Historiani Kristo Frashëri ka shkruar një libër për Çamërinë, një libër që tenton të ezaurojë të gjithë historinë e kësaj treve që prej prejardhjes ilire deri në problemet e sotme me mosnjohjen e pronave. Një libër që fakton shkencërisht historinë e Epirit, por hedh dritë edhe mbi dobësi e shtrembërime kryesore që Akademia e Athinës ka botuar kohët e vona, ndërsa studimet shqiptare kanë qenë të vonuara mbi historinë çame. Libri shoqërohet me parathënien e historianit Pëllumb Xhufi, i cili thotë se “me këtë botim, publiku shqiptar po vihet për të parën herë në dijeni me historinë e Çamërisë…Është një fat për publikun tonë që historinë e Çamërisë e mori përsipër ta trajtojë, me një sintezë shkencore, historiani ynë i shquar, Kristo Frashëri, Profesor i Historisë së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe studiues i thellë i Rilindjes Kombëtare në Institutin e Historisë, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Historia e Çamërisë doli në shtyp në fund të 2015-ës nga UET-PRESS në bashkëpunim me Fondacion “Çamëria” dhe Qendrën Kërkimore “Ligji, Norma dhe Tradita” pranë Fakultetit Juridik në UET.
“Nga kapitujt më të rëndësishëm për historinë e Çamërisë konsiderohet ballafaqimi i saj me politikën magalomane me qarqet nacionaliste greke, të cilët ndoqën pas krijimit të shtetit grek për krahinën e Çamërisë. “Në këtë ballafaqim pozitat e shqiptarëve në krahasim me ato të Athinës qenë të ngjashme me ato të Davidit kundër Golias. Megjithatë, “Davidi”, edhe pse i dobët, arriti ta përballonte gjatë krizës lindore të viteve ’70 furtunën e Kongresit të Berlinit, në atë masë sa i detyroi gjashtë Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga Protokolli nr. 13 që kishin nënshkruar më 13 korrik 1878, me të cilin Greqia aneksonte, të ashtuquajturën, pjesë jugore të Epirit. Por, siç dihet, akrepat e diplomacisë botërore shpeshherë lëvizin edhe mbrapsht”, thotë ndër të tjera historia Xhufi në parathënien e librit.
Ndërsa fjalët e autorit të cituara nga i biri Gjergji Frashëri gjatë promovimit të zhvilluar në Hotel Tirana, shfaqin pasionin e atdhetarit krahas historianit. “Historia e Çamërisë, është promovimi i një rezistence shekullore etnike, është historia që kanë zhvilluar për shekuj me radhë banorët e viseve tona të cepit jugor, shqiptarët e Çamërisë, për të përballuar përkatësinë e tyre etnike, shqiptare. Është një histori famëkeqe, e cila përfundoi me një golgota biblike të udhëzuar nga zyrtarët nacionalistë grekë, të fqinjëve tanë, por 60 vjet më parë. Historia e kësaj popullsie shqiptare të martirizuar është kaq e dhimbshme, sa në historinë tonë kombëtare lë gjurmë kaq të thella, saqë të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet e tyre etnike e kanë pasur ashtu siç e kanë të vështirë kujtesën e tyre nga ndërgjegjia historike. Kjo monografi i kushtohet pikërisht kësaj kujtese historike”, janë fjalët e Kristo Frashërit për librin e tij.
Eksodi çam
Prof. Kristo Frashëri *
Njoftimet më të plota dhe më të dokumentuara mbi eksodin çam që ndodhi në vitet 1944-1945 ne i kemi ndeshur në punimin kushtuar Musa Demit hartuar nga Hajredin Isufi, botuar në Tiranë në vitin 2002. Për këtë arsye, të dhënat që përmban ky punim kushtuar Musa Demit me rëndësi për Çamërinë në këtë kapitull do të shfrytëzohen gjerësisht me bindje se ato i qëndrojnë më afër së vërtetës së ngjarjeve.
