Qeveria: Reforma ka kontribuar pak për të drejtën e pronës
E drejta e pronës është një tjetër tregues që e vendos vendin tonë të fundit në rajon. Në indeksin e Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria renditet e fundit në Ballkan, për vitin 2015, sa u takon të Drejtave të Pronësisë. Duket se ky fakt është tashmë publikisht i pranuar edhe nga qeveria. Në raportimin për pronat qeveria shqiptare referon se, reforma ka kontribuar pak në forcimin e të drejtave të pronësisë dhe në eliminimin e pasigurive ligjore.
Pothuaj asnjë nga proceset që kanë të bëjnë me pronësinë nuk është i kryer. Kështu legalizimi i ndërtimeve ende nuk është finalizuar, ndërsa rikthimi e kompensimi i ish-pronarëve është një proces që kohët e fundit është futur përsëri në udhëkryq. Përfundimi dhe kostoja totale e kthimit e kompensimit nuk është e përcaktuar, thuhet në një analizë të posacme të qeverisë.
Ndër sfidat kryesore që duhen adresuar është finalizimi i regjistrimit të fillestar të pronave, me qëllim garantimin për sigurinë e pronësisë dhe zgjidhur mosmarrëveshjet e lidhura me pronësinë. “Këto dhe çështje të tjera për sigurimin e të drejtave të pronësisë dhe vendosjen e një sistemi të shëndoshë të menaxhimit të tokës janë të shumta, komplekse dhe duan një kohë të gjatë për t’u zgjidhur” thuhet në raport.