Në kohën kur janë numëruar gati 98% e votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq bindshëm, thotë REL.
Ndërsa numërimi i votave me postë është ende në faza fillestare, i atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta ende nuk ka nisur.
Me votat e numëruara deri më tani nga diaspora, Lëvizjes Vetëvendosje i janë shtuar dy mandate në Kuvend, krahasuar me numrin e mandateve të siguruara nga votat e rregullta brenda Kosovës. Deri tani, VV numëron 50 mandate në parlament, PDK 23 që do të thotë një më pak se në rezultatet paraprake, LDK 19 ndërsa AAK 8 mandate.
KQZ-ja planifikon që t`i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve ne 26 qershor, dhe me pas t’i certifikojë ato më datën 6 korrik, por këto afate janë vetëm planifikime, pasi do të varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët lidhur me procesin.
Këto ishin zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë. Në shumicën e shteteve evropiane, tre palë zgjedhjet e fundit janë shtrire në një periudhë prej rreth 7 deri në 10 vjet. Votimet e 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura e kaluar nuk arriti të kishte konsensus për zgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.








