje të cilët thonë se e dëmton Partinë Demokratike dhe fitoren e saj në zgjedhjet e 25 qershorit?
Siç e theksova edhe në fillim të intervistës, nuk më rezulton të ketë një lëvizje. Sa i përket arsyetimit se deklaratat e Topallit e Imamit dëmtojnë Partinë Demokratike, më rezulton se Imami ishte shumë i qartë në arsyetimin e tij. Ai tha se “Edi Rama nuk rrëzohet duke shkatërruar Partinë Demokratike”. Dhe situata në parti është e rëndë për shkak të listave dhe jo për shkak të deklaratave të Topallit, Imamit, Patozit apo Bregut. Përndryshe nëse do dëmtonin rëzultatin zgjedhor do të vërtetohej se lista e Bashës nuk ka peshë tek votuesit përballë një liste të munguar normale që do të prodhontë Këshilli Kombëtar dhe propozimet e demokratëve të cilët nuk janë dëgjuar. Pra, do të kishin të drejtë kritikët e listës dhe jo formuluesi i saj. Këtë gjithësesi do ta tregojë koha.
Ju keni qenë pjesë e ekipit Basha në ristrukturimin e Partisë Demokratike. Keni besuar në atë çfarë premtoi për katër vite në opozitë. Ku u zhgenjyet, pa mbërritur tek lista, tek marrëveshja me Ramën apo vetëm në momentin e publikimit të listave?
Personalisht e kam mbështetur Bashën në garën për kryetar partie në vitin 2013, për arsye thellësisht politike, pavarësisht se të ndjerin Olldashi e kam njohur që në vitin 1995 dhe në rrethana miqësie familjare, por kjo nuk rëndësi. Por, mendoja se Basha ishte një profil i paanshëm në parti pa ngarkesa afrimitetesh edhe politike të caktuara, që ishin krijuar gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike. E shikoja Bashën si balancues të rrymave dhe rivaliteteve dhe më të ftohtë ndaj prefencave personale. Si një garanci të karrierave dhe vendimmarrjeve. Po ashtu, performanca e tij në ambjentet e politikës së jashtme më jepte më shumë garanci se do të ishte një kryetar më i përshtatshëm se Olldashi në atë moment. Natyrisht që pjesën më të madhe të suskseseve në jetëshkrimin politik të Bashës, ia dedikoja Berishës, pasi prioritetet dhe vendosmërinë për arritjen e tyre duhet ta pranojmë që i përkasin ish -kryeministrit. Të thuash të kundërtën do të ishte e pamoralshme. Dhe kjo vlen përgjithësisht për kabinetin qeveritar. Kuptohet, kush me shumë e kush më pak. Në këto kushte, pas zgjedhjes së tij në krye të Partisë Demokratike, kam qënë kryetar i Grupit të Punës për ristrukturimin e Degës së PD Tepelenë dhe më pas kam drejtuar fushatën për zgjedhjet vendore ne Bashkinë e Selenicës, që siç e dini u fitua nga Partia Demokratike. Falë punës së jashtëzakonshme të kandidatit për kryetar bashkie dhe strukturave të PD Vlorë (në atë kohë nuk ishte ndarë dega Vlorë në tre degë), arritëm një fitore mbase edhe të papritur për shumëkënd. Ashtu siç në vijimësi kam qënë i deleguar në degën e Selenicës si për krijim e degës së PD-së atje, edhe për aksionet e protestave dhe “çadrës së lirisë”. Këto detyra, për të qënë i sinqertë i kam kryer pa ndonjë ndihmë të veçantë nga kryesia e PDSH-së dhe zoti Basha, por gjithësesi puna dha rezultat. Ndaj, mendoj se janë zhgënjime të vogla. Sa për marrëveshjen me Ramën mendoj se do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj nuk jam i shqetësuar.
Cili është sipas jush roli i Berishës në hartimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe a mendoni se Berisha duhet të ketë një qëndrim të qartë për cilësinë e keësaj liste?
Kjo është një pyetje për zotin Berisha dhe askënd tjetër, ndërkohë që përgjigja është dhënë nga vetë zoti Berisha. Përgatitja e listës ka qënë ekskluzivitet i Bashës dhe për mua do të thotë që është përgjegjësi e tij. Por, për dy gjëra jam i sigurtë; Berisha do të kish mbledhur organet vendim-marrëse sipas statutit siç ka ndodhur nën drejtimin e tij, dhe përbërja e listës së propozuar do përmbante brenda mundësive, vlerësimin maksimal për kontributet, sakrificat, talentin, kapacitetet dhe perceptimin e bazës për çdo kandidat. Lista Basha qëndron larg kësaj tradite të përgjithshme të krijuar në legjislaturat e kaluara ndaj dhe ka krijuar këtë debat krejtësisht të panevojshëm, por të dëmshëm në PD dhe opinionin publik.