Klevis Alla, bashkëpunëtori i parë i prokurorisë së posaçme SPAK, që flet për vrasjen e 4 personave në Durrës, tregon minutat fillestare se si pas ekzekutimit të vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, policia kriminale e këtij qyteti ra në gjurmët e tij.
Bashkëpunëtori thotë se ishte në dijeni se policia e kishte zbuluar, por nga ana tjetër Nuredin Dumani e ka kërcënuar. Sipas tij ai është dorëzuar në polici, duke marrë në telefon inspektorin e zonës dhe pasi ka shkuar në policinë e Durrësit, ka kërkuar takim vetëm me Tonin Vocaj, Drejtorin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Alla thotë se tek policia e Durrësit s’kishte besim tek askush pasi informonin Nuredin Dumanin, ndaj dhe ka kërkuar takim personal me Tonin Vocaj, të cilit sipas tij ja ka rëfyer të gjithë ngjarje e vrasjes së Besmir Hashia, Viktor Haxhia, Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.
Por edhe pse ka qëndruar për gati 1 orë me Tonin Vocaj, dhe ka pasur frikë se Nuredin Dumani, do vihej në dijeni se çfarë deklaronte Alla në polici, sërisht Klevis Alla, rezulton të mos jetë treguar i sinqertë përpara Tonin Vocaj.
Bashkëpunëtori ka gënjyer dhe Drejtorin e Policisë Kriminale, dhe kjo vihet në dukje qartësisht në deklarimin e dhënë në datën 30 prill 2020.
Në dëshminë e parë që ka dhënë me procesverbal-deklarimi, vetëm pak çaste nga takimi me Tonin Vocaj, Alla nuk ka përmendur në asnjë moment Nuredin Dumanin.
Një gjë të tillë e ka kryer edhe në dëshminë e dytë, duke mos e përfshirë vrasësin me pagesë, por përmend një emër Ilir që thirret me nofkën “Bubi”, të cilin sot e kësaj dite nuk e ka treguar para njerëzve të drejtësisë se kush është.
Sipas Oranews, Alla tregon se vetëm një ditë pas krimit të dyfishtë së 27 Prillit 2020, policia kishte shkuar në banesën e tij, duke shoqëruar dhe marrë në pyetje babain e tij, Xhemal Allën, i cili punonte si mbledhës skrapi në Durrës.
Por i penduari ka treguar në dëshminë e katërt të dhënë vullnetarisht në datën 26 shkurt 2021, se për të gjitha lëvizjet e policisë së Durrësit në shtëpinë e tij, kishte informacion dhe dijeni, Nuredin Dumani.
Në dëshminë e katër, Klevis Alla, u thotë prokurorëve Altin Dumani dhe Doloreza Musabelliu, se:
“…ju kam njoftuar sot për të dëshmuar dhe një herë rreth ngjarjes, pasi u sigurova plotësisht që unë do jem në programin e mbrojtjes si bashkëpunëtor i drejtësisë, dhe se në lidhje me ngjarjen kam për të saktësuar dhe shtuar disa momente…”
Sipas dëshmisë të Allës, Nuredin Dumani kishte njërës të besuar në policinë e Durrësit, që e informonin për çdo veprim dhe këdo person që shoqërohej dhe merrej në pyetje. Alla tregon një rast ku Dumani informohej nga brenda policisë për çdo lëvizje, dhe ky rast lidhet me vjedhjen e një foristrade Benz-Mercedes ML, që i ishte marrë një personi me emrin Arben, me të cilën planifikohej të kryhej vrasja e Besmir Haxhisë.
Për këtë ngjarje, Klevis Alla është shoqëruar në komisariat dhe pasi është marrë në pyetje, u la sërish i lirë.
“…sapo dola nga Komisariati i Policisë, mora makinën që kisha parkuar para policisë dhe nxora telefonin “IPhone 7”-të, të kriptuar i cili kishte të instaluar programin “SKY Chat”. Sapo e kam ndezur më ka ardhë një sms në “Sky Chat” nga Nuredini dhe më thotë: “…Meqë mbarove punë tek policia, eja se po të pres tek shtëpia. Unë akoma nuk e di se nga e kishte marrë vesh Nuredini, se unë kisha qenë në polici atë moment. Kur shkova aty më tha se: “…makinën ML e kam vjedhur unë…”, më tha mos e vrit trurin se nuk të gjen asgjë…”-thotë Alla.
Alla më tej shton se: ”…kujtoj se mbas dy ditësh, Nuredini duke parë se pronari i automjetit ML dyshonte te unë dhe më tha: “…kam folë me çunat dhe nuk është e përshtatshme ML-ja, me ba atentatin, e kemi gjet një tjetër tek shokët e mi dhe të Talos. Më tha se makina që kishin gjetur, ishte në Elbasan. Sqaroj se makinën ML e lamë në Arapaj, në një rrugicë të cilën me sa kam marë vesh brenda në burg, e ka gjetur më pas policia…”.
