Pak ditë pas miratimit të raportit IBAR dhe konferencës së tetë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, që shënoi një tjetër hap pozitiv në procesin e anëtarësimit, Holanda, një prej vendeve kryesore të unionit, kërkon më shumë punë nga institucionet shqiptare.
Ambasadori holandez në Tiranë, Reinout Vos, tha se procesi i anëtarësimit kërkon ndërtimin e institucioneve si në Bashkimin Evropian.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e legjislacionit. Nuk është thjesht një ushtrim teknik për përkthimin e direktivave në ligjin shqiptar.
Sfida e vërtetë është kultura institucionale. Bashkimi Europian, në fund të fundit, ndërtohet mbi besimin: besimin që institucionet funksionojnë në mënyrë të pavarur, besimin që pushteti mban përgjegjësi, besimin që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë, dhe besimin që qytetarët kanë një zë kuptimplotë në jetën publike.
Kriteri i parë për anëtarësimin është te keni një parlament të mirë. Mbikëqyrja parlamentare nuk është një pengesë për qeverisje efektive. Përkundrazi e përmirëson qeverisjen”, tha Reinout Vos.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbikëqyrjes Institucionale, Fatmir Xhafaj, sqaroi misionin e kësaj strukture, pas akuzave se komisioni do të përdoret për të kontrolluar SPAK-un apo sistemin e drejtësisë.
Roli i opozitës në këtë komision shihet me rëndësi, dhe për këtë parashikohet që në rregulloren e re të ketë shtim të kohës së tyre në debat. Që nga shtatori i vitit të kaluar parlamenti ka një komisionin më vete për mbikëqyrjen institucionale; që mbështetet edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita.
gijotina.com/









