Angazhimi i qeverisë për të përmirësuar këtë vit ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve është drejt dështimit të plotë.
Këshilli i Ministrave ka bërë publik progres-raportin e ecurisë së projekteve vjetore të 2016, ku shihet se ato që u dedikohen shërbimeve publike kanë ngecur në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Kryeministria shihet se projekti për përmirësimin e kanaleve të informimit të qytetarëve për shërbimet publike është realizuar zero për qind, teksa afati për finalizimin e këtij projekti ishte fundi i shkurtit të këtij viti.
Gjithashtu shihet se ka dështuar plotësisht edhe projekti për standardizimin e ofrimit të shërbimeve publike. Ky projekt, i cili duhet të kishte përfunduar më 2 qershor 2016 ka bërë zero progres, raporton Kryeministria.
Qeveria është duke shkuar drejt dështimit edhe për ngritjen e qendrës One Stop Shop për mbi 300 shërbime. Ky projekt që është programuar të finalizohej më 30 dhjetor 2016, ka bërë zero progres deri në fund të qershorit.
Projekti i vetëm, në të cilin është bërë progres është shtimi i shërbimeve elektronike në portalin qeveritar e-albania. Ky projekt, i cili ka një afat kompletimi fundin e këtij viti, është realizuar në masën 57 për qind deri në fund të qershorit.
Këtë vit është miratuar ligji i ri për mënyrën e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ligji merr në konsideratë krijimin e ADISA (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara) në varësi të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.
Misioni i kësaj agjencie është ofrimi i shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të sporteleve pritëse për qytetarët (front office), si dhe qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop) për shërbimet që kryhen nga institucionet dhe agjencitë e qeverisë qendrore dhe/ose të njësive të qeverisjes vendore sipas legjislacionit në fuqi ose marrëveshjeve përkatëse.
/monitor.al/