Rrjeti informativ amerkian CNN bën me dije se sulme të reja ajrore janë kryer këtë të shtunë ndaj qytetit sirian Khan Sheikhoun, që ishte dhe vendi i sulmit me armë kimike të së martës.
Dy ditë më parë marina amerikane qëlloi me raketa “Tomahowk” një bazë ajrore siriane, veprim ky që acaroi Rusinë, mbështetëse e regjimit të presidentit sirian Bashar al Assad.
Qeveria ruse paralajmëroi për pasoja serioze në marrëdhëniet me SHBA nga ky sulm dhe se do të angazhohet për të forcuar sistemin ajror sirian.
Ndërkohë, në kuadër të masave të tjera, Kremlini ka urdhëruar dërgimin e një anijeje luftarake në Mesdheun lindor, për t’u përballur me flotën e Marinës Amerikane, nga ku u lëshuan raketat mbi Siri.
Për Uashingtonin zyrtar, qëndrimi i Moskës ndaj sulmit në Siri ishte zhgënjyes por jo i papritur. Nga sa pohoi sekretari i Shtetit Rex Tillerson, vetëm habi që nuk ka pasur në administratën amerikane nga ky reagim.