Tropoja, ky peizazh mbresëlënës në kufirin më verior të Shqipërisë, kishte vite të largëta që nuk tronditej nga krimi. Aq sa kohët e errëta të përplasjeve mizore midis bandave, dukeshin të harruara dhe thjesht një zgjim i keq, historish rrëfenjash dhe bëmash që nuk kanë lidhje me atraksionin dhe potencialin e turistik që të dhuron sot kjo zonë. Kjo të paktën, deri mesnatën e 5 janarit, duke hyrë 6 janari 2020. Ku plumbat shpërfytyruan edhe njëherë qetësinë e qytetit që kish harruar se ç’ish frika dhe terrori. Natën kur Guxim Gjyriqi, baba i 3 fëmijëve u qëllua me 15 plumba, ndërsa po qëndronte përballë lokalit që kishte në administrim.
Plumba të qëlluar nga një armë e shkurtër tip PMX, që e lanë të vdekur në vend, në errësirën e natës. Ndërsa makina e autorëve, sipas emisionit ‘Në shënjestër’ u largua me shpejtësinë e errësirës për të humbur gjurmët kush e di se ku, bashkë me autorët të cilët edhe sot nuk dihet se kush janë. Po kush ishte Guxim Gjyriqi dhe pse vrasja e tij ktheu pas hijet e një kohe të shkuar të përgjakshme në Tropojë. Ngjarje të cilat e kthyen këtë zonë për vite të gjata në sheshbetejën e krimeve brutale, ku u përzie edhe politika e ditës? Cila ishte lidhja e tij me Fatmir Haklaj dhe pse dyshimet bien mbi hakmarrjet e vjetra, plagët e të cilave lëngojnë gjak ende dhe sot në Tropojë. Guxim Gjyriqi thuhet se ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Bajram Currit.
Ai kishte në pronësi një pikë karburanti dhe një restorant në lagjen ‘Partizani’, aty ku pikërisht edhe u qëllua në mesnatën e 5 janarit 2020. Sipas dinamikës së ngjarjes, mësohet se autorët të cilët lëviznin me një automjet tip ‘Citroen’ pa targa, fillimisht kanë ndaluar përballë objektit në pronësi të Gjyriqit. Aty ku mesa duket ky i fundit po mbyllte ndërkohë llogaritë e xhiros ditore, para se të kthehej në banesë. Momenti, kur autorët mendohet se kanë pritur deri në daljen e tij në sheshpushimin e karburantit.
Ku dyshohet se këta të fundit për tu siguruar e kanë thirrur në emër, për ta qëlluar më pas pa mëshirë. I pari që e gjeti trupin e Gjyriqit, 40 minuta pasi ekzekutimi i tij ishte kryer, ishte nipi i tij. Vetëm disa orë më pas një makinë e djegur u gjet në fshatin Golaj të Hasit. E njëjta makinë e cila u përdor nga autorët në vrasjen e 47-vjeçarit. Por siç e theksuam edhe më lart, vrasja e Guxim Gjyriqit, e ktheu edhe njëherë qytetin e rënë tashmë në qetësi, në vitet e errëta kur krismat e armës bënin ligjin. Madje për të gjetur se kur ishte shkrepur për herë të fundit një armë krimi në Tropojë, duhet të ktheheshe shumë vite më pas.
Në vitet e përplasjeve të forta midis bandave në këtë qytet. Që shkaktuan me dhjetra të vrarë. Ku shteti ishte i pafuqishëm të ndërhynte, ndërsa politika po e përdorte krimin lokal si një tytë arme drejtuar ndaj kundërshtarëve. Siç ishte edhe vrasja më 12 shtator 1998, përpara selisë së Partisë Demokratike të deputetit demokrat Azem Hajdari dhe truprojës së tij Besim Çera, ngjarje ku u plagos rëndë truproja tjetër Zenel Neza. Vrasje e cila u krye nga një togë e armatosur, e komanduar nga drejtues të Komisariatit të Tropojës, me në krye Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmanin. Ku humbi jetën në spital edhe Naim Çangu, që ndodhej në makinë me ta, në momentin që qëlluan ndaj liderit të lëvizjes studentore të vitit ’90.
Vrasje e cila në fakt i kishte paraprirë një sage të përgjakshme në Tropojë, ku personazhe kryesore do të ishin anëtarë të familjes Haklaj. Aty ku bien fillimisht dyshimet edhe për vrasjen e Guxim Gjyriqit, 18 vite pasi mendohej se zjarri i armëve ishte shuar në Tropojë. Dhe hakmarrja i kishte lënë vend paqtimit. Por cila ishte lidhja e Guxim Gjyriqit me Fatmir Haklaj dhe pse një nga pistat kryesore të hetimit është ndalur pikërisht te ‘I Forti’ tashmë i ndjerë, që bënte ligjin në Tropojën e viteve ’90, i cili edhe vetë do të humbiste jetën pas një atentati, më 4 nëntor 1999.
Pas 7 atentateve ku kish mundur të shpëtonte. Në Tropojën e cila deri në vendosjen e rendit, numërohet se mori 200 jetë djemsh, në një hark kohor prej 10 vitesh. Në ngjarje që thuhet se u inskenuan nga politika e kohës, e cila mundi ti përçajë dhe t’i fusë në gjak.