Madje bashkëpunëtori Klevis Alla tregon se lëvizjet e tij në polici, kontrolloheshin edhe pas vrasjes së Besmir dhe Viktor Haxhisë
“…një ditë pas ngjarjes, kam shkuar sërish tek shtëpia dhe sapo hyra në oborr të shtëpisë takova mamin tim, e cila ishte e shqetësuar sepse kishte ardhë policia dhe kishte marrë babin tim në komisariatin e Policisë Durrës. Jam veshur, kam marrë rreth 200 Euro me vete dhe kam ikur nga shtëpia. Sapo kam dalë nga banesa më ka telefonuar Nuredini edhe në aplikacionin “Ëhatsapp” dhe në telefon dhe më ka thënë “…ik largohu, se sa më morën në telefon dhe më informuan…”, pasi ai kishte marrë informacion nga dikush nga policia, se e kishin shoqëruar babën tim në Policinë e Durrësit dhe ai ishte i trembur…”-tregon Alla.
Sipas Allës ai nuk e ka zbatuar porosinë e Dumanit për tu fshehur, por ka shkuar tek shtëpia e një shokut të tij në Plazh, dhe pasi ka qëndruar aty 1 natë, të nesërmen është larguar drejt banesës së tij në zonën e Nishtullës.
“…kur shkova në Nishtulla, takova babin tim, nuk e kujtoj se ku e kam takuar, por ai më tregoi se e kishin shoqëruar dhe kërkonin të dinin vendodhjen time ditën e ngjarjes. I kam thënë babait, se si ishte puna duke i treguar se isha i përzier edhe unë në vrasjen e vëllezërve Haxhia, pasi ato çunat kishin pasur tek puna ime një makinë të tyren. U ndava me babin dhe i thash se do flasim për çdo gjë, si do vepronim dhe çfarë do bënim. Kam telefonuar policin e lagjes dhe i kam thënë ku je?
Kujtoj se jemi takuar me policin e zonës afër gjykatës së apelit në Shkozët. Së bashku me babin, kemi hipur në makinën e policit dhe kemi shkuar në Komisariatin e Policisë Durrës. Kur kam shkuar në polici, ju kam thënë drejtuesve së dua të flas në prani të Drejtorit të Krimeve, Z.Tonin Voci, të cilit ja kam shpjeguar të gjithë ngjarjet siç është në deklarim, por edhe në deklarimet e mëparshme…”-tregon bashkëpunëtori Klevis Alla.
Por në deklarimin e parë të dhënë në prezencë të Tonin Vocaj dhe tek 3 deklarimet e tjera të dhëna para prokurorëve dhe oficerëve, Klevis Alla, ka mos rakordim të madh me dy dëshmitë e tjera të bashkëpunëtorëve, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.
Kjo pasi ata vetë marrin përsipër, se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, duke përjashtuar pjesëmarrjen në këto 4 vrasje Talo Çelën dhe Altin Ndocin.
Këta dy persona përmenden vetëm nga bashkëpunëtori i parë i kësaj dosje, dhe janë dy persona që konsiderohen si hasmit kryesorë të Nuredin Dumanit, i cili në muajin Prill 2020 e në vijim i kërkonte me çdo kusht dhe bënte plane me Henrik Hoxhaj për ti vrarë.
Fakti që Alla përmend Ndocin dhe Çelën si protagonistë në këtë vrasje, ka ngritur dyshime nga prokurorët e SPAK se ai mund të jetë mësuar dhe kërcënuar nga Nuredin Dumani, para se Alla të paraqitej me këmbët e veta në policinë e Durrësit.
Klevis Alla, në dëshminë e tij e kujton kështu momentin kur ditën e 27 Prillit 2020, grupi ndezi dritën jeshile për tu hedhur në aksion dhe vrarë, Besmir Haxhinë. Sipas tij “Toyota” ndodhej e mbyllur prej disa ditësh në servisin e tij, ndërsa këtë mjet ai e kishte pastruar me alkool për të humbur çdo gjurmë të mundshme gishti.
“…unë kam ikur në këmbë nga shtëpia ime deri tek servisi im. Kam marrë makinën tip “Toyota” dhe jam nisur për tek mbikalimi në autostradë, që ka një urë hekuri që ikën për tek kisha e “Shën Vlashit”. Kur isha tek ura e hekurit, kam telefonuar Nuredinin dhe ai më tha, “…erdha erdha…”. Nuredini ро vinte nga shtëpia e tij me Benzin tim sepse ai nuk kishte makinë. Ka ardhë Nuredini, i cili ishte në timon të makinës time, i shoqëruar edhe me shtetasit Talo Çela dhe Altin Ndoci, ku ishin të maskuar me maska të zeza. Talo Çela, kishte një maskë si ajo që kishte perdorur Admir Murati, në grabitjen e bërë në Rinas…”.
Alla thotë se ata kanë zbritur nga makina tip Benz, që e lanë afër autostradës dhe më pas hipën të tre në makinën “Toyota” dhe u nisën direkt, në zonën ku kishin planifikuar të bënin vrasjen, duke kryer ekzekutimin e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.