Në vjeshtën e vitit 1944 situata politike në Çamëri ishte jashtëzakonisht kritike. Shpresat që kishin ushqyer udhëheqësit nacionalistë çamë se po të fitonte luftën Italia fashiste, Çamëria do të fitonte të drejtat e veta kombëtare, ishin shuar që kur një vit më parë Italia fashiste kishte kapitulluar. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Çamëria, të cilën Hitleri ia kishte njohur Benito Musolinit si zonë e influencës së Romës, u përfshi menjëherë në zonën e administrimit ushtarak të Gjermanisë hitleriane. Krerët nacionalistë çamë, mbasi mbetën pa përkrahjen e hierarkëve fashistë italianë, me dashje apo pa dashje, për të shpëtuar mbijetesën e tyre nga nacionalistët grekë, pranuan të përfshiheshin në administratën e Gjermanisë hitleriane. Në horizontin politik dukej se për ta nuk kishte më kthim mbrapa. Dukej se katastrofa me marshimin e saj po i merrte me vete, siç ndodhte me shumë kolaboracionistë, drejt fundit të vet.
Pas masakrës së 27 qershorit në Paramithi, banorët e Çamërisë u përpoqën të merrnin masa mbrojtëse për të përballuar furinë e papërmbajtur të bandave zerviste. Ndërkohë, batalioni “Ali Demi” për habi të luftëtarëve, mori urdhër që të rreshtohej jo në ultësirën e Paramithisë,
ku zhvillohej beteja e përgjakshme, por në lartësitë e maleve të Filatit.
Aristidh Kranja, komandanti i Divizionit X të EDES-it, shënon me këtë rast se masakra e kryer mbi popullsinë çame në Paramithi mbeti e panjohur në opinionin publik, për arsye se bandat ushtarake greke nuk lanë asnjë shqiptar dëshmitar të gjallë, që të mund të dilte nga qyteti.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se lajmi i masakrës së përbindshme ishte përhapur nga vetë zervistët gjithandej. Në takimin e 11 korrikut në malin e Kurtesit, palën e EDES-it (zervistëve) e përfaqësonte vetë nënkolonel Kranja, bashkë me tre oficerë grekë dhe një anglez, ndërsa pala çame përfaqësohej nga Tahsin Muhedini, Halil Dalipi dhe Ibrahim Muhedini nga Paramithia. Aristidh Kranja, komandant i Divizionit të EDES-it nguli këmbë që të zbatohej kërkesa e dorëzimit të armëve nga çamët. Afati i përgjigjes tetë ditë, pra deri më 19 korrik 1944.1 Përgjegjësit e rezistencës çame nuk iu përgjigjën ultimatumit. Meqenëse shqiptarët nuk kishin armë për t’u mbrojtur kërkuan nga komanda hitleriane në Gumenicë armë për mbrojtjen e familjeve çame. Komanda hitleriane refuzoi me motivacionin se gjoja kërkonin ndihma si grekë për rezistencë antihitleriane.
Sipas një telegrami të legatës gjermane në Beograd drejtuar legates gjermane në Tiranë më 21 gusht 1944 thuhej se Berlini ishte i gatshëm të shkëmbehej minoriteti çam në Greqi me inoritetin grek në Shqipëri.
Çamët, të pafuqishëm për t’u mbrojtur nga sulmet e Zervës, u tërhoqën bashkë me familjet e tyre drejt rrethinave të Filatit. Për komandën hitleriane situata kritike e popullsisë shqiptare mund të kapërcehej duke realizuar shkëmbimin e minoritetit shqiptar të Greqisë me minoritetin grek të Shqipërisë.
Në këto rrethana, forcave çame u erdhi propozimi nga britanikët për një marrëveshje midis dy rreshtimeve ushtarake greke – EAM-it dhe EDES-it. EAM-it iu duk e arsyeshme kjo zgjidhje, e cila veç të tjerash do të evitonte krimet dhe masakrat, si ato që ndodhën kundër myslimanëve shqiptarë në Paramithi dhe në viset e tjera çame. Marrëveshja u pranua dhe u nënshkrua në Kazerta (Itali) më 1944 ndërmjet Sarafit, komandant i forcave të ELLAS-it dhe Zervës, komandant i forcave të EOEA-s.
Marrëveshja e Kazertës krijoi shpresë se nuk do të përsëriteshin më krimet kundër çamëve. Musa Demi riprodhon në kujtimet e tij letrën drejtuar Theodor Vitos me të cilën i kujtonte në këtë kohë se shqiptarët myslimanë e të krishterë ishin vëllezër të një gjaku dhe se tani ishte koha që shqiptarët e krishterë të ndihmonin çamët myslimanë, ashtu si çamët myslimanë kishin ndihmuar të krishterët e Çamërisë. Megjithatë, nuk mungonin elementë kriminelë të EDES-it, të cilët mezi prisnin rastin të hynin në Filat e Gumenicë e të përsëritnin masakrën e 27 qershorit të Paramithisë.
