(Kujtime nga data 13 Dhjetor 1990)…
Nga Ilir Seci
…Mbramja e 12 dhjetorit 1990 nuk ndryshonte shumë prej mbramjeve tjera të atij mueji… Në konviktin e djemve të Institutit në Zdrale ishte errësinë, dritat kishin ikë, nëpër dhoma ishin ndezë qirinj, si bahej pernatë, kur iknin dritat…
Mbasi hangrëm atë supën e lodhun të darkës në mencë, pastruam lugët e aluminit, i futëm në xhep dhe shkuem nëpër dhoma… Mbas çdo vakti që hanim me kujdes pastronim lugët e aluminit, me të cilat hanim, i pastronim dhe i ruenim fort, sepse me mbetë pa lugë mbeteshe pa hangër! Aq e thjeshtë… Secili ruente me kujdes lugën e vet… S’kishte lugë!
…Atë mbramje u mblodhëm te dhoma e Ismet Palit, student i fakultetit Gjuhë-Letërsi, me Ylber Hasanin kuksian, me shokët e dhomës së Ismetit dhe po kuvendojshim… Kuptohet kryetema ishte mbi ato që po zienin në Tiranë… Po diskutonim se edhe na duhej të ngrinim zanin tonë kundër diktaturës, duhej që të protestonim dhe po ashtu të dilnim në krah të studentëve në Tiranë…
– “Unë them të bajme protestë nesër!” – tha Ismet Pali, -“Shkojmë nëpër çdo dhomë të konviktit dhe flasim me të tanë studentët! Nesër në mjes, në mënyrë të organizume shkojmë te godina e shkencave të Institutit dhe protestojmë!”…
Shkuem atë mbramje për disa orë dhomë për dhomë dhe shumica dërrmuese e studentëve ranë dakord për protestën e 13 Dhjetorit…
…Nuk kishim mbaru krejt dhomat, kur në konvikt erdhën një grup pedagogesh të disa fakulteteve, pedagogët e moshës së re… I kishte dërguar qendra për me ndalë atë protestë… Kishin shkue në çdo dhomë, sipas fakulteteve dhe kishin ba presion… “Mos dilni në proteste se do keni pasoja!”… Në fund erdhën te dhoma e Ismet Palit, ku ishim ne që kishim ba thirrjen për protestën… Biseduam gjatë me ta…
– “Tash është kriju partia opozitare” – ngulmuen pedagogët,-“për çka doni me ba protestë?”…
I nisëm me bindjen se nuk kishte me pasë protestë të nesërmen… Sa shkuan pedagoget dërguam të tjerë studentë të sigurojnë çdo dhome se do banim proteste dhe “le të bahet çka të bahet!”…
Të nesërmen kemi dalë krejt djemtë e konviktit të Zdrales të organizuem nga Zdralja deri te godina e Shkencave… Në auditorin numër nji kemi shpallë grevë, mësimi asht braktisë dhe asht kërku takim me drejtuesit kryesorë të Shkodrës… Sekretari i parë i Shkodrës, Xhemal Dymylja ishte kandidat i Byrosë Politike… Mbas kambënguljes tonë si studentë është kthye mbrapsht drejtori i Institutit, Dhimitër Llora dhe asht ngulmue për takim vetëm me Sekretarin e Parë…
…Lajmi i protestës së studentëve të Institutit asht përhapë me shpejtësi në qytetin e Shkodrës… Saora janë mbledhë para Institutit rinia shkodrane të gatshëm për protestë… Asht mbushë sheshi para Institutit, kanë ardhë nxansit e gjimnazeve të rinj, të tanë të rinj e të papërmbajtun…Vullkan që ziente nën dhe! Kur asht marrë vesh se në takim vjen Xhemal Dymylja situata asht elektrizu…
– “Po vjen në takim vetëm me studentë!” – u hap fjala… Kjo thanje ka acarue gjendjen, pasi aty kishte të rinj nga tanë shtresat shoqnore, jo vetem studentë. Disa persona nga protestuesit përjashta arritën me u futë në auditor, ku po bahej ballafaqimi me sekretarin e parë… Në atë ballafaqim pedagogu i Matematike-Fizikës, Kolin Gjoka, (drite pastë), e ka demaskuar përpjekjen që po bahej për ta minimalu protestën si protestë e natyrës ekonomike… Kolini debatoi me forcë me
Ali Laçejn, Sekretarin e Parë të Rinisë… Një nga protestuesit që nuk ishte student, por kishte arritur të hynte në sallë, Nikolin Pemaj i drejtohet Xhemal Dymyljes:
“Këtu në këtë sallë duhet me kenë edhe ata që po protestojnë jashtë! Na jena me studentët, janë vllaznit tanë dhe kërkojmë Demokracinë për të tanë! Boll na keni nda në klasa! Na keni vra e pushkatue baballarët, na keni lanë jetima rrugëve tash as me folë s’doni me na lanë!”…