Duke u kthyer te vrasja e Guxim Gjyriqit dhe një nga pistat që lidhet me afërsinë e tij të gjakut me dikur të fortin e Tropojës, thuhet se viktima ishte kushëri me Fatmir Haklajn. Të parët që shkuan në vendin e krimit ishin nipi i tij dhe dy oficerë policie. Të cilët konstatuan trupin e pajetë të Gjyriqit. Ku ora e krimit u konstatua 23.32 minuta. Sipas të dhënave të grupit hetues, nipi dhe dy oficerët e policisë të pranishëm të parët në vendngjarje, nuk dhanë asnjë të dhënë me rëndësi për hetimin. Ndërsa ata treguan vetëm rrethanat se si e gjetën trupin e pajetë, por që për ta ishte tepër vonë për ti dhënë ndihmën e parë. “Rreth orës 23.00, isha duke pirë kafe në qytet. Po kthehesha me disa kushërinj, kur tek karburanti i xhaxhait pamë dy punonjës policie.
Iu thashë kushërinjve përse ka policë aty? U afruam për të parë çfarë kishte ndodhur. Pashë një person shtrirë. I thirra: O xhaxha ku je? S’po më përgjigjej askush. Kur i hoqa kapuçin dimëror personit të shtrirë pashë që ishte xhaxhai i vrarë.”, tha nipi i Guxim Gjyriqit.
E njëjta dëshmi që u përforcua edhe nga policët të cilët mbërritën të parët në vendngjarje. “Shkuam për të çuar shefin në spital, për shkak se kishte një problem shëndetësor. Kur po ktheheshim nga spitali, pamë një person të shtrirë te karburanti. Njoftuam kolegët që të vinin në vendngjarje dhe më pas u konstatua se personi ishte vrarë me armë zjarri.”, pohuan policët. Një nga personat e parë që u mor në pyetje lidhur mbi jetën e Gjyriqit, ishte bashkëshortja e tij, e cila tha për grupin hetues se bashkëshorti i saj bënte një jetë të qetë, larg problemeve. Po kështu ajo tha se së fundmi, Guxim Gjyriqi, nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim. Ndaj për këtë arsye nuk kishte marrë asnjë masë për të mbrojtur jetën. “Guximi kishte një rutinë thuajse çdo ditë. Ku shkonte tek karburanti dhe kujdesej për lokalin.
Në mbrëmje, pasi e mbyllte atë, kthehej në shtëpi. Zakonisht kthehej rreth orës 23.00 ose edhe më vonë. Ai nuk ka patur asnjë shqetësim kohët e fundit, ndërsa nuk kishte marrë ndonjë masë për tu ruajtur, pasi ai nuk kishte asnjë problem apo konflikt me ndonjë person.”, tha bashkëshortja e Guxim Gjyriqit. Po për t’u kthyer te plagët e vjetra të Tropojës, sipas të dhënave të policisë, rezulton se një vit para se të vritej, në Tropojë kishin filluar të qarkullonin fjalët se Guxim Gjyriqi ishte në shënjestër. Po këto zëra ishin shuar me kalimin e muajve, çka duket se kishte ndikuar që Guxim Gjyriqi të ulte vigjilencën. Ndërsa kjo strategji mund të ketë shërbyer nga autorët si taktikë për të parë nga afër masat që do të merrte pas zërave që qarkullonin, viktima i tyre e ardhshme. Për t’iu rikthyer edhe njëherë dinamikës se si u zhvillua ngjarja, vlen të shikojmë edhe njëherë pamjet filmike të siguruara ‘Në shënjestër’. Ku nga kamerat e sigurisë, mendohet se në atentat kanë marrë pjesë dy makina.
Automjeti i parë, shfaqet menjëherë në krye të pamjeve, teksa largohet më shpejtësi. Vetëm tri minuta dhe më pas shfaqet një tjetër automjet, ngjyrë i bardhë, që ndjek po me shpejtësi, automjetin e parë. Ku ky automjet mendohet se është makina që largoi vrasësit nga vendi i krimit. Automjet që më pas u gjet në servisin e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, të cilët u ekzekutuan në Shënavlash të Durrësit, më 27 prill 2020, vetëm disa muaj pas vrasjes së Guxim Gjyriqit. Vrasje e vëllezërve Haxhia, për të cilën ka folur tashmë edhe i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani. Po ndërsa Dumani nuk dihet nëse ka folur për vrasjen e Gjyriqit, prokuroria e Tropojës ka dyshime se vrasësit e këtij të fundit mund të jenë nga Elbasani.
Një qytet me një potencial të rrezikshëm kriminal në vitet e fundit, ku numërohen me dhjetra të vrarë në atentate. Qytet, ku për një kohë të gjatë ka vepruar grupi kriminal i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit. Por është akoma e pasqaruar se si përfundoi makina e dytë e autorëve në garazhin e servisit të vëllezërve Haxhia, të cilët edhe këta ishin me origjinë nga Tropoja. Por ndërsa të vdekurit nuk rrëfehen dot në botën e të gjallëve, duket se lidhja e tyre me vrasjen e Guxim Gjyriqit do mbetet një mister, sa kohë dikush tjetër do pranojë të flasë për këtë ngjarje. Vrasje enigmatike e cila sot po hetohet si vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim. Ku si motiv dyshohet gjakmarrja, ndërsa paralelisht po hetohen edhe problemet me biznesin.
Marrë nga Balkanweb