Forumi Ekonomik Botëror e renditi Shqipërinë ndër 20 vendet me sistemin më problematik të drejtësisë në botë. Në raportin e fundit global mbi teknologjinë e informacionit, Forumi vëren se sistemi shqiptar i drejtësisë është jo eficent dhe krijon kosto të larta për biznesin.
Forumi ka renditur sistemet gjyqësore në 139 ekonomi të botës, duke përdorur 3 tregues: pavarësinë, eficencën në zgjidhjen e konflikteve tregtare; si dhe eficencën në sfidimin e institucioneve publike apo rregullave.
Për treguesin e parë, atë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, Shqipëria renditet e 119-a ndër 139 vende të marra në vlerësim. Sipas raportit, në Ballkan vetëm Serbia ka një sistem gjyqësor me pak të pavarur sesa Shqipëria, ndërsa të gjitha vendet e tjera renditen më mirë.
Për treguesin e dytë, atë të eficencës së kuadrit ligjor dhe sistemit gjyqësor në zgjidhjen e konflikteve tregtare, Shqipëria renditet në vendin e 120, duke lënë pas vetëm 19 vende në botë.
Ndërsa në treguesin e tretë, atë të hapësirave që krijon sistemi për të sfiduar vendimet arbitrare të institucioneve publike apo qeverisë, Shqipëria renditet lehtësisht më mirë, por sërish në vendin e 108.
Raporti i Forumit Ekonomik Botëror është vetëm dokumenti i fundit që e vë theksin te sistemi problematik i drejtësisë në Shqipëri. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar gjithashtu se, përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe forcimi i së drejtës së pronës do të jenë kritike për ekonominë shqiptare.
/ Top Channel /