Nga Ben Andoni
Prej ditësh, javësh, muajsh, është futur një koncept i ri në diskursin politik me publikun. Ai është i konceptuar me emrin si dëgjesat publike ku zakonisht politikanët kryesorë të vendit apo drejtuesit e pushtetit vendor i drejtohen direkt publikut në mjedise publike. Një lloj gju–më–gju me popullin, i realizuar me sukses në erën Hoxha. Në më të shumën e herës ato fillojnë me një monolog të gjatë të subjektit që e ka inincuar dhe pastaj priten pyetje nga populli. Pas fitores së zgjedhjeve të fundit prej socialistëve, dëgjesat janë shtrirë në të gjitha qarqet dhe sipas një grafiku të përcaktuar, deputetët e rinj dhe individë të PS-së, shpalosin dhe mëtohet se dëgjojnë atë që presin nga njerëzit. Për të ardhur keq është se në vend të merrnin perceptimin e njerëzve, sërish politikanët diktojnë në retorika të gjata dhe premtime. Në forma realisht populiste po nxiten kinse pasione dhe krijohen butafori, me qëllim që t’i bëjnë njerëzit të besojnë se ata (lexo politikanët e fitores) janë në sinkron me aspiratat e tyre dhe po i dëgjojnë. Veçse të mjafton të shikosh organizimin e tyre dhe kupton sesa realisht populli dëgjohet. Nga ajo që përcillet në media shumica janë kthyer në vende ku monologohet, bëhen ca batuta dhe dëgjohet ndonjë pyetje me ngritje topi për zhytje nga të pranishmit selektivë. Këta të fundit, jo pak herë të zgjedhur.
Nëse do të kishin pak vërtetësi të tilla aktivitete, apo ato që kanë nevojë njerëzit është ajo këto dëgjesa duhet të bëheshin në mes të mandateve dhe jo në kohë zgjedhjesh të përgjithshme dhe lokale. Që do të thotë se politikanët të cilët ua morën votën, t’u japin llogari reale, në kohë të vërtetë. Kjo e fundit ka rezultuar një mision i pamundur se në legjislaturën e shkuar, llogaritej një shifër pothuaj e 90% të deputetëve që banonte në Tiranë! Pra, s’kishin fare lidhje me bazën. Nga kjo është e lehtë të nxjerrësh përfundimin sesa afër janë ata me shqetësimet e njerëzve.
Kuptohet se pak javë më vonë këto dëgjesa do harrohen sepse realisht u mungon substanca, kurse mëtimi i politikanëve për të përfaqësuar shpirtin e popullit do tretet prej vetë hapave të tyre. Sërish, njerëzit do ankohen për pensionet e vogla, mungesën e punës, infrastrukturën, favorizimet e me radhë. Kjo e ka bërë kryeministrin Rama, që njerëzit në rrjetet sociale, mbase shumë herë pa takt, por disa herë realisht t’i kujtojnë se në vend të fjalëve duhet të punojë. Apo ata militantët e Vlorës, që i kujtuan me të drejtë përfaqësuesve të fushatës së PD-së kundër Bashës, se në këto katër vjet zyra e deputetit nuk funksiononte fare. Me pak fjalë është morali i përfaqësimit ai që bën dallimin dhe jo parullat populiste që janë kaq në modë sot. Komentatori politik gjerman Jan Werner Müller, do thoshte edhe më përcaktuar se populistët njihen nga “monopoli moral i përfaqësimit”. Apo se përtej sfondeve të tyre gjeografike dhe politike, populistët e të gjithë kaheve pretendojnë “vetëm ata janë populli” dhe në një farë mënyre vetë autoriteti i tyre, i marrë me një sistem jo aq demokratik. E jo më kot, që populizmi sot pretendon se përfaqëson 100% popullin. Atë që Rama e kërkonte me forcë në zgjedhje: Na jepni timonin, t’ju drejtojmë siç duhet. Në një farë mënyre populizmi i sotëm më shumë po fokusohet ta ngërthejë “shpirtin e njerëzve” sesa të çojë përpara dëshirën e përgjithshme. Ndaj, e gjitha kjo tregon, duke vazhduar logjikën e politologut gjerman, se era e politikës përfaqësuese të njerëzve po i vjen fundi. Kjo i bën disi demode dëgjesat edhe me formën e tyre moderne të shoë, sepse tek e fundit populizmit i duhet populli jo për ta dëgjuar dhe zhvilluar por thjesht për ta përdorur për çdo muaj, javë, ditë.
/javanews.al/