Evi Kokalari ka reaguar ashpër ndaj Sali Berishës, pas skualifikimit tw saj nga gara për drejtimin e Partisë Demokratike. Në një reagim publik, Kokalari thekson se, ndryshimet në statut janë bërë pasi ajo shpalli kandidimin, duke i cilësuar si shkelje flagrante të të drejtave dhe demokracisë.
Kokalari thekson se bazuar në të ashtuquajturin “neni Basha”, Berisha nuk është më kryetar i PD-së. Ajo akuzon drejtpërdrejt Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij, si Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi, duke i cilësuar si një pakicë që ka marrë peng partinë dhe që kanë dëmtuar demokratët.
Kokalari pretendon se ka refuzuar më herët një ofertë për postin e nënkryetares së PD-së dhe se përplasja e saj me Berishën nisi për shkak të kundërshtimit të korrupsionit të brendshëm në parti.
“Vulën me dhunë s’e mban dot. Siç ia dhashë, do t’ia marr… me diplomaci, dhunë apo drejtësi”, shkruan Kokalari.
Postimi i Plotë:
Kuptoni që unë nuk jam skualifikuar nga gara. Sali Berisha nuk më skualifikon dot, sepse ka të njëjtat të drejta si unë (bashkëthemelues), dhe, s’ka asnjë autoritet mbi mua, dhe “neni Basha” e skualifikon atë komplet nga kjo garë. Në fakt, në bazë të nenit Basha, Berisha nuk është më kryetari i Partisë Demokratike! Rregullat i ka thyer ai, Berisha, jo unë. Deri në momentin që vendosi të hapë garën, nuk kishte asnjë nen që më skualifikonte të hyja në këtë garë. Ndryshimi i statutit pasi e bëra publike kandidimin është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bëhet pikërisht sepse kam luftuar korrupsionin e brendshëm partiak. Po të kisha mbyllur gojën, siç bën pakica në atë parti, Berisha vetë do të më vinte si kryetare. E them këtë, meqenëse në atë kohë më ofroi pozicionin e nënkryetares dhe e refuzova. Por lufta ime nisi kur ky korrupsion dëmtonte shumicën e demokratëve; prandaj dhe kjo luftë ishte kundrejt pakicës (Berisha-Noka-Vokshi-Kellici), sepse ajo pakicë e mori PD-në peng, pasi bëmë gjithë atë luftë për t’ia marrë Bashës.
Personalisht nuk i jam kthyer kurrë kundër PD-së, por vetëm Sali Berishës, Albana Vokshit, Belind Këlliçit, Flamur Nokës, që janë koka e krimit partiak dhe kanë vjedhur masivisht çdo demokrat të ndershëm në atë parti. Këta, në një formë apo në një tjetër, do ta paguajnë… të gjithë, pa përjashtim! Mendon Berisha vërtet që ne të gjithë luftuam Bashën që këta të çmendur të bëjnë ç’të duan dhe ta përdorin partinë për veten e tyre dhe për afera korruptive, si “kulla e malit” në kurrizin tonë?
MJERANE!!
-Berisha atë parti e mori prej meje. Pikë.
-Pse? Sepse sinqeriteti im dhe angazhimi im me fushatën e Trump, që shumë e kishin ndjekur, ngritën mbështetjen dhe shpresën në maksimum kur i dola në krah. Pikë.
-Berisha ishte i vdekur politikisht dhe i tillë është akoma. Pikë.
-Vulen me dhunë s’e mban dot. Pikë.
Por mashtrimet publike janë të turpshme, kështu që bën mirë të heshtë.
Kam qenë konsistente në ç’kam thënë dhe bërë.
Në foltore kam folur vetëm për pluralizëm dhe meritokraci. Atë foli edhe Berisha, por ai mashtroi. Unë jo. Këto fakte janë mbuluar masivisht nga media në atë kohë dhe luftën time për të mbrojtur meritokracinë e çdo demokrati nuk e mohon dot njeri. Në fakt, në maj të 2022 e kam kuptuar që këta mashtruan dhe më poshtë gjeni dy mesazhe nga maj–qershor 2022, ku i them klanit të Berishës që kjo nuk ishte ajo për të cilën ramë dakord kur i dhashë mbështetje fillimisht dhe publikisht (foto më poshtë). Si e tillë, lufta ime kundër tyre ishte mëse e justifikuar dhe e drejtë. Më duhet të shtoj gjithashtu që demokratët e PD-së, të cilët sot heshtin kur kjo padrejtësi më bëhet mua, duhet t’ju vijë turp, sepse është e pamundur të keni harruar luftën time kundër këtyre mostrave për të mbrojtur të drejtat tuaja. Sot ju të gjithë duhet të ishit në anën time, sepse keni qenë dëshmitarë të luftës që kam bërë për t’i mbrojtur ato dhe e kam bërë vetëm disa javë pasi kisha refuzuar postin e zv. kryetares. Pra, pa asnjë interes personal!
Sot kthehem pikërisht për ta shpëtuar PD-në që ju të gjithë e përmendni dhe e diskutoni, por s’keni guximin të tregoni një fije dinjiteti dhe mbështetje për ata që luftojnë për ju, ndërkohë që vazhdoni të jeni viktima të atyre që ju abuzojnë masivisht për interesat e tyre personale dhe familjare. Gjithsesi, kjo më ndan mua nga ju të gjithë – forca e karakterit dhe integritetit. Si e tillë, unë vulën Berishës, siç ia dhashë, do t’ia marr… me diplomaci, dhunë apo drejtësi, si t’ia dojë atij qejfi – por Sali Berisha këtë betejë NUK E FITON. Për sa i përket komenteve të Berishës se disa janë të PS-së, s’jam e qartë për kë flet, por Edi Rama ka kohë që më ka bllokuar, sepse jam e vetmja që kam ngritur alarmin si për Sazanin dhe kontratën e fundit që kanë bërë me kompani greke, ku morën pjesë ish-miqtë e mi.
Berisha ndërkohë mbylli gojën për këto afera, sepse do që qeveria Trump t’i heqë sanksionet, dhe s’kupton që edhe Sazani dhe kontrata e fundit kanë shkuar si çështje në një nga komisionet e Kongresit, që drejtohen nga demokratët; pra, kusur këtyre marrëveshjeve s’do t’u lënë. Lufta ime kundër korrupsionit gjithashtu vazhdon të jetë konsistente si kundër Berishës, Ramës, apo edhe shumëkujt në rrethin e Trump-it. Kompromis me integritetin s’kam bërë kurrë. Si e tillë, kam me vete drejtësinë dhe shumë mbështetje në SHBA, pavarësisht se disa i blini ju nga Shqipëria – Berisha me milionat e Shkëlzenit dhe Rama me pronat e popullit. Të dy këta të njëjtin fund do të kenë. Kaq jua garantoj!


gijotina.com/










