Është kujtuar në Tiranë ditëlindja e Bilal Xhaferrit. Shoqata patriotike “Çamëria”, shkrimtarë, kritikë, njohës të artit, të afërm dhe miq të shkrimtarit janë mbledhur për të kujtuar veprën e këtij njeriu atipik të letrave shqip.
Politikani Shpëtim Idrizi ka mbajtur një fjalë tejet të veçantë për një politikan karriere.
Është e vështirë që një politikan të flasë për një poet, për një shkrimtar. Jo, sepse politikani nuk e kupton poezinë, letërsinë, madhështinë e këtij arti të lashtë sa njeriu, por, sepse politika dhe letërsia janë në një sherr të lashtë.
Politika është arti i kompromisit. Letërsia është arti i rrëfimit të sinqertë. Politika është lëmi i konjukturës, letërsia është armikja numër një e konjukturës.
Bilal Xhaferri mori arratinë, pasi e zunë ngushtë, sepse nuk shkoi pas konjukturës. Kjo, sepse ai besonte në vërtetësinë e artit të tij dhe jo në konjukturë, prandaj ishte aq hasëm i politikës.
Ndiqeni sa i vërtetë ishte ky djalosh në poezinë e tij:
Ti je një pardesy
Tek ti fëshfërijnë të gjitha:
mendimet, pardesyja, zemra.
Ti je një pardesy
dhe bota të duket si një sallon mode,
ku parakalon si pardesy e dalë prej garderobe.
Ti je njeri-pardesy.
Të shoh tek zhdukesh përtej – fëshfërimë – nëpër erë,
sikur të mos kesh qenë asnjëherë.
Ja ku është ky njeri, megjithë madhështinë e së vërtetës së tij, por dhe brishtësinë përballë konjukturës. Natyrisht, nuk jam unë njeriu më i mirë për të bërë një analizë letrare apo t’ju tregoj vuajtjen e brendshme të artistit që u përcoll tek të tjerët me një laps e letër. Unë, mund të bëj vetëm një gjë të thjeshtë; të zhvesh pardesynë time si kryetar i një partie politike apo nënkryetar i Kuvendit. Të heq për një dekikë petkun e politikanit dhe të shoh drejt e në sy një shkrimtar që u përndoq nga e vërteta e tij.
Mendoj se sot jemi mbledhur për kujtuar ditëlindjen e një njeriu me përmasa të mëdha, një talenti që ndoshta nuk do vijë më kurrë, të një trimi, i cili të gjithë guximin e tij intelektual e derdhi në letrat shqipe. Bilal Xhaferri nuk uli kokën para fatkeqësisë familjare, persekutimit, pati fuqinë dhe u bë vetë. Mendoni sot një punëtor krahu që shtron rrugën Bajram Curri-Fierzë dhe has kalanë 3 mijë vjeçare të Rosujes në Tropojë. Në mbrëmje i lodhur, i kequshqyer me dritën e zbehtë të llambës me vajgur shkruan një rrëfenjë për Baton e Ilirisë. Një djalë i Çamërisë që ngre në art majën e hartës së Shqipërisë, kulmin e gegërisë.
Ky njeri, të cilit nuk i dhanë shkollë, ju imponua me talentin e tij shkrimtarëve të realizmit socialist. I bëri që ta shihnin edhe ata burrat e propagandës të Lidhjes së Shkrimtarëve. Sipas meje, Bilal Xhaferrri është një personazh i romanit të Mihal Bulgakov, “Mjeshtri dhe margarita”. Ashtu si në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, në Shqipërinë e Enverit nuk kishte vend për njerëz që shkonin kundër rrjedhës. E përndoqën, e përzunë dhe në fund ndoshta dhe e vranë. U munduan ta harrojnë dhe ka gjasa të mundohen ende ta harrojnë. Askush nuk u kujtua nga autoritetet për këtë shkrimtar të madh që të rrallë i pati shokët, por për fat të shumtë i pati miqtë.
Sepse, edhe unë Shpëtim Idrizi pa pardesynë e politikanit jam një mik i tij, jam një njeri që ushqehem edhe me letërsinë e tij, madje shpesh kërkoj trimërinë e tij që të dalë kundër konjukturës. Në mbyllje të kësaj fjale modeste dhe të shkurtër nuk do bëj patetikun dhe t’i drejtohem poezisë patriotike të tij, vargjeve që Bilali ka shkruar mjeshtrisht për Kosovën apo Çamërinë. Por, do kridhem në vargjet e lirikës së tij, në mënyrë që të ftoj dhe të mbramin prej jush në magjinë e letërsisë së vërtetë:
Eja, trishtim,
eja me hapa fletësh që bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja trishtim,
eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja , trishtim,
o prehër i ëmbël që nuk më braktis kurrë,
o strehë e qetesisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime.
Eja, trishtim,
trishtim,
eja.