Situata megjithatë vinte vazhdimisht duke u acaruar. Dukej qartë se Zerva po e shkelte marrëveshjen e Kazertës. Sipas kompromisit të Zervës me gjermanët dhe informacioneve të tij për vendndodhjen e shtabit të partizanëve, gjermanët filluan goditjen me artileri në territorin ku ishte përqendruar batalioni IV i regjimentit XV të ELLAS-it. Duhet theksuar se në radhët e atij batalioni kishte dhe shumë partizanë çamë, midis të cilëve dhe djali i madh i Musa Demit, Petrit Demi me gradën toger. Më 23 shtator 1944 forcat zerviste (EOEA) iu afruan qytetit të Filatit në një kohë kur forcat gjermane ende nuk ishin larguar.
Në mëngjesin e 24 shtatorit Filati ra në duart e zervistëve. Me këtë sukses Napolon Zerva po realizonte planin e tij – spastrimin e Çamërisë nga popullsia çame. Me hyrjen e Zervës në Filat, udhëheqësit e rezistencës çame u larguan nga Filati. Musa Demi pasi kaloi kufirin u ndal në Delvinë, duke lënë mbrapa Çamërinë e mbushur me viktima banorësh të pafajshëm, të cilët mbushnin rrugët e qytetit. Në Filat u përsëritën krime të ngjashme me ato që kishin ndodhur në Paramithi. Në ditët e para, shkruan Musa Demi, u vranë dhe u masakruan shumë burra, gra dhe fëmijë. Më pas, grate e fëmijët që kishin mbetur në Filat, u grumbulluan të gjithë në shkollën e qytetit, që njihej me emrin “Kotrofio”, një ndërtesë e madhe dykatëshe, ndërsa burrat çamë, që i kishin shpëtuar vdekjes në valën e parë ishin izoluar në burgun e qytetit. Ashtu si Sanie Bollatit në Paramithi që grekët i prenë gjoksin, i nxorrën sytë dhe më pas e spërkatën me benzinë dhe e dogjën të gjallë, edhe në Filat, Hilmi Beqirin, pasi e copëtuan me bajoneta, ende pa dhënë shpirt, ia nxorrën dhëmbët e florinjtë duke i shqyer nofullat me darë. Ndërsa Avdul Nurçen nga fshati Spathar pasi i lidhën këmbët e duart, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qytetit derisa vdiq.
Pas masakrave të kryera në ditët e para në Filat qytetarët çamë u detyruan të largoheshin në Shqipëri. Filloi kështu eksodi biblik i çamëve i cili të kujton eksodin e izraelitëve biblikë, ndodhur 3300 vjet më parë. Duke u larguar ata linin pas shtëpi të djegura, kufomat e të afërmëve të pavarrosur dhe të pushtuar nga tmerri. Gratë e pleqtë mezi ecnin. Fëmijët qanin. Ditë të tëra udhëtonin pa vënë gjë në gojë. Të larguarit çamë nga Filati, njësoj si dhe ata të larguarit nga vise të tjera të Çamërisë nuk gjetën vend ku të strehoheshin. Pothuajse të gjithë u dergjën në qiell të hapët. Dikush pati ngritur ndonjë tendë. Vdekjet qenë të shumta, saqë të gjallët mezi i përballonin varrimet. Largimin e tyre Jani Sharra e përshkruan me këto fjalë:
“Mijëra njerëz, burra, gra e fëmijë, me dhimbje e keqardhje në fytyrat e tyre, niseshin me ç’mundnin të merrnin me vete, në rrugën e shpëtimit”. Emigrimi i çamëve drejt Shqipërisë ishte një kalvar tragjik. I ndjeri miku im, Njac Saraçi, nga Shkodra, në prani të djalit të vetëm dhe të shoqes, më lexoi disa shënime nga ditari i tij, ku përshkruheshin mbresat nga emigrimet e çamëve, më 1944-1945. Njaci ishte në Brigadën XIII në Shqipërinë e Jugut dhe kishte patur rastin të shihte dhjetëra familje çame të kalonin para syve të tij. Lidhur me këtë ai shkruante:
“Gjithë ditën lëviznin turma të dëshpëruara e të hutuara çamësh. Dukeshin sikur armiku po i ndiqte pas. Fëmijët dhe pleqtë të dhimbseshin më shumë. Shkonin tre-katër bashkë, duke tundur kokën nga lart poshtë e diç mërmëritnin. I afrohem njërit dhe dëgjoj që thoshte nëpër dhëmbë: “Bukë, bukë!”. Disa ishin aq të hutuar, sa që duke ecur si nëpër gjumë, befas ndalonin, kujtoheshin se i mungonte një pjesëtar i familjes, bërtisnin e ktheheshin prapa për ta kërkuar… Shihej dyndja e një populli që ishte shpërngulur me të madh e me të vogël, me tmerr, duke marrë nga shtëpitë e tyre ç’u zinte dora… Kjo tërheqje e madhe nuk kishte rrëmujë dhe dukej si një kope e disiplinuar që nuk dihej kush e drejtonte dhe kush e ndiqte”.
