Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, u shpreh ditën e sotme se vetëm në Kuvendin e Shqipërisë nuk flitet për veriun e Kosovës që sipas tij është i pushtuar nga serbët.
Teksa mori fjalën në Kuvend, Çollaku tha se Vuçiç ose kërkon ta copëtojë Kosovën, ose të krijojë një republikë “Serbska” të dytë, si në Bosnjë.
“Edhe pse i kemi çuar kërkesa të herëpashershme zyrtare, i kemi kërkuar që të diskutojnë, as ministrja as zv.ministren refuzojnë të marrin pjesë. Çështja kryesore është çështja e Kosovës. Dje ka pasur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s një deklaratë për Kosovën. Vetëm në Parlamentin shqiptar heshtet. Ne e kemi votuar projekt rezolutën tuaj për hedhjen poshtë të rezolutës së Dick Marty-t. A e mendoni se çfarë ndihme diplomatike do të ishte për Kosovën reagimi ynë. Vuçiç ose kërkon ta copëtojë Kosovën ose të krijojë një republika Serbska të dytë. Nga ana tjetër, për çështjen e detit, zoti Dendias flet më shumë për këtë çështje se ministrja jonë. Po pronat e çamëve në Greqi. A janë prekur këto tema? A janë prekur të drejtat e shqiptarëve në Greqi? A duan pak transparencë këto çështje? I marrim më shumë vesh ngjarjet se çfarë ndodhin nga mediat e tjera. Po për veriun e Kosovës që është i pushtuar nga trupa serbe të Vuçiç dhe të Wagnerit rus. Flet gjithë Ballkani për këtë çështje. Vetëm ne nuk flasim. Si i kërkonte Rama Vuçiçit që të hiqte barrikadat kur ai është vetë problem. Po pohimi i vazhdueshëm i qënbdrimit në Open Balkan? Kosova, Mali i Zi, gjysma e RMV, BE dhe SHBA nuk e pranojnë. Pse nuk tërhiqet Shqipëria nga Open Balkan?
Edhe si masë diplomatike për agresionin e Vuçiçit. Çfarë interesi kombëtar ka këtu. Mund edhe të ketë qenë edhe me qëllim të mirë, por pse nuk e pranoni që Open Balkan ka dhënë efekt negative. Këto tema ne duhet t’i flasim, si njerëz të përgjegjshëm”, u shpreh Çollaku.