Situata nisi të ndizej, nisen thirrjet “Liri-Demokraci!”, “Poshtë Komunizmi!”, e të tjera… Kanë folur disa studentë… Në ato momente ngrihet studenti Flamur Buçpapa që tha: “Puna është të gjejmë një zgjidhje demokratike dhe të shmangim gjakderdhjet! Komunistët duhet të shkojne me hir ose pahir!”…
Duke e pa gjendjen se po dilte jashtë kontrollit në auditorin numër nji Xhemal Dymylja kërkoi që të zgjidhej një përfaqësi e vogël studentësh e te diskutonim në një sallë më të vogël me justifikimin se “është kaos në auditor dhe nuk mund të merremi vesh”…
Ky moment, kur asht përhapë lajmi se Xhemal Dymylja ju shmang takimit masiv, asht momenti kur ndizet shkëndija e protestës që mbeti në kujtese si “Demonstrata e 13 Dhjetorit 1990”… Ndizet si mund të ndezë shkëndija barutin e thatë! Tanë ajo rini shkodrane që po priste përjashta Institutit me ta marrë vesh lajmin se Sekretari i Parë i bishtënoi ballafaqimit masiv, filluen të protestojnë! Në Shkodër ndjenja antikomuniste ka kenë e gjallë tanë kohës, në tanë vitet e diktaturës… Shkodra i pat pritë me pushkë komunistët, kryengritjet si ajo e Malësisë së Madhe me Prekë Calin dhe Kryengritja e Postribës dëshmojnë se Shkodra nuk i desh asnjëherë këlyshët e Moskovit… Here mbas here ndër vite në Shkodër janë shpërndarë trakte kundër komunizmit… Më 14 janar 1990 u tentua të rrëzohej busti i Stalinit… Në qershor 1990 u ba një tjetër demonstratë ditën e varrimit të djaloshit Pëllumb Pëllumbi, i cili mbasi u kap në kufi u vra nga forcat kufitare për t’u sjellë në Shkodër dhe trupi i pajetë u nxor sheshit për të ngjallë terror “duke e ba shembull”. Këto ndjenja të fuqishme antikomuniste vlonin gjakun e asaj rinie shkodrane, ndjenja që do shpërthenin si vullkan në atë ditë… Në nji atmosferë të tillë do niste demonstrata… Të revoltuem të rinjtë kthyen mbrapsht një makinë që deshi të kalonte para Institutit, nisën thirrjet dhe aty ka nisë demonstrata! Aty kanë qenë: Sokol Drrasati, Paulin Pali, Benhur Nurja, Hysen Kullolli, Roland Prela, Gjon Maranaj, Artur Komi, Ferdinad Temali, Ardian Rragami, Olsi Lorja, Nikolin Pema, Lek Kurti, Huana Kurti, Kristofor Shabani, Bepin Torta, Bepin Doçi, Alfons dhe Eduard Grishaj, e të tjerë, (është listë e gjatë të më falin ata që nuk i rendita, sepse ka plot tjerë), dhe jane nisë te “Dugajt e Reja” e mbasandej nëpër “Piacë”. Disa studentë të Insititutit i janë bashkue demonstratës, studentja e Gjuhë-Letërsisë, Elida Rrusta, (Sulaj), ka prirë në rresht të parë, ka spikatë në protestë studenti i Matematikë-Fizikës, Nazmi Peka, hasjani që u dënue 25 vjet burg për atë protestë… Për hir të së vërtetës duhet thanë se pjesa ma e madhe e studentëve u stepën nga rrjedha që morën ngjarjet!…
Demonstrata që nisi aty para Institutit ka ndalë te Dugajtë e Reja, në krye të rrugës, ku ishte nji dyqan librash dhe si dihet nga ajo kohë, pjesa ma e madhe e titujve ishin komuniste, veprat e diktatorit, histori të Partisë së Punës. Demostruesit kanë hy në dyqanin e librave dhe nxjerrë jashtë librat politikë dhe u kanë vënë flakën! Asnjë xham nuk asht thye aty, vetëm kanë djegë librat me përmbajtje ideologjike. Demonstrata nga aty ka marrë rrjedhen drejt qendrës, numri i demostruesve ka ardhë duke u shtuar, te kryqëzimi i dollarit demostruesit janë kthye majtas. I riu Olsi Lorja ka thyer me çekiç pllakatën, “Rruga Enver Hoxha”. Duhet theksuar se ky djalë sypatrembur ka humbë që nga ajo ditë! Nuk dinë për të as familja dhe as miqtë e tij!? Nuk ka pasur kush më kontakt qysh prej asaj nate! Demonstrata nga ai moment ka marrë theks të qartë politik, gjithë rrugës dëgjoheshin thirrjet: “Enver-Hitler!”, “Nexhmije-Rruspije”, “Liri- Demokraci”, “E duem Shqipninë si tanë Europa!”, “O djem rrëmbeni pushkët; Ja vdekje! Ja Liri!”, “Se mjaft në robëri o e mjera Shqipni!”.