Çamët e mërguar në fillim u përqëndruan në Konispol, Sarandë, Delvinë e rrethina. Musa Demi njofton se Rexho Plaku mori një letër nga regjimenti XXIV i EDES-it me të cilën e kërcënonin se po të mos dorëzonte çamët që ishin në ndjekje nga EDES-i dhe që ishin vendosur në zonën që mbulonte ai, atëherë komanda e regjimentit të EDES-it do ta ndërmerrte vetë aksionin e kapjes së tyre brenda kufirit të Shqipërisë. Musa Demi u informua gjithashtu se midis vijës së Kalamajt dhe Konispolit numri i çamëve arriti në rreth 15 mijë vetë e se shumë prej tyre vdisnin çdo ditë nga uria. Po ashtu ai mësoi nga Rexho Plaku se çamët kishin kufizime në lëvizjet e tyre. Ata ndaloheshin të kalonin lumin e Bistricës. Më në fund familjet çame u lejuan të kalonin Bistricën dhe të vendoseshin në vise të tjera. Pas largimit të banorëve situata në Çamëri u rëndua edhe më shumë. Po ashtu u ashpërsuan konfliktet që çuan në luftime të ashpra mes forcave të ELLAS-it dhe të Zervës. Kulmin e tyre veprimet luftarake e paten në nëntor-dhjetor të vitit 1944. Vihej re se forcat e ELLAS-it dita-ditës fitonin terren dhe fitorja anonte nga ana e tyre. Ndikimi i EAM-it filloi të rritej në të gjithë zonën e Çamërisë dhe më tej. Në dhjetor të vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe forcat e Ushtrisë NÇL (ELLAS) çliruan Çamërinë dhe në fillim të janarit 1945 i detyruan forcat zerviste të kalonin në Korfuz. EAM-i festoi fitoren. Gumenica dhe rrethinat e saj kontrolloheshin nga EAM-i dhe forcat e ELLAS-it. Sërish zotëronte përçarja e thellë politike. Popullsia e krishterë ishte ndarë në dy kampe kundërshtare: EAM dhe EDES. Në mes tyre kishte një marrëveshje të hapur, që tregonte se nga çasti në çast pritej shpërthimi i luftës civile. Musa Demi e gjykoi të arsyeshme se situata e re kërkonte që ai të nisej për në Çamëri dhe prej andej në Athinë që çamët të riktheheshin në shtëpitë e tyre. Udhëtimi i tij për në Athinë u bë i mundshëm në sajë të kontrollit të rrugës që kishte tani EAM-i në Çamëri. Gjatë udhëtimit ai vuri re se Çamëria po ziente nga fryma e rezistencës. Musa Demi takimin e parë në Athinë e pati me përfaqësuesit e aleatëve. Ai kërkoi prej tyre që popullsia çamë te kthehej në vatrat e saj dhe qeveria greke të dëmshpërblente pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme të çamëve. Ata premtuan se problemi çam do të ishte në qendër të vëmendjes së Aleatëve. Por, premtimi ishte thjesht një mashtrim po të kemi parasysh bashkëpunimin e anglezëve me Napolon Zervën në masakrat kundër çamëve.
*Pjesë e shkëputur nga libri “Historia e Çamërisë” , botim 2015