Demonstrata ka kulmuar me përballjen me policinë te “Gastranomi”, aty policia qëlloi në ajër, ndërsa protestuesit me gurë të marrin në rrugen para Lulishtes “1 Maji”, qëlloi që ishte një kanal i hapun në anë të rrugës… Nën breshninë e gurëve policia asht tërheq dhe demostruesit i janë afruar bustit të Enverit, para Komitetit Ekzekutiv. Situata asht tendosur shumë, në godinën e Komitetit të Partisë shihej lëvizje trupash ushtarake, një oficer nga një cep muri filloi të shtinte në drejtim të turmes si pasojë kanë mbetë të lënduar disa persona. Nji ndër të plagosunit ka kenë Bepin Zefi. U provue me u rrëzue busti i diktatorit, ngaqë nuk u hoq dot i riu guximtar Sokol Drasati i vuni landë plasese, (dinamit), bustit duke e hedhë në erë! Protesta është zhvendoseë pastaj drejt “Radio-Shkodrës”, ku forcat policore kanë ba qëndresë. Nga ai moment demostruesit janë shpërndarë.
Për këtë demonstratë janë arrestuar dhe dënuar me akuzën:
“Diversion Ideologjik, Organizim i Bandave të Armatosura me Qëllim Rrëzimin e Pushtetit Popullor”, Sokol Drasati, Paulin Gjonpali, Hysen Kullolli, Bepin Zefi, Ardian Rragami, Paulin Nosha, Sokol Ndoj, Roland Prela, Nazmi Peka, Kujtim Draçini, e të tjerë që siç dëshmuan më vonë, gjatë proçesit hetimor ishin torturuar e masakruar barbarisht në dhomat e hetuesisë së Degës së Brendshme të Shkodrës.
Duke e parë që demonstrata u mbajt dhe zani antikomunist jehoi fuqishëm në Shkodër, Sigurimi i Shtetit infiltroi elementë që synuan ta degjenerojnë demonstratën në një protest, ku pati “thyerje dhe vjedhje te dyqaneve”, që mbrapa makina propagandistike enveriste ta paraqiste “si protest, ku u plaçkit pasuria e popullit”. E vërteta është se vjedhjet janë ba kudo mbasi largoheshin demostruesit, shumë prej dyqaneve mbyllën qepenat për të “ruejtë mallin” dhe vetëkuptohet shitësit/shitëset shfrytëzuan rastin e morën për vedi mallin e dyqaneve. Shumica e dyqaneve kanë qenë në katet e para dhe në mjaft raste atë ditë janë parë banorë të atyne pallateve që merrnin ç’u zinte dora.
Demonstrata ishte politike, demonstratë e fuqishme antikomuniste dhe duke mos qenë të aftë t’i banin ballë protestës Dega e Brendshme provoi të nxinte atë protestë me “vjedhje dhe plaçkitje”, por më kot! Vullkani i asaj date tronditi vendin. Demonstrata e 13 Dhjetorit 1990 vuri para provës skemat e Katovicës që kishte nisur të zbatonte Ramiz Alia! Maska djallëzore e “Revolucionit Kadife” u çorr atë ditë në Shkodër, kur revolta e kryeqendrës antikomuniste shqiptare tregoi botërisht se për fat të keq pjesa tjetër e Shqipnisë nuk kishte të njëjtën pjekuri shoqnore si pat djepi i qytetërimit shqiptar. Në zonat tjera të vendit nuk ngritën krye siç ngriti Shkodra për t’ia djegur në duar Byrosë Politike skemat katovociane. Në Shkodër më 13 Dhjetor 1990 u hodh në erë busti i Enverit, kurse disa muaj më vonë në shkurt 1991 në shumë rrethe të vendit “Vullnetarët e Enverit” dilnin shesheve me bustet e diktatorit! Fatkeqësisht, pjesa tjetër e Shqipnisë nuk e kishte pjekurinë antikomuniste të Shkodrës dhe kjo përbën një nga arsyet kryesore pse Shqipnia ende është e ngërthyer në rrjetën e Byrosë